Ai ka themeluar dhe drejton prej gati 20 vitesh një kompani ndërkombëtare në fushën e paramjekësisë. Por, axhenda e tij e ngjeshur nuk e pengon ta nisë ditën duke postuar fakte historike rreth shqiptarëve, duke nisur që nga lashtësia. Mision dhe pasion që e pasurojnë aktivitetin e sipërmarrësit shqiptar me bazë në Tokio, Micky Haxhiislami.
Intermedico Japan, është kompania japoneze e shtrirë pothuajse në të gjithë botën, e cila u themelua dhe drejtohet prej tij, duke nisur nga viti 2003, kur la biznesin e administrimit të pasurive të paluajtshme në Londër.
Me një përvojë në sipërmarrje mes Europës dhe Azisë ai na flet për pasionet e tij dhe na sjell perspektivën e të bërit biznes në këto dy botë të ndryshme.
Intervistoi Albana Muçaj
Tashmë ju keni disa vite në sipërmarrje, fillimisht në Angli dhe më tej Japoni. Për një shqiptar që ka bërë këtë rrugëtim gjeografik dhe biznesor si mendoni se ndikon vendi tek të qenurit sipërmarrës?
Sipërmarrësit janë njerëz së pari dhe njerëzit ndikohen nga besimet e reja – kështu ndryshojmë dhe rritemi dhe marrim mësimet e nxjerra nga kultura ose kulturat në të cilat veprojmë.
Të marrim parasysh parimin e sipërmarrjes në përgjithësi. Në Mbretërinë e Bashkuar, ku koncepti i përmirësimit të situatës ose arritjes së suksesit vetëm nëpërmjet përpjekjeve dhe iniciativës së sipërmarrësit, pa u mbështetur në ndihmën ose burimet e jashtme, ilustron lëvizshmërinë e shoqërisë drejt “ëndrrës kapitaliste”, sipërmarrja dhe zotërimi i biznesit tuaj shihen si ndjekje shumë të dëshirueshme dhe të denja.
Në vendet aziatike, ka më pak fokus te kjo gjë dhe më shumë fokus në familjen dhe komunitetin. Ndërsa sipërmarrja nuk dekurajohet në këto vende, pronarët e bizneseve duhet të marrin parasysh të mirën më të madhe të komunitetit dhe familjes kur marrin vendime dhe jo vetëm atë që mund të jetë e mirë për kompaninë.
Prandaj, kur pronarët e bizneseve si unë, hapim biznese në vende të tjera, duhet të mendojmë për qëndrimet lokale ndaj sipërmarrjes dhe të përshtatim qasjet tona. Pra, një sipërmarrës britanik që hap një hotel në Vietnam nevojitet të marrë mbështetjen e komunitetit për projektin e tij përpara se të ndërtojë, në vend që të vazhdojë me planet e tij me një mendje të vetme.

Gjithashtu, qëndrimet ndaj rrezikut, të cilat shpesh përcaktohen kulturalisht, ndikojnë në perceptimet tona si sipërmarrës. Në vendet që janë më kundërshtues ndaj rrezikut, fatkeqësisht ne duhet të fokusohemi në mundësinë e dështimit në biznes, siç bëra edhe kur e hapa kompaninë time në Prishtinë, Kosovë, në fund të vitit 2019. Ndërsa në vendet që përqafojnë dhe shpërblejnë marrjen e rreziqeve, si rasti im në Londër dhe tani në Tokio, përqendrohemi më pak në frikën e dështimit – dhe vazhdojmë me idetë tona të mëdha.
Si kanë ndryshuar tek ju konceptet e sipërmarrjes me kalimin e kohës dhe me lëvizjen gjeografike?
Vendndodhja gjeografike dhe kalimi i kohës kanë ndikuar ndjeshëm në konceptet e sipërmarrjes, sidomos në krijimin, rritjen dhe ndërveprimin e saj, që ka qenë e lidhur ngushtë me këta faktorë: risia, njohuria, prodhimtaria, cilësia, komunikimet dhe vendimarjet, si dhe besimi.
Në Foshan me partnerin e biznesit.
Ja një vështrim më i detajuar:
RISIA – Japonia është vendi ku janë shpikur dhe komercializuar të gjitha produktet tona, d.m.th. kompresat (anglisht: patches) medicinale, ato për kujdes shëndetësor (me efekt të ftohjes dhe ngrohjes) si dhe kozmetike. Kjo ishte edhe një ndër arsyet kryesore pse unë vendosa të shpërngulem nga Londra në Tokio në vitin 2002.

NJOHURIA – Ku tjetër të mësosh më mirë se sa nga vendi ku edhe rrjedhin produktet tona. Për më shumë, unë kisha fat të bashkëpunoj që nga fillimi me vet shpikësit e këtyre produkteve. Pra, njohuria ime vinte nga vetë burimi, dora e parë. Kjo edhe na bën që të jemi më të fortë dhe të veçantë, pa marrë parasysh konkurencën e ashpër.
PRODHIMI – Edhe pse filluam me prodhimin e produktetve tona në Japoni, shumë shpejt kuptuam se sasitë minimale të porosive dhe çmimet tona ishin të pa kapshme për klientët tanë në tregun ndërkombëtar, sidomos duke marrë parasysh faktin se ishin produkte të reja. Prandaj, vendosëm ta kalojmë prodhimin në Kinë, ku fleksibiliteti ishte më i madh dhe fuqia punëtore konsiderueshëm më e lirë, çka fillimisht më krijoj mjaft komplikime, nisur nga fakti që prodhuesit në Japoni më konsideruan si person të dyshimtë, mirëpo pas ca viteve të gjithë vepruan njësoj! Ky vendim, pa dyshim ka qenë vendimi im më i mirë në karrierën time këtu në Japoni.
Cilësia – Nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër në botë që i kushton aq shumë rëndësi kontrollit të cilësisë dhe sigurimit të cilësisë (QC & QA) të çfarëdo produkti se sa Japonia. Prandaj ndihem me fat që kisha rastin të mësoj për këto gjëra në Japoni, dhe pastaj ta pasoj këtë njohuri tek fabrikat e partnerëve tonë në Kinë, ku kam kaluar shumë kohë, në mënyrë që t’i mbikëqyr vetë këto zbatime nga vendi.

KUMUNIKIMET DHE VENDIMARJET – Sa i përket kësaj pjese, Japonia ngec shumë pas në krahasim me çdo vend tjetër, sepse në kulturën japoneze të biznesit, një theks i fortë mbi hierarkinë dhe senioritetin është i zakonshëm, çka ndikon shumë në vendimmarrje, komunikim dhe ndërveprime. Kjo e ngadalëson jashtëzakonisht shumë procesin e bërjes së biznesit me sukses. Kjo gjë më ka penguar që nga fillimi, sepse dihet mirë që në biznes koha është shumë më rëndësi.
Deri sa japonezët marrin ndonjë vendim, Kina, Korea e Jugut, Tajvani, etj., vetëm se fillojmë me dërgesat e produkteve tek klientët e tyre. Jam i bindur se kjo është një ndër arsyet kryesore pse Japonia mbeti kaq pas në këto dy dekadat e fundit, në krahasim me vendet e tjera të botës, sidomos në krahasim me Kinën, Korenë e Jugut dhe Tajvanin.
Në anën tjetër, si kompani japoneze që jemi, komunikimet dhe vendimarrjet e ngadalshme të kompanive japoneze i kemi shndërruar në veglat tona më të forta në biznes, duke komunikuar dhe duke marrë vendime të shpejta (Godit ndërsa hekuri është i nxehtë). Kështu edhe arritëm t’i bëjmë për vete shumë klientë të mëdhenj botëror nga fusha medicinale, farmaceutike dhe kozmetike.

