Nga Aurora Sulçe, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Qeveria po tenton masa të ndryshme për të ulur konsumin e energjisë dhe realizuar ambicien e madhe: atë të shndërrimit të vendit në një eksportuese të energjisë elektrike deri në vitin 2030. Në funksion të këtij synimi është edhe subvencionimi i vendosjes së paneleve diellorë për ngrohjen e ujit nga familjarët.
Deri më tani janë subvencionuar në masën 70% vendosja e paneleve tek 1981 familje në shkallë vendi, teksa javën e kaluar u hap thirrja e dytë për 2 mijë familje të tjera.
Objektivi për ta shndërruar Shqipërinë në një eksportuese të energjisë elektrike u shpall nga kryeministri Rama në janar, së bashku më një tjetër nismë që i shërben këtij qëllimi.
Bëhet fjalë për uljen e cmimit të energjisë me 1 lek për abonentët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kilovat orë energji në muaj. Kjo masë, së bashku me atë të subvencionimit të paneleve diellorë për ngrohjen e ujit synon që të ulë konsumin e energjisë nga familjarët, që janë edhe abonentët më të shumtë në numër në sistemin energjetik.
Shqipëria është aktualisht një vend që importon energji në një pjesë të vitit, për shkak të varësisë së madhe të prodhimit nga burimet hidrike dhe rrjedhimisht nga kushtet e motit. Për këtë arsye, po synohet edhe diversifikimi i prodhimit të energjisë, nga burime si dielli dhe era.
Aktualisht, 69.5% e energjisë elektrike në vend prodhohet nga hidrocentralet shtetërore mbi kaskadën e lumit Drin; 18.7% nga hidrocentralet privatë dhe koncensionarë dhe 11.8% nga prodhues të tjerë, si fotovoltaikët ose ndryshe, prodhimi i energjisë nga dielli.