Nga Artan Gjergji, ekspert i Ekonomisë dhe Financave
Ka vite që ekonomistët, diku me gjuhë të drunjtë e diku haptazi fare, përpiqen të ngrenë sirenat e alarmit për dështimin e politikës për të siguruar një ekonomi të qëndrushme në vend, me qëllim shkëputjen përfundimtare nga modeli ekonomik i tranzicionit. Duhet pranuar që në fillim të herës, se nuk është bërë pak në këtë drejtim, e kjo më shumë se meritë e Qeverive përkatëse, është fryt i punës madhështore të individit (kupto miliona shqiptarëve). Ata (shqiptarët), me përpjekjet e tyre për mbijetesë, kanë tërhequr para edhe rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ky fenomen në ekonomi njihet rëndom me eufemizmin “Dora e Padukshme e Adam Smithit”.
Zhvillimi i Industrisë ndër vite
Për vite me radhë ekonomia e Shqipërisë ka arritur të pluskojë mes dallgëve të kapitalizmit të ri, një doktrinë që ishte krejtësisht e panjohur për ne, e me të cilën nuk patëm shumë kohë të mësuar edhe para viteve të komunizmit (kapitalizmi i brishte 20 vjecar gjatë periudhës së Zogut).
Ndërkohë që, sistemi komunist shkëputi cdo lloj lidhjeje me sipërmarrjen e lirë e private, pasi u bazua krejtësisht në doktrinat bolshevike Marksiste-Leniniste, nëpërmjet teorive të grumbullimit të aseteve, produkteve bujqësore apo pasurive e deri tek gulakët e famshëm apo kooperativat që prodhonin gjithcka por asgjë.
Edhe ata që pretendojnë të kundërtën, harrojnë që Shqipëria mbijetoi falë “mjeshtërisë” së Enver Hoxhës për të ruajtur marrëdhëniet di(nako)plomatike me fuqitë e mëdha si Jugosllavia (deri në 1947), Rusia (deri në 1961) dhe Kina (deri në vitin 1975). Batuta e famshme e liderit rus Hrushov se “Aq grurë sa i duhet Shqipërisë, e hanë minjtë në hambarët e Rusisë” është një përmbledhje ekselente e kësaj filozofie.
Fakti që pas prishjes me Kinën Shqipëria pati probleme serioze ekonomike për sigurimin e bukës në vend, aq sa u detyrua të rracionojë (nëpërmjet tollonave) edhe ushqimet bazike, është prova më e mirë e dështimit të një sistemi të centralizuar që kurë nuk arriti të provojë veten, jo vetëm në Shqipëri, por askund dhe as sot e kësaj dite që shkruhen këto rreshta.
Nuk ishin në të njëjtën linjë vendet si-motra të Shqipërisë në Lindje (vendet e traktatit të Varshavës). E para sepse kishin histori disa shekullore si perandori/ mbretëri me kapitale e rezerva të akumuluara, si dhe me një histori të kultivuar të pronës private apo të sipërmarrjes së lirë, mbështetur nga revolucioneve industriale (përfshirë transportin) që përbëjnë bazën për zhvillimin ekonomik të vendeve. Dhe e dyta, sepse një pjesë jo e vogël e tyre trashëgonin burime natyrore fosile (naftë, gaz, hekur, qymyrguri, bakër etj.) në nivele shumë të mëdha, duke u dhënë luksin të mbijetonin në tregjet ndërkombëtare të import-eksporteve edhe me vendet kapitaliste të kohës.
Ndërkohë sipas të dhënave historike të kohës, gjatë kohës së komunizmit, Shqipëria arrinte të eksportonte vetëm produktet e bakrit dhe preshin e famshëm të fushës së Myzeqesë. Kështu, vendet e lindjes përvecse kishin kapital të akumuluar në histori, arritën që mjeshtërisht të përkthenin të ardhurat nga burimet natyrore në investime serioze në industrinë e lehtë e ushqimore (ku ishin mjaft konkurrues), por edhe në industrinë e rëndë duke filluar që nga ajo ushtarake e deri tek industria e makinerive apo pjesëve të këmbimit.
Edhe pse këto produkte nuk konkurronin dot në perëndim për nga cilësia, përsëri kishin treg mjashtueshëm në vendet e ish-Bllokut komunist.
A kishte Shqipëria Industri? A ishte ajo eficiente dhe rentabël?
E bëra gjithë këtë hyrje për të pasqyrar në mënyrë të dukshme diferencën e madhe që në fillim të viteve 90’ që Shqipëria pati me kapitalizmin e vendeve të tjera të ish-Bllokut. Edhe atë pak industri të rëndë apo të lehtë që kishim arritur të ngrinim, e kishin “dhuratë” nga vendet mike, e për rrjedhojë, jashtë mase të varur nga teknologjia ruse (që në 1960 nuk ishte rinovuar) apo tek teknologjia kineze (që në vitin 1975 e pa rinovuar). Kjo ishte arsyeja kryesore pse industria jonë nuk ishte eficiente (kishte me shumë kosto se sa sillte fitime), duke e nxjerrë atë gjithnjë e më tepër jashtë loje me kalimin e viteve deri sa dha shpirt së bashku me sistemin në fund të viteve 90’.
Cdo përpjekje e nostalgjikëve të sistemit komunist në Shqipëri për të fajësuar liderët e rinj për mbylljen e fabrikave dhe uzinave pas viteve 90’ është përvecse një mungesë totale e njohurive mbi ekonominë dhe kapitalizmin, aq edhe një dashakeqësi që vazhdon sot e kësaj dite. Industria shqiptare kishte perënduar që ne fillim të viteve 80’ si pasojë e mos investimeve në teknologji duke sjellë me shumë kosto dhe aspak eficiencë.
Punëtoria mbahej në punë më buxhetin e shtetit, i cili financohej kryesisht nga emetimi i parasë letër nga Banka e Shtetit, ndërkohë që paraja (LEK-u) nuk kishte asnjë vlerë për sa kohë në treg mungonin mallrat dhe shërbimet (eufimizmi tjetër “është bërë leku letër”, pra pa-vlerë, vjen pikërisht nga ajo kohë).
Pas viteve 90’ ekonomia shqiptare ka evoluar në mënyrë amorfe pa një model të qartë ekonomik dhe e financaur kryesisht nga kapitali i huaj (investime dhe ndihma humanitare) apo edhe nga kursimet e individëve, të cilët në shkallë të vogël mund vetëm të bënin biznese të vogla, kryesisht në fushën e shërbimeve dhe tregtisë. Asgjë nuk bë më indsutrinë, madje as privatizimet nuk u drejtuan aspak andej. U coptuan asetet e mëdha në fonderi të vogla, të cilat ngjanin me kioska dhe pa asnjë lidhje me konceptet e industrisë. Pastaj erdhi moda kapitlaizmit fallco e përtac, ku njerëzit mund të fitonin norma kthimi deri ne 300% për periudha të shkurtra, edhe pse rrinin gjithë ditën në kafe. Skemat rentiere (piramidale) na devijuan edhe njohuritë fillestare e modeste që kishim mbi kapitalizmin, duke na bërë të jetonim në një endërr të gënjeshtërt. Pastaj ndodhi 1997-a, e kjo plagë na përndjek edhe sot.
