Përkeqësohet situata e sigurisë rrugore në vend. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në shtator u shënuan 142 aksidente rrugore, një rritje prej 52.7%, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, ku u raportuan 93 aksidente. Ky shtim i rasteve ka sjellë një rritje të ndjeshme në numrin e viktimave dhe të plagosurve, i cili ka shkuar nga 122 persona në shtator 2023 në 195 persona në shtator 2024. Ndërkohë, që për periudhën 9 mujore, janar-shtator 2024, numri i aksidenteve ka arritur në 1,228, me rritje 42.3% krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se shkaktarët kryesorë të aksidenteve janë drejtuesit e mjetit, sjellja e të cilëve ka shkaktuar 94.4% të aksidenteve, ndërsa sjellja e këmbësorëve ka ndikim më të ulët. Shifrat tregojnë se në 26% të aksidenteve të ndodhura në muajin shtator shkaktarë ishin shoferët e moshave 25-34 vjeç.
Përsa i përket përhapjes gjeografike, disa qarqe janë më të ekspozuar ndaj riskut të kryerjes së aksidenteve. Qarku i Tiranës zë vendin e parë me 47 aksidente të shkaktuara në shtator 2024, ndërsa në 9 muaj në Tiranë janë regjistruar 402 aksidente me 688 viktima. Ndërkohë, qarku ai i Lezhës dhe i Durrësit zënë vendin e dytë dhe të tretë, respektivisht, me numrin më të madh të aksidenteve dhe viktimave.