Si mund të kuptoni nëse dikush po ju gënjen? Pyeteni veten nëse detajet e asaj që thonë kanë lidhje të drejtpërdrejtë me situatën apo jo. Kjo këshillë bazohet në një studim të ri të drejtuar nga Daniella Cash, profesore asistente në Universitetin Sam Houston në Huntsville, Teksas. Studiuesit gjithashtu zbuluan se kur njerëzit trajnohen të kushtojnë vëmendje kësaj pyetjeje, ata janë më të aftë të dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra.
Edhe pse shumë besojnë se gjuha e trupit është mënyra më e mirë për të dalluar nëse dikush po thotë të vërtetën, në të vërtetë nuk është kështu, shkruan Susan Krauss Whitbourne, Ph.D., në një postim të “Psychology Today” rreth këtij hulumtimi të ri.
“Sinjalet jo-verbale kanë kufizimet e tyre në zbulimin e një gënjeshtari,” shkruan ajo. Kjo mund të jetë lajm i mirë nëse ju duhet të kuptoni nëse dikush po gënjen gjatë një telefonate apo në një situatë ku sinjalet e zakonshme të gjuhës së trupit nuk janë të dukshme. “Kanali verbal është shansi juaj më i mirë,” shkruan Krauss Whitbourne.
Fatkeqësisht, shumica prej nesh nuk janë natyrshëm të mirë në dallimin e gënjeshtrave bazuar në atë që thuhet, sipas hulumtuesve të Universitetit Sam Houston. Ata i kërkuan subjekteve të vlerësonin një sërë deklaratash nga studentët lidhur me përfundimin e një detyre, bazuar në justifikime reale që Cash kishte dëgjuar ndër vite.
Disa justifikime ishin të shkurtra dhe të thjeshta, ndërsa të tjerët kishin shumë detaje. Pjesëmarrësit kishin më shumë gjasa të besonin një shpjegim të detajuar sesa një të thjeshtë. Për shembull, nëse dikush është vonë, ne priremi të besojmë një shpjegim si ky: “Ndodhi një aksident i rëndë në autostradën Interstate 5 dhe policia bllokoi tri korsi për më shumë se një orë.” Ne kemi më pak gjasa të besojmë dikë që thotë thjesht: “Ishte një trafik i rënduar.”
A kanë rëndësi këto detaje? Por, siç kanë treguar studimet e mëparshme, jo të gjitha shpjegimet e detajuara janë të barabarta. Një shpjegim i detajuar është më i besueshëm nëse detajet janë të lidhura drejtpërdrejt me çështjen në fjalë.
Pra, për shembull, studenti që shtoi një shpjegim se detyrat në kurs ishin të lehta për t’u kuptuar dhe se i pëlqente materiali kishte më shumë gjasa të gënjente për përