Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Ëeber, shefe e Misionit për Shqipërinë. Gjatë takimit u diskutua për ecurinë e ekonomisë dhe një ndër cështjet në fokus ka qenë edhe ecuria e kursit të këmbimit, karakterizuar nga zhvlerësimi i fortë i euros.
Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar nënvizuan rolin pozitiv që ka pasur regjimi i lirë i kursit të këmbimit në amortizimin e goditjeve dhe theksuan nevojën e vijimit të tij në të ardhmen.
Diskutimet u fokusuan edhe mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe perspektivën e tyre për të ardhmen; politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë me synim garantimin e stabilitetit të çmimeve; si dhe masat e marra për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit të sektorit bankar dhe stabilitetit financiar të vendit.
Fillimisht, Guvernatori Sejko i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet më të fundit në ekonominë vendase, ku theksoi se treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj, janë në një trend pozitiv zhvillimi. Referuar të dhënave më të fundit nga INSTAT-i, ekonomia shqiptare ka pasur një rritje prej 4% gjatë gjysmës së dytë të vitit. Kjo rritje i atribuohet kryesisht bilanceve të shëndosha financiare të bizneseve dhe familjeve, ambientit stimulues financiar, si dhe rritjes së të ardhurave.
Gjithashtu, Guvernatori theksoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë e financiarë të vendit, ku normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka bërë të mundur reduktimin e presioneve inflacioniste.
Duke u ndalur në ecurinë e sektorit bankar, Guvernatori u shpreh se kredia për sektorin privat ka vijuar të shënojë ritme pozitive rritjeje, gjatë tremujorit të tretë të vitit, dhe rritja vjetore e saj ishte në nivelin 16.8%, ku kryeson kreditimi në monedhën vendase. Një tregues i rëndësishëm i shëndetit të sektorit bankar është dhe ulja e nivelit të kredive me probleme, në 4.58%, në muajin shtator.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko vuri theksin dhe në sfidat me të cilat përballet ekonomia vendase. Në këtë kuadër, ai nënvizoi rëndësinë e ndjekjes së politikave të kujdesshme e të koordinuara monetare, fiskale e financiare.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar shprehën vlerësimin për politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe për kontributin e rëndësishëm të saj në stabilitetin monetar e financiar.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në kuadër të misioneve të FMN-së, asistencës teknike dhe më gjerë.