BESIMI – Besimi në kompani japoneze, besimi në cilësi japoneze, vendosmëria për bashkëpunim afatgjatë, mbështetja për klientët tanë, si dhe krijimi i besimit reciprok personal, janë gjërat që na ndihmuan jashtëzakonisht shumë në arritjen e suksesit të sotëm në tregun global. Prandaj, si përfundim, mund të them se vendndodhja gjeografike mund të kontribuojë dukshëm në zhvillimin e synimeve sipërmarrëse dhe profileve të biznesit.
Unë di rreth filozofisë tuaj dhe ftesës për durim që u bëni të rinjve, nisur nga intervista që kemi bërë së bashku pak vite më parë. Çfarë ka ndryshuar tek të rinjtë me zhvillimet e fundit teknologjike. E kanë ata më të lehtë apo më të vështirë për të bërë biznes?
Zhvillimet e fundit teknologjike sigurisht që e kanë lehtësuar bërjen e biznesit. Prej pandemisë, tani shumë gjëra bëhen përmes takimeve virtuale, ku edhe mund të diskutohen çështje thelbësore dhe merren vendime të shpejta, pa pasur nevojë për takime fizike (face-to-face). Ky mund të jetë një avantazh i madh për shumë profesione, por kur flasim për prodhim, sië është në rastin tonë, vizitat fizike janë të domosdoshme, dhe për këtë duhet investim, kohë dhe durim, deri sa të arrihet rezultati i dëshiruar.
Ju ishit në biznes kur mbërriti pandemia. Çfarë leksionesh nxorët nga kjo periudhë krejt e papritur?
Pandemia ka pasur një ndikim të tmerrshëm në biznesin tonë. Përhapja e Covid-19 dhe masat për frenimin e tij çuan në një rënie të madhe të shitjeve tona. Në vitin 2021 dhe 2022, shitjet tona ishin rreth 50% më të ulëta.
Arsyet pas këtyre uljeve ishin tre: rënja e porosive nga distributorët tanë globalë; izolimet, duke e pasur parasysh se autoritetet në Kinë, ku gati edhe i gjithë prodhimi ynë zhvillohet, ishin jashtëzakonisht të ashpër, dhe kjo ndikoi në zvoglimin e dukshëm të numrit të punëtorëve në fabrikat tona, dhe për më tepër, kishim edhe vështirësi ta blejmë lëndën e parë, kryesisht flas për “pëlhurën jo të endur” (non-woven fabric) që përdorej për të gjitha produktet tona, pasi, shitja e këtij materiali u zhvendos gati plotësisht për pajisjet mbrojtëse personale (PPE), konkretisht tek prodhuesit e maskave respiratore dhe kirurgjike (N95) si dhe maskave të përgjithshme për fytyrë.
Kështu që ne u ballafaquam në tre fronte. Ishte një periudhë jashtëzakonisht e vështirë, por që në fund ia dolëm, jo vetëm të mbijetojmë, por tani të behemi edhe më të fortë. Shitjet tona janë rritur me 30%, krahasuar me periudhën para pandemisë (2019).
Sa u përket leksioneve, kemi nxjerrë shumë nga to. Falë tyre, në vitin e kaluar kemi bërë shpikje thelbësore, më të madhen që nga zbulimi i produkteve tona në Japoni gjatë viteve ’70 dhe ’80. Me këtë shpikje e kemi eliminuar tërësisht nevojën e perdorimit të “pëlhurës jo të endur” (non-woven fabric), dhe tani produktet tona përbëhen vetëm nga hidroxheli. Kurse sa i përket fuqisë punëtore, tani procesin e prodhimit tërësisht e kemi automatizuar.
Cilat janë zhvillimet e fundit në kompaninë tuaj dhe cilat janë objektivat tuaja në vijim? A do t’i kemi produktet tuaja edhe në tregun e Europës Juglindore, përfshirë Shqipëri, Kosovë, etj?
Zhvillimet e fundit lidhen me rritjen e numrit të produkteve tona në tregun Evropian; së shpejti do futemi edhe në tregun Latino Amerikan, si dhe kemi arritur ta rrisim numrin e klientëve në Lindje të Mesme dhe Azinë Juglindore.
Sa i përket tregut të Evropës Juglindore që nga viti 2008 jemi prezent në Kroaci dhe Mal të Zi, dhe në këto vitet e fundit jemi futur edhe në tregun Slloven dhe atë të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ndërsa në Shqipëri, për momentin nuk kemi asnjë plan, edhe pse tentuam të futemi atje përmes kompanisë tonë në Kosovë, gjatë viteve 2020-2023, por ishte koha e pandemisë, kohë pa kohë, prandaj edhe nuk arritëm rezultate të mira. Sidoqoftë, ne kryesisht punojmë përmes distributorëve seriozë lokal, të cilët vetëm e kanë të zhvilluar rrjetin e shpërndarjes në tregjet e tyre.
Nëse del ndonjë distributor i tillë në Shqipëri i interesuar në produktet tona, sigurisht që ne jemi të hapur për bashkëpunim. Deri me tani nuk kemi hasur në një të tillë, fatkeqësisht.
Pavarësisht angazhimeve në biznes, ju i dedikoheni trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare. Faqja e Albanian Vintage është e pasur, ndoshta më shumë se një muze kombëtar. A mund të na thoni me shumë, si e keni pasuruar këtë platformë online me foto e informacione dhe si jeni organizuar për ta zhvilluar?
Kohën, vëmendjen dhe dashurinë qe ia kushtoj trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare, ia dedikoj kryesisht paraardhësve tanë, të cilët kanë vujatur me shekuj; gjeneratave të reja, në mënyrë që të mësojnë drejt për historinë tonë të lashtë dhe aq të pasur; si dhe për veten time, sepse kjo pjesë ma plotëson shpirtin.
Nuk mund t’ia filloj ditës mbarë nëse vetëm nuk i kam bërë disa postime në lidhje me historinë tonë. Përveç faqeve “Albanian Vintage Photography” në rrjetat sociale “Facebook” dhe “Instagram” të cilat i administroj, unë jam jashtëzakonisht aktiv edhe në rrjetin social “LinkedIn”, edhe pse e dedikuar për biznes. Unë edhe aty postoj gati çdo ditë fakte shumë me vlerë në lidhje me historinë shqiptare, më e vjetra në Evropë dhe ndër më të vjetrat në botë, por që ende fatkeqësisht mjaft pak e njohur, si nga të huajt ashtu edhe nga vetë shqiptarët.
I lus lexuesit e tuaj mundësisht të më ndjekin në këto rrjete sociale, ku postimet e mia përcillen çdo ditë nga disa dhjetëra mijëra individ anë e mbanë botës.

Krejt kjo punë është si rezultat i hulumtimeve të mia në vazhdimësi për më shumë se dy dekada. Tani falë tekonolgjisë digjitale, shumë informata mund të gjenden online, por duhet vetëm interesim serioz, dedikim të kohës dhe vullnet të mirë.
Gjithashtu, duhet të theksoj se shumica e arkivave të botës tani janë digjitalizuar dhe me një parapagim të arsyeshëm vjetor, mund të kyqemi në to dhe të nxjerrim thesare të panumërta ne lidhje me të kaluarën tonë, që deri dje as që kemi ditur që ekzistojnë.
Sidoqoftë, dëshira ime më e madhe është që kjo punë mos të lihet vetëm në duar të individëve me vullnet të mirë, por që Akademitë e Shekncave në Tiranë dhe Prishtinë, të merren shumë më serizosisht me të kaluarën tonë, sepse është jashtëzakonisht me rëndësi të madhe, duke e pasur parasysh se ne si popull kurrë më parë nuk kemi pasur liri si sot (flas gati për të gjitha trojet shqiptare) dhe as mundësi të kemi qasje në kaq shumë dokumente historike. Në lidhje me rëndesinë e së kaluares më duhet ta përmend thënien e njohur të filozofit të madh kinez, Konfucit (Confucius) – “Studioni të shkuarën nëse do të përcaktoni të ardhmen” (Study the past if you would define the future)./ va-spas
