NGA AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI
Edhe pse në distancë mijëra kilometra larg, ndërsa FMN dhe Banka Botërore ishin mbledhur në takimin vjetor të tyre për të analizuar zhvillimet ekonomisë globale dhe perspektivat e sfidat e vitit të ardhshëm, në Kazan të Rusisë, në të njëjtën kohë, 22-24 tetor, zhvilloi punimet BRICS, pikërisht në më pak se dy javë nga zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Vendeve të reja që zgjeruan dhe tentojnë ta zgjerojnë grupin themelues të BRICS-it (të përbërë nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut ) u mundua të tregojë në këtë takim të fundit se struktura aktuale e institucionale ndërkombëtare nuk ka sjellë paqe dhe pasuri për të gjithë në botë edhe pse nuk e argumentuan dot atë. E gjithë kjo, në një kohë kur kemi kthimin gradual në blloqet kundërshtare ka dy këndvështrime.
Nga njëra anë, ka një botë që shihet nga Kazani, kryeqyteti i Tatarstanit Rus dhe një nga Uashingtoni i G7-tës dhe më gjerë. Të parët që kërkojnë krijimin e një statusi të ri ekonomiko-politik dhe të dytët që përpiqen të ruajnë statusin aktual ekonomik dhe politik në arenën ndërkombëtare. Me një Këshill të Sigurimit të OKB-së të bllokuar nga vetoja e disa vendeve të G7 që shihet gjithnjë e më shumë vetëm si një klub perëndimor, Vladimir Putin synoi që në takimin e fundit të BRICS-it në Kazan të dalë nga izolimi dhe të rimarrë prezencën politike dhe me pak ekonomike të vendit të tij në këtë bllok.
Kështu përveç faktit që u mundua të krijojë përshtypjen se po drejton një grupim i ekonomive të vendeve në zhvillim, të cilat tani përfaqësojnë 45% të popullsisë dhe mbi një të tretën e pasurisë globale, ai po mundohej të krijojë dhe një kundërpeshë gjithnjë e më e fortë antagoniste me Perëndimin. Nga ky këndvështrim, zgjerimi i BRICSsit me Egjiptin, Etiopinë, Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe me Arabinë Saudite në “dhomën e pritjes”, tregon tashmë zgjerimin e këtij organizmi dhe u shit si fundi i izolimit rus në botë.
Jo më kot ishin të ftuar në këtë takim edhe një duzinë liderësh ku dallonin presidenti i Iranit dhe presidentin turk Erdogan, anëtar i parë i një vendi të NATO-s.
Lind pyetja: brenda këtij grupimi, paraqitja e një bashkëpunimi më të madh ekonomik dhe politik midis një grupi që përfshin rivalë si Kina dhe India, apo vende me marrëdhënie të ndërlikuara si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irani, a është i mundur? Duket se kjo është e ndërlikuar dhe disi ndryshe dhe jo e lehtë. Dhe ja sepse: Ajo që ka rëndësi tashti për tashti në analizën botërore të kësaj veprimtarie nga mediat botërore, është të ndriçohet alternativa.
Duhej të vërtetonin se, siç është theksuar nga shumë shtete pjesëmarrëse, infrastruktura aktuale institucionale e dominuar nga Perëndimi nuk ka sjellë paqe dhe pasuri për të gjithë. Kjo ishte teza kryesore e këtij takimi dhe që duhet të mbrohej nga të gjithë pjesëmarrësit.
CILAT ISHIN VENDIMET KRYESORE EKONOMIKE?
Në takimin e fundit të BRICS, të mbajtur nga 22 deri më 24 tetor 2024 në Kazan të Rusisë, liderët e vendeve anëtare diskutuan disa tema kryesore. Një nga objektivat kryesore ishte forcimi i multilateralizmit për një zhvillim më të barabartë global, në përputhje me moton e presidencës ruse.
Gjatë samitit u theksua rëndësia e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe financiar ndërmjet anëtarëve, me vëmendje të veçantë zgjerimin e përdorimit të monedhave kombëtare në tregtinë ndërkombëtare, sigurinë ushqimore dhe energjetike dhe promovimin e inovacioneve teknologjike. Problemi i unionit monetar dhe Bankës së BRICSsit solli në sipërfaqe këto elementë kryesore:
U vendos që të rritet përdorimi i monedhave kombëtare në transaksionet e biznesit ndërmjet anëtarëve për të reduktuar varësinë nga dollari amerikan dhe euro. Në fokus ishte zgjerimi i përdorimit të monedhave vendase për tregtinë ndërkombëtare midis vendeve anëtare.
