AKADEMIK, PROF. DR. ANASTAS ANGJELI
Sistemi i pagesave në Shqipëri ka përjetuar një transformim të thellë në vitet e fundit, jo vetëm në aspektin e kuadrit ligjor dhe rregullator, por edhe nga pikëpamja e zbatimit praktik, duke u orientuar drejt modernizimit për të siguruar një infrastrukturë më të shpejtë, më të sigurt dhe gjithëpërfshirëse. Ky proces ka qenë një përgjigje ndaj nevojës për të përmbushur kërkesat e tregut global dhe standardet europiane, duke përfshirë implementimin e SEPA (Single Euro Payments Area), Open Banking dhe së fundmi nisma për fillimin e projektit për përdorimin e teknologjisë së avancuar TIPS-Clone (Target Instant Payment Settlement). Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol vendimtar, duke udhëhequr këtë transformim me një qasje të balancuar midis inovacionit teknologjik dhe rregullimit të kujdesshëm.
Te gjitha këto u kanë dhënë mundësinë individëve dhe bizneseve shqiptare të integrohen më lehtë në tregjet europiane, duke i trajtuar ata si pjesë e një ekosistemi financiar të përbashkët me BE-në. Ndryshimet e rëndësishme ligjore sigurojnë një kornizë rregullatore të përputhshme me direktivat e BE-së dhe mbështesin modernizimin e sistemit të pagesave.
Kjo gjithashtu përfshin edhe përmirësimin e ligjeve për pagesat elektronike dhe rritjen e standardeve për sigurinë kibernetike, duke garantuar një sistem të mbrojtur dhe të besueshëm për të gjithë aktorët në tregun financiar. Ky transformim gjithëpërfshirës jo vetëm që e afron Shqipërinë më shumë me standardet dhe praktikat e BE-së, por gjithashtu përmirëson ndjeshëm likuiditetin dhe menaxhimin e flukseve financiare, duke përfituar si konsumatorët, ashtu edhe bizneset dhe krijon një bazë të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik dhe përfshirjen financiare të të gjithë popullsisë.
ÇFARË ËSHTË SEPA DHE SI PO ZBATOHET NË SHQIPËRI!
SEPA (Single Euro Payments Area) është një iniciativë europiane që ka për qëllim unifikimin dhe standardizimin e pagesave në euro brenda vendeve pjesëmarrëse, duke eliminuar barrierat ndërkufitare dhe duke krijuar një treg të vetëm financiar për pagesat. Kjo nismë synon të thjeshtojë proceset financiare, të ulë kostot dhe të rrisë efikasitetin e pagesave ndërkombëtare, duke siguruar një përvojë uniforme për individët dhe bizneset. Shqipëria, në rrugën e saj për integrim europian, ka ndërmarrë hapa konkretë për të implementuar standardet SEPA në infrastrukturën e saj financiare.
Ky proces udhëhiqet nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me sektorin bankar dhe aktorë të tjerë financiarë, për të siguruar që sistemi i pagesave të jetë i harmonizuar me praktikat dhe rregulloret europiane. Implementimi i SEPA në Shqipëri sjell ndryshime të prekshme për individët dhe bizneset, duke përfshirë: Transferta ndërkufitare më të lira, përmes SEPA, kostot për kryerjen e pagesave ndërkombëtare ulen ndjeshëm, duke e bërë më të përballueshme dërgimin dhe marrjen e fondeve në euro. Kjo ndikon pozitivisht veçanërisht te bizneset që operojnë në tregje ndërkombëtare dhe individët që kryejnë transferta personale. Shpejtësi e lartë e transfertave:Koha e nevojshme për përpunimin e pagesave reduktohet ndjeshëm.
Në vend të disa ditëve pune që ishin më parë të nevojshme për transfertat ndërkufitare, SEPA siguron që pagesat të përpunohen brenda 1-2 ditësh, duke përmirësuar ndjeshëm efikasitetin e flukseve financiare. Standardizim dhe transparencë: Përdorimi i një standardi të përbashkët për pagesat në euro, si formati IBAN për llogaritë bankare dhe BIC për identifikimin e institucioneve financiare, thjeshtëzon dhe standardizon procedurat, duke e bërë procesin më të qartë dhe të parashikueshëm për të gjithë përdoruesit. Bankat në Shqipëri kanë përditësuar sistemet e tyre teknologjike dhe kanë integruar formatet ISO 20022, të cilat janë të nevojshme për përputhshmërinë me SEPA. Fushata informuese nga Banka e Shqipërisë dhe institucionet financiare do të ndihmojnë individët dhe bizneset të kuptojnë përfitimet dhe mënyrat e përdorimit të SEPA.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA është një hap i rëndësishëm drejt harmonizimit të sistemit financiar me atë të BE-së. Ky integrim ndihmon në forcimin e lidhjeve ekonomike me vendet e BE-së, duke e bërë Shqipërinë më tërheqëse për investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë. Gjithashtu, SEPA u ofron qytetarëve shqiptarë mundësinë për të përdorur një sistem pagesash të nivelit europian, duke përmirësuar përvojën e tyre financiare dhe duke ndihmuar në ndërtimin e një ekonomie më të hapur dhe konkurruese, rajonale dhe europiane.
