Zhvillimet e shpejta në Siri kanë qenë në qendër të lajmeve të orëve të fundit, ku pallati presidencial i të rrëzuarit Bashar al-Assad është bërë shënjestër e grabitjeve dhe dhjetëra sirianë kanë mësyrë brenda tij.
Banorët që hynë brenda pallatit presidencial në Damask postuan edhe video në rrjetet sociale, ku bie në sy se një sallë banketi është djegur deri në themel, ndërsa një pikturë e Asadit shihet e shtrirë në dysheme.
Mes këtij kaosi politik, një video tjetër që po bën xhiron e rrjetit tregon koleksionin e pasur të makinave luksoze të presidentit të rrëzuar sirian.
Në garazhin e pallatit presidencial në Damask janë gjetur makina të tipit Rolls-Royce Phantom, Lamborghini, Bentley, Aston Martin DB7, disa Ferrari përfshirë F50, F430 dhe 355 F1 GTS, disa BMW, Mercedes-Benz SLS AMG dhe Audi R8.
Më shumë se 40 automjete luksoze janë filmuar në këtë magazinë të madhe në Damaskun perëndimor, në veri të lagjes Al-Mazzeh, ku surpriza më e madhe është prania e Toyota Land Cruisers dhe një Hilux.
Vlera totale e tyre llogaritet rreth 6.5 milionë euro dhe kjo ka të bëjë vetëm me atë që ka dalë në dritë, pasi pasuria e Asadit është shumë heërë më e madhe. Megjithatë, makina më e shtrenjtë e Bashar al-Assad-it është deri tani Ferrari F50 , vlera e të cilit është rreth 3 milionë euro.
Një tjetër video e filmuar nga njerëz që ecin nëpër garazh tregon të njëjtin koleksion makinash dhe bie në sy se të paktën një nga automjetet mban targa të Damaskut.
Përballë një ofensive çuditërisht të shpejtë rebele, Assad dhe familja e tij ia mbathën për në Moskë dhe iu dha azil politik nga Vladimir Putin.
Ndërkohë, shumë nga pasuritë e tij u sekuestruan nga rebelët dhe protestuesit.