Ky veprim synon të zvogëlojë varësinë nga dollari amerikan, me përpjekjet për të krijuar një sistem të pavarur pagesash BRICS dhe për të promovuar monedhat kombëtare në transaksionet financiare. Sistemi i propozuar do të lehtësonte tregtinë më të qetë dhe do të reduktonte cënueshmërinë ndaj sanksioneve perëndimore, veçanërisht për anëtarët si Rusia dhe Kina.
Nga ana tjetër do të krijonte premisat e integrimit të të gjitha vendeve pjesëmarrëse në një treg unit ku vlera e monedhës lokale shndërrohet në mjet pagese ndërkombëtare brenda BRICS-it. Për të realizuar këtë u hodh ideja nga Kina që të krijohej një platformë ndërkombëtare nga të gjitha shtetet jo vetëm për të lehtësuar pagesat me monedhë vendase, por edhe për të ulur shumë kostot e pagesave në funksion të konkurrencialitetit.
Mbeti si një projekt me afat gjatë krijimi i një monedhe të përbashkët në konceptin e euros, sepse, para se të arrinin në këtë stad vendet pjesëmarrëse iu duhej një rakordim i sistemeve fiskale, politikave ekonomike dhe mbi të gjitha i një procesi gradual i shkrirjes së monedhave kombëtare ne një shportë monedhash të unionit siç ishte dikur gjarpri monetar në BE.
Diskutimet në rang specialistësh çuan në vendimin politik të krijimit të platformës së pagesave ndërkombëtare dhe më vonë në një monedhe digjitale që do të ekuivalentonte të gjitha monedhat lokale. Pyetjes se kush do të garantonte flukset e pa dëshiruara të monedhave lokale dhe kurset e tyre përgjigja ishte Banka e BRICS-it (NDB) që do të krijonte fonde të reja për të luajtur rolin e FMN-se për vende të veçanta.
Banka BRICS, e njohur zyrtarisht si Banka e Re për Zhvillim (NDB), mund të luante një rol të rëndësishëm në reduktimin e luhatjeve të kursit të këmbimit midis vendeve anëtare të bllokut. Një nga qëllimet e saj është të promovojë një stabilitet më të madh financiar midis anëtarëve duke financuar projekte në monedha vendase, në vend të dollarëve ose eurove, gjë që do të reduktonte ekspozimin e vendeve ndaj luhatjeve të dollarit amerikan. Disa nga mënyrat se si Banka BRICS mund të ndihmojë në zbutjen e luhatjeve të kursit të këmbimit përfshijnë:
• Financimi në monedhën vendase: BZHK synon të rrisë përdorimin e monedhave kombëtare në kreditimin dhe financimin e projekteve të infrastrukturës. Kjo zvogëlon nevojën për konvertim në valuta të huaja, duke kufizuar ndikimin e luhatjeve të monedhës ndërkombëtare në ekonomitë vendase.
• Krijimi i rezervave të përbashkëta valutore: Një propozim tjetër është krijimi i mundshëm i rezervave të përbashkëta valutore ose mekanizmave të brendshëm të pastrimit midis vendeve të BRICS për të stabilizuar transaksionet tregtare. Ky mekanizëm mund të veprojë si një “amortizues” për të absorbuar goditjet e tregut, duke reduktuar luhatshmërinë e lidhur me kurset e këmbimit.
• Blloku ka diskutuar krijimin e platformave të pagesave që lehtësojnë tregtinë midis vendeve të BRICS pa pasur nevojë të kalojnë monedhat kryesore si dollari. Kjo mund të mbrojë ekonomitë anëtare nga ndryshimet e papritura në tregjet financiare globale, duke kontribuar në stabilitetin e monedhës Në përmbledhje, Banka BRICS mund të luajë një rol vendimtar në promovimin e autonomisë më të madhe financiare për anëtarët, duke reduktuar varësinë nga luhatjet e kursit të këmbimit dhe duke rritur elasticitetin ekonomik të vendeve të bllokut.
• Roli i Bankës së Re për Zhvillim (NDB), i quajtur shpesh “Banka BRICS” në zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre vendeve. Në Samitit të BRICS të tetorit 2024 u diskutua gjatë për rolin e NDB në zhvillimin e qëndrueshëm. Ky institucion pa si një element thelbësor për financimin e projekteve të zhvillimit në vendet anëtare dhe anëtarët e rinj, veçanërisht për të përmirësuar infrastrukturën dhe inovacionin teknologjik.