Zhvillimi pa zhvillim dhe në mëyrë amorfe i mikro-industrisë pas viteve 90’
Por a zumë mend ne nga të gjitha këto? Për fatin tonë të keq jo. Edhe pse ri-filluam nga e para, vazhduam të jemi tregtarë, të ofrojmë shërbime ne shkallë të vogël. Vazhduam të shesim cdo pronë publike per 5 lekë, privatizuam cdo aset publik me qoka e tarafe pa menduar për investitorë seriozë. Dhamë me koncesion dhe falas fare të gjithë asetet dhe burimet tona natyrore, duke mos ngulmuar që përpunimi i tyre të bëhej në Shqipëri, cka do na kishte ndihmuar të ri-ngrinim sado pak industrinë. Kështu xeherorët e bakrit nga zemra e nëntokës sonë udhëtojnë me mijëra kilometra për t’u përpunuar në Truqi apo Kinë, e për të na u rishitur si tela bakri në formën e importeve 100 fish më shtrenjtë. Apo sektori i naftës që ndjek të njëjtën llogjikë. Apo bitumi i Selenicës apo qymyrguri apo hekur-nikeli. Në cdo sektor po të kërkoni, do të gjeni të njëjtën skemë koncesionare të qepur bukur me interesa logjore-politike, që kurrë nuk mendoi për interesat interesat kombetare.
Kjo është arsyeja pse ekonomia jonë tashmë edhe pas 35 vitesh vijon të mos ketë as industri të lehtë, e as industri të rëndë. Ndërkohë që vendet e rajonit me politika shumë më të kujdesshme ia kanë arritur të mbajnë gjallë industritë e tyre të lehta (kryesisht ushqimore), por kanë vitalizuar edhe industritë e tyre të rënda ushtarake dhe ato të automobilave (përmedim Skodën ceke, Varshaven polake, Datsu-n Rumun, Zastaven serbe etj.), të cilat sot janë fabrika të markave më të madha botërore të makinave.
Shqipëria e ka humbur këtë tren me kohë. I vetmi investim ku ne jemi specializuar në mënyrë amorfe, pa një direksion, është tregtia. Por edhe aty nuk konkurrojmë dot në nivel ndërkombëtar. Jemi vetëm tregtarë të njëri tjetrit. Cdokush i shet dicka dikujt në ekonominë e brendshme dhe nuk jemi aspak konkurrencialë as ne trojet e vllerëzve tanë shqiptarë të Kosovës.
Sa i përket industrisë, vec atyre fonderive dhe punishteve të vogla të trashëguara nga procesi i copëzuar i privatizimit të veprave (gjoja) madhore të kohës së komunizmit, shumë pak është investuar në industri të mirëfilltë. Edhe nëse ka linja prodhimi të industrisë së lehtë, ato janë kryesisht në nivel të vogël dhe të fokusuara në industrinë ushqimore duke përfshirë edhe agro-përpunimin. Një pjesë tjetër që nuk ka shumë peshë specifike të madhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto (GDP) është pjesa sekuenciale e një procesi që quhet përpunim aktiv (ose sic njihet ndryshe fasoneria), e cila kryesisht fokusohet tek procese të vecanta teknologjike (psh vetëm prerja, ose vetëm qepja, ose vetëm mbushja, apo vetëm ngjitja) duke shfrytëzuar krahun e lirë të punës për partnerë të huaj. Ndërkohë që ky segment i industrisë sonë aktuale kurrë nuk arriti të jetë një proces i plotë nga A-ja tek ZH-ja (sic njihet me termin “cikël i mbyllur”). Me fjalë të tjera, nuk arriti dot kurrë të bëhej një zë i fuqishëm i sektorit prodhues në vend, edhe pse duhet pranuar roli i tij i padiskutueshëm pozitiv në punëzënie dhe në amortizimin e plagëve sociale që vijnë nga papunësia për shtresat vulnerabile të shoqërisë.
Gjithësesi, vlen të përmendet fakti që edhe pse investimet teknologjike më të mëdha në Shqipëri ngelen disa fabrika që merren me përpunimin e:
– materialeve të ndërtimit (celiku, duralumini, panele sandwhtch etj.)
– produkteve të qumështit apo
– prodhimin e pijeve alkolike dhe jo-alkolike.
Më tej në një masë më të vogël kemi punishtet e prodhimit të vajit (kryesisht vajit të ullirit) dhe tablloja mbyllet këtu. Edhe këto industri modeste në madhësi dhe industri në nivele dhe kapacitete jo shumë të mëdha, kanë shërbyer më tepër për plotësimin e nevojave të tregut të brendshëm se sa për eksport, duke pamundësuar rritjen e tyre eksponenciale ndër vite, duke mos i bërë këto industri konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Një tjetër element që vlen për t’u theksuar, është se zhvillimi amorf a pa strategji të qarta zhvillimore të ekonomisë së vendit apo politikat e gabuara fiskale kanë pamundësuar edhe ndërtimin e zinxhirëve furnizues të qëndrueshëm në ciklet e biznesit. Për rrjedhojë edhe këto industri modeste të përmendura më sipër, në pjesën më të madhe të tyre, përdorin lëndë të parë importi, duke mos krijuar vlerë të shtuar në ekonominë e vendit dhe u kthyer në një sektor thjesht qarkullues e konsumues njëlloj si tregtia.
Klithma për rrënimin gradual të Industrisë dhe pasojat
Po mirë – mund të thonë disa. Cfarë problemi na krijon mos-pasja e një industrie apo më keq akoma zhdukja e saj? Pse po bëhet aq alarmante së fundmi? Shqipërisë po i vijnë të ardhura nga shume drejtime sic janë remitancat, të ardhurat nga turizmi, të ardhurat nga shitja e pasurive të patundshme për të huajt (cuditërisht edhe Banka e Shqipërisë i konsideron investime të huaja direkt), apo pse jo edhe të ardhurat nga burime të paligjshme (një pjesë jo e vogël e shqiptarëve nuk e shohin problem origjinën e parave, sa kohë ato na mundësojnë konsum dhe investime).
Në fakt problemi është shumë herë më i madh se sa klithma e aktorëve të tregut industrial apo e ekspertëve të fushës. Daljet publike të përfaqësuesve të biznesit (ndoqa para disa ditësh një intervistë të z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë në emisionin e gazetares Aurora Sulce në A2-CNN) sa vijnë e po shtohen në lidhje me problematikat e shumta si:
– mungesa e aksesit në financë që nuk i lejon të rriten,
– konkurrenca e pandershme të bizneseve nga vendet fqinjë, të cilët mbështeten nga Qeveritë e tyre,
– barra e madhe fiskale që u shton Qeveria (rritja e dhunshme e pagës minimale si dhe niveli i barrës tatimore janë më të lartët në rajon),
– forcimi i kursit të këmbimit të LEK-ut, i cili shkatërron të ardhurat e qëndrushme të biznesit sidomos atyre që janë të fokusuar drejt eksporteve,
– mungesa përditë e më shumë e krahut të punës për shkak të valëve të reja emigratore në drejtim të perëndimit.
Të gjithë këto problematika e kanë sjellë biznesin në një rrënim total duke ia reduktuar forcën prodhuese dhe lënë në mëshirë të fatit karshi konkurrencës së produkteve të importit. Për më tepër, ikja e krahut të punës dhe rritja e kostove i ka bërë këto biznese mikro-industriale të pa-leverdisshëm në sytë e partnerëve të tyre të huaj, duke u humbur edhe kontratat afatgjata të punës që kanë pasur prej vitesh.
Bujqësia dhe Blegtoria kanë të njëjtin fat
Identik në të njëjtën situatë është edhe bujqësia dhe blegtoria. Vetëm para disa ditësh një analizë profesionale në Revistën MONITOR, ngrinte alarmin për rritjen e sasive të importit të mishit nga jashtë, sa për shkak të rritjes së konsumit në vend aq edhe për shkak të reduktimit të fermave blegtorale.
Në një tjetër emision në A2-CNN, eksperti i politikave bujqësore z. Ilir Pilku deklaronte se niveli i prodhimit blegtoral të mishit peshë e gjallë sot në vitin 2024 me një Shqipëri 2.4 milionë banore është rreth 20% më pak krahasuar me nivelin e prodhimit në vitin 1927 kur Shqipëria kishte rreth 1 milonë banorë. Po ashtu, statistikat zyrtare nga INSTAT tregojnë për një rritje të dukshme të produkteve ushqimore nga importi duke e shoqëruar edhe nga produktet bujqësore (fruta-perime).