Sektori i ullirit në vendin tonë, si pjesë e mesdheut, ka një traditë të lashtë dhe me rëndësi të madhe socio-ekonomike, të lidhur fort me punësimin dhe me zhvillimin rural në përgjithësi. Sipas të dhënave të “Ministrisë së Bujqësisë”, zona e kultivimit të ullirit në Shqipëri shtrihet në rajonin bregdetar perëndimor, i cili përfaqëson 36.2% të territorit të vendit dhe ku jeton rreth 60% e popullsisë. Rreth një e treta e fermerëve në vend i dedikohen pikërisht kultivvimit të ullirit.
“Scan Intel”, nisur nga të dhënat zyrtare, ka bërë një analizë të zgjeruar të prodhimit të ullinjvë në vendin tonë. Nga viti 1991 deri në vitin 1994, prodhimi i ullirit në Shqipëri ka pasur luhatje, por pas vitit 1995, numri i bimëve të ullirit, sipërfaqja dhe prodhimi u rritën në mënyrë të vazhdueshme.
Shifrat mbi prodhimin e ullinjve nga INSTAT nisin me vitin 2006 dhe përfundojnë me vitin 2023. Të dhënat bëjnë me dije se prodhimi i ullirit ka ardhur në rritje nga viti në vit, por viti 2022 duket se mban rekord. Gjatë këtij viti u prodhuan rreth 157.7 mijë tonë ullinj me një sipërfaqe kultivimi që vlerësohet në 54.6 mijë hektarë.
Në vitin 2023 sipërfaqja gjithsej vlerësohej në 54.9 mijë hektarë, ndërsa sipërfaqja në prodhim vlerësohej në 50.4 mijë hektarë.
Duhet të mbajmë në konsideratë se grupet kryesore të drufrutorëve të kultivuara në vendin tonë janë pemët frutore, ulliri, agrumet dhe rrushi. Në vitin 2022, sipërfaqja gjithsej e drufrutorëve është 88.2 mijë ha. Pjesën më të madhe të sipërfaqes së drufrutorëve për vitin 2022 e zë ulliri me 62.0%, ose zë rreth 9% të tokës bujqësore.
Pas vitit 2022, si viti me prodhimtari më të lartë renditet viti 2020 me 132 mijë tonë prodhim. Që nga viti 2006-të kur prodhoheshin rreth 40 mijë tonë ullinj dhe deri në vitin 2023 kur u prodhuan rreth 117 mijë tonë ullinj, prodhimi është rritur me afërsisht 77 mijë tonë.
Nëse i referohemi rendimentit ndër vite, shifrat tregojnë se varion nga 12 kg për rrënjë, deri në 22 kg për rrënjë. Të dhënta nga INSTAT, të analizuara nga “Scan Intel” tregojnë se viti 2012 ka patur edhe rendimentin më të lartë me 22.4 kg për rrënjë, pasuar nga viti 2022 me 17.2 kg për rrënjë.
Por sa vaj ulliri u prodhua në pesë vitet e fundit?
Në vitin 2019-të dhe 2020 prodhimi i vajit të ullirit u vlerësua në rreth 20 mijë tonë, ndërkohë në vitin 2022 dhe 2023 kjo shifër arriti në rreth 29.2 mijë tonë dhe 28.3 mijë tonë përkatësisht. Edhe sa i përket këtij treguesi shohim se viti 2022 mban rekord për shkak edhe të prodhimit më të lartë të ullinjve. Pra, kjo përfaqëson një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitet e mëparshme dhe është afërsisht tre herë më e lartë se prodhimi para 20 vitesh. Megjithatë, të dhënat thonë se në vitin 2023 u prodhuan rreth 40 mijë tonë më pak se një vit më parë./TV Scan