Nëpërmjet këtij standardi, Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi financiar modern, të sigurt dhe të përshtatshëm për kërkesat e tregut global.
“OPEN BANKING”, HAPJA E MUNDËSIVE TË REJA!
“Open Banking” sjell një transformim të thellë në mënyrën se si individët dhe bizneset menaxhojnë financat e tyre, duke hapur rrugën për shërbime më të avancuara dhe më të personalizuara. Ky koncept, i ndërtuar mbi direktivat europiane për shërbimet e pagesave (PSD2), synon të krijojë një ekosistem financiar më të hapur, duke lejuar ndarjen e sigurt të të dhënave financiare midis bankave dhe palëve të treta të autorizuara.
Në Shqipëri, “Open Banking” është bërë i mundur falë përpjekjeve të koordinuara të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve financiare për të përditësuar infrastrukturën teknologjike dhe kuadrit ligjor.
Përfitimet e “Open Banking” konsistojnë në shërbime më të avancuara dhe të personalizuara përmes aplikacioneve dhe platformave të reja. Klientët mund të menaxhojnë më lehtë financat e tyre, të krahasojnë produkte financiare dhe të marrin vendime më të informuara për investimet dhe kursimet. Hapja e sistemit bankar ka nxitur futjen e aktorëve të rinj në treg, si kompanitë “fintech”, të cilat ofrojnë shërbime inovative, që konkurrojnë me ato tradicionale, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për konsumatorët në formën e kostove më të ulëta dhe opsioneve më të mira.
“Open Banking” ndikon edhe në zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe krijon një mjedis ku bizneset e vogla dhe të mesme mund të zhvillojnë aplikacione të reja dhe shërbime të personalizuara, duke nxitur zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Teknologjitë si API-të (Application Programming Interfaces) janë shtylla kryesore e “Open Banking”, duke mundësuar ndarjen e të dhënave në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë. Për të garantuar sigurinë, Banka e Shqipërisë ka përcaktuar standarde të larta për autentikimin dhe enkriptimin e të dhënave, duke siguruar që vetëm palët e autorizuara të kenë akses dhe duke mbrojtur përdoruesit nga abuzimet ose sulmet kibernetike.
Adoptimi i “Open Banking” në Shqipëri e afron vendin më shumë me praktikat e Bashkimit Europian (BE) duke harmonizuar sistemin financiar me standardet ndërkombëtare. Kjo jo vetëm që ndihmon në përmbushjen e kritereve të integrimit europian, por gjithashtu krijon një treg financiar më të hapur, më inovativ dhe më të sigurt, në përputhje me kërkesat e konsumatorëve dhe biznesit modern. “Open Banking” nuk është thjesht një reformë teknologjike, por një hap drejt ndërtimit të një ekosistemi financiar të përqendruar te përdoruesi, i aftë për të përballuar sfidat e së ardhmes dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit.
TIPS-CLONE (Target Instant Payment Settlement) – KUSHT PËR INTEGRIMIN RAJONAL DHE EUROPIAN DHE MODERNIZIMIN E PAGESAVE
Modernizimi i sistemit të pagesave është një hap thelbësor drejt përmbushjes së kritereve për integrimin në Bashkimin Evropian (BE). Në këtë kontekst, krijimi i një sistemi TIPS-Clone (Target Instant Payment Settlement) përfaqëson një iniciativë strategjike për të përmirësuar infrastrukturën financiare të vendit dhe për ta përshtatur atë me standardet e BE-së. Ky sistem do të lejojë njerëzit dhe kompanitë në Europë të transferojnë euro brenda disa sekondave. Sistemi “klon” i TIPS është një përshtatje teknike e TIPS, që ofron shërbime të pagesave të menjëhershme për tregun shqiptar dhe potencialisht për gjithë vendet e rajonit. Këtij qëllimi i shërbeu nënshkrimi i marrëveshjes paraprake për fillimin e punës për këtë projekt nga Banka e Shqipërisë me Bankën Qendrore të Italisë, e cila është operatori teknik i TIPS dhe që i janë bashkuar dhe bankat qendrore te vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën.