Në këtë kontekst, është folur për forcimin e kapitalit të bankës dhe zgjerimin e operacioneve të saj duke përfshirë financimin direkt me monedhat vendase, duke u përafruar me shtytjen e përgjithshme të BRICS objektivin për uljes së varësisë të vendeve pjesëmarrëse.
NDB po luan, gjithashtu, një rol të rëndësishëm për të mbështetur projektet në lidhje me energjinë e rinovueshme dhe zhvillimin e qëndrueshëm, të cilat kanë qenë tema diskutimi midis liderëve. Këto hapa pasqyrojnë qëllimin më të gjerë të BRICS për të riformuar qeverisjen ekonomike globale duke krijuar alternativa ndaj institucioneve dhe sistemeve financiare të dominuara nga perëndimi.
Elementi i tretë ekonomik që u diskutua në mbledhjen e fundit të BRICS ishte zhvillimi ekonomik rajonal. Për të përforcuar rolin e jugut në tregtinë botërore Kina u mundua të krijojë një treg rajonal brenda BRICS-it pa barriera për të rritur si shkëmbimet tregtare midis anëtarëve, por edhe lëvizjen e kapitaleve. Kjo ndeshi deri diku mosaprovimin e Indisë që kërkonte ripozicionimin e saj jo vetëm vendeve të BRICS-it, por edhe në tregun global botëror. Raportet e këtij organizmi me OBT-në mbeten ende të pa diskutuara aq sa duhet dhe ju lanë pjesës së diskutimeve teknike për të realizuar një relacion informativ për mbledhjen e ardhshme.
REAGIMET POLITIKE
Ky takim i vendeve të BRICS-it u konsideruar nga Putin në fjalën e mbylljes si eventi më i madh politik i vitit. Vladimir Putin, pasi kritikoi bombardimet izraelite të Gazës dhe Libanit, tha se Moska “gjithmonë ka kundërshtuar dhe kundërshtuar çdo veprim terrorist” dhe vazhdoi se “Situata në Lindjen e Mesme është përkeqësuar në mënyrë drastike dhe e vendos rajonin në prag të një lufte gjithëpërfshirëse”.
“Armiqësitë, të cilat filluan në Gaza një vit më parë, janë përhapur në Liban dhe kanë prekur vende të tjera të rajonit, ndërsa konflikti midis Izraelit dhe Iranit është rritur në mënyrë dramatike. E gjithë kjo i ngjan një reaksioni zinxhir dhe e vë në rrezik gjithë Lindjen e Mesme.
Në prag të luftës gjithëpërfshirëse”, tha Putin, “Korrigjimi i padrejtësisë historike kundër popullit palestinez mund të garantojë paqen. Al Sisi theksoi se duhet të parandalojnë përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa Xi Jinping përsëritën nevojën për të parandaluar përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme. Gjatë takimit palët diskutuan për zhvillimet e fundit në skenën ndërkombëtare.
Së fundi Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u ka bërë thirrje anëtarëve të Brics të mbështesin Turqinë në një iniciativë të paraqitur nga Ankaraja në Kombet e Bashkuara “për të ndaluar shitjet e armëve në Izrael”. Udhëheqësi turk përsëriti se “Izraeli po i vë zjarrin të gjithë rajonit, vazhdon me qëndrimin e tij agresiv dhe palestinezët janë subjekt i gjenocidit në Gaza”. Erdogan më pas ftoi “vendet që nuk e kanë njohur Palestinën të ndërmarrin një hap në këtë.
KOMENTET DHE QËNDRIMET E SHBA DHE BE PËR SAMITIN E BRICS
Gjatë takimit të fundit të BRICS, Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi ndaj përpjekjeve për dedollarizimin e vendeve anëtare të këtij forumi, të cilat po punojnë për krijimin e një monedhe të re për të reduktuar varësinë nga dollari amerikan.
Departamenti tha se Shtetet e Bashkuara nuk u kërkojnë aleatëve të tyre të zgjedhin midis Amerikës dhe vendeve të tjera, duke argumentuar se ajo ofron përfitime, por ofron vlera nëpërmjet qeverisjes demokratike dhe respektimit të të drejtave të njeriut, vlera që sipas saj, shumë anëtarë të BRICS nuk i ndajnë plotësisht. Megjithatë, analistët perëndimorë argumentojnë se një bashkim monetar midis BRICS është ende larg dhe nuk ka gjasa të arrihet në afat të shkurtër, për shkak të dallimeve të brendshme midis anëtarëve të grupit.
