Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Ka përfunduar tashmë procesi i regjistrimit të emigrantëve shqiptarë, të cilët duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 majit. Sipas të dhënave zyrtare, numri i kërkesave të aprovuara është 231 674. Por pse diaspora konsiderohet kaq e rëndësishme?
Kjo kryesisht për aspektin ekonomik. Emigrantët sjellin pranë familjeve në atdhe një nivel të lartë të ardhurash, ato që ndryshe njihen si remitancat. Diaspora ka potencial të madh financiar për të investuar; gëzon ekspertizë dhe eksperiencë në sektorë të ndryshëm si dhe një rrjet të madh bashkëpunëtorësh ose ndryshe, network.
Por sa para kanë sjellë emigrantët shqiptarë në atdhe?
Për shkak të emigrimit të pandalshëm vitet e fundit, shifrat kanë qenë në rritje. Në fund të vitit 2023, që është e dhëna e fundit zyrtare vjetore, niveli i remitancave arriti në 929 milionë eurove, ndërsa në 9 mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat nga emigrantët vlerësohen në 772 milionë euro. Shifër që sinjalizon që me shumë gjasë, do të kemi kapërcim të rekordit të shënuar në vitin 2023.
Por sa të rëndësishme janë këto para për ekonominë shqiptare?
Të ardhurat nga emigrantët janë burim jetese për 26% të familjeve shqiptare. Ato ndikojnë në rritjen e konsumit, si dhe në investime në sektorë të ndryshëm, si në hapjen e bizneseve të vogla apo në blerjen e pronave. Gjithashtu mundësojnë kursime. Por remitancat kanë edhe një efekt negativ që është dekurajimi i punësimit./A2 CNN