RËNDËSIA E TIPS-CLONE PËR SHQIPËRINË
Sistemi TIPS-Clone ofron një platformë për pagesa të menjëhershme (instant payment), që plotëson kërkesat e SEPA-s. Ky sistem jo vetëm që rrit efikasitetin dhe sigurinë në transaksionet financiare, por gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në harmonizimin e rregullave dhe teknologjisë së Shqipërisë me ato të BE-së. Duke u bazuar në infrastrukturën e TIPS të operuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), Shqipëria mund të ofrojë një model të përshtatshëm për integrimin rajonal. Karakteristikat kryesore të TIPS Clone janë si pagesa të menjëhershme, 24/7, ku sistemi mundëson transferta brenda më pak se 10 sekonda, duke operuar në mënyrë të pandërprerë gjatë gjithë vitit.
TIPS-Clone është projektuar për të qenë kompatibël me sistemet financiare aktuale, duke lehtësuar kalimin drejt një infrastrukture moderne. Përputhshmëria me BE-në: ky sistem është në përputhje me rregullat dhe standardet e SEPA-s, duke e përgatitur Shqipërinë për anëtarësim në zonën evropiane të pagesave. TIPS-Clone nuk është vetëm një zgjidhje teknike, por edhe një instrument për integrimin rajonal dhe evropian. Ky sistem do të lehtësojë pagesat ndërkufitare, duke krijuar një infrastrukturë të përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për më tepër, zbatimi i tij do të ndihmojë në digjitalizimin e ekonomisë, reduktimin e përdorimit të parasë së gatshme dhe nxitjen e transparencës financiare. TIPS-Clone përfaqëson një hap të rëndësishëm për Shqipërinë në drejtim të modernizimit të sistemit financiar dhe plotësimit të kritereve të BE-së. Si një projekt strategjik, ai jo vetëm që përmirëson shërbimet financiare brenda vendit, por gjithashtu kontribuon në integrimin ekonomik rajonal dhe në përgatitjen për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
PËRFITIMET KRYESORE TË MODERNIZIMIT TË SISTEMIT TË PAGESAVE NË SHQIPËRI
Modernizimi i sistemit të pagesave ka krijuar mundësi të reja për zhvillimin e platformave teknologjike që ofrojnë shërbime financiare më të shpejta dhe më të personalizuara për konsumatorët. Me rritjen e përdorimit të këtyre platformave, qytetarët dhe bizneset mund të përfitojnë nga komoditeti dhe lehtësia e kryerjes së transaksioneve financiare, duke ulur nevojën për ndërmjetësues dhe duke reduktuar kohën dhe koston e kryerjes së pagesave.
Një nga përfitimet më të mëdha të modernizimit të pagesave është rritja e sigurisë dhe transparencës në transaksionet financiare. Teknologjitë si “Open Banking” sigurojnë një ndarje të sigurt të të dhënave financiare vetëm me pëlqimin e përdoruesve, duke mundësuar që individët dhe bizneset të kenë kontroll të plotë mbi të dhënat e tyre. Siguria e lartë e të dhënave dhe mbrojtja nga sulmet kibernetike janë çështje kyçe, që kontribuojnë në ndërtimin e një mjedisi financiar të besueshëm.
Modernizimi i sistemit të pagesave ka hapur mundësi të reja për aktorë të rinj në treg, përfshirë fintech-inovatorët, që ofrojnë zgjidhje të reja financiare. Kjo ka kontribuar në krijimin e një tregu më dinamik dhe konkurrues, ku bankat dhe institucionet financiare tradicionale kanë rritur cilësinë dhe diversifikimin e shërbimeve që ofrojnë. Konsumatorët përfitojnë nga kjo konkurrencë, duke pasur mundësi të zgjedhin shërbime më të mira dhe më të lira.
Individët gjithashtu përfitojnë nga mundësia për të kryer pagesa të menjëhershme për nevojat e tyre të përditshme, si pagesa për shërbime, produkte “online” dhe për nevoja emergjente. Kjo eliminon vonesat dhe ofron mundësi të lira për të kryer transaksione që janë më të sigurta dhe më të shpejta se metodat tradicionale të pagesave.
Implementimi i këtyre teknologjive ka krijuar një ekosistem më të përshtatshëm dhe të avancuar për individët dhe bizneset në Shqipëri, duke siguruar më shumë mundësi, më shumë efikasitet dhe më shumë siguri. Rritja e konkurrencës, modernizimi i shërbimeve dhe integrimi i teknologjive të reja janë hapa thelbësorë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për afrim me standardet europiane. Këto ndryshime janë të nevojshme për të mbështetur një sistem financiar të qëndrueshëm dhe inovativ në Shqipëri.