Ndërsa shumë vende në Jugun Global janë të tërhequr nga ideja e një rendi financiar më të barabartë, Shtetet e Bashkuara e shohin këtë iniciativë si një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj ndikimit të saj ekonomik global, veçanërisht në një kohë kur po përballet me antagonizmin në rritje nga Rusia dhe Kina.
Për më tepër, Shtetet e Bashkuara kritikojnë, gjithashtu, pozicionin e paqartë të BRICS ndaj konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, duke e akuzuar disa shtete se nuk ka marrë një qëndrim të fortë kundër agresionit rus dhe në një farë mënyre nuk e mbështesin qeverinë izraelite në konfliktin me Hamasin, duke komplikuar më tej marrëdhëniet gjeopolitike midis blloqeve. Për Komisionin Europian dhe vendet e BE samiti i Brics ishte një dështim total.
”Ne morëm parasysh deklaratën e Kazanit, dhe mund të përsërisim vetëm se samiti i Brics ishte një përpjekje tjetër e Putinit për të shpërdoruar presidencën e radhës dhe për të dalë nga izolimi ndërkombëtar”. Pasi pamë deklaratën finale nënvizojmë me forcë se “nuk kishte asnjë qëndrim të unifikuar për agresionin kundër Ukrainës, por vetëm një referencë ndaj pozicioneve kombëtare të vendeve individuale”.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha në mbyllje të takimit se: “kjo tregon se përpjekja” e Moskës” për të fituar mbështetje ka dështuar përsëri” dhe “se ky takim jep një shembull tjetër të izolimit të saj ndërkombëtar”. Zëdhënësi shtoi se BE-ja nuk ndihet e prekur nga referimi i sanksioneve në deklaratën e Kazanit.
“Sanksionet tona shpjegoi ai janë një vendim ligjor, në përputhje me ligjin e BE-së dhe vendosen vetëm në rastet kur ka dëshmi të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe ligjeve ndërkombëtare. Prandaj ato nuk vendosen kurrë ndaj njerëzve, vendeve apo subjekteve që nuk e bëjnë këtë. Ka pak vende të BRICS që janë subjekt i sanksioneve të BE-së për arsye shumë të vlefshme dhe të justifikuara ligjërisht.” Reagimet e shtypit ndërkombëtar ndaj samitit të BRICS 2024 nxjerrin në pah optimizmin dhe skepticizmin për rolin e tij të ardhshëm në riformimin e gjeopolitikës globale.
Mbështetësit e BRICS, veçanërisht në vendet në zhvillim, e shohin zgjerimin e bllokut si një hap pozitiv drejt krijimit të një botë shumëpolare, duke reduktuar dominimin e fuqive perëndimore dhe duke i dhënë një zë më të fortë Jugut Global.
Ekonomitë e BRICS tani përfaqësojnë gati gjysmën e popullsisë së botës dhe po shtyjnë gjithnjë e më shumë për alternativa ndaj sistemeve financiare të dominuara nga SHBA, siç është përdorimi i monedhave lokale në tregti, i cili ka qenë një trend në rritje që nga viti 2022. Kjo është motivuar më tej nga sanksione ndaj Rusisë dhe anëtarëve të tjerë të BRICS Megjithatë, jo të gjitha këndvështrimet janë rozë.
Disa kritikë, veçanërisht në mediat perëndimore, argumentojnë se pavarësisht këtyre ambicieve, BRICS përballet me ndarje të brendshme dhe sfida në krijimin e një agjende të unifikuar. Ngurrimi i Indisë dhe Brazilit për të mbështetur plotësisht zgjerimet e mëtejshme tregon se jo të gjitha vendet anëtare janë në linjë me strategjinë.
Për më tepër, blloku është ende larg realizimit të disa prej synimeve të tij më të guximshme, si krijimi i një monedhe alternative globale për të rivalizuar dollarin amerikan. Shtypi global thekson, gjithashtu, rëndësinë në rritje të fuqive të Lindjes së Mesme dhe të largët në këtë mjedis shumëpolar. Vende si Tajlanda, Meksika dhe Algjeria, të cilat kanë shprehur interes për t’u bashkuar me BRICS, po pozicionohen midis blloqeve perëndimore dhe atyre të lidhura me BRICS, duke ruajtur autonominë strategjike në vend që të angazhohen plotësisht për secilën pale.
Të gjitha analistet perëndimore dhe mediat e pavarura ndërkombëtarë janë të mendimit se ky samit ishte një vitrinë që fshihte kontradiktat e brendshme të këtij organizmi dhe se objektivat e tij janë shumë larg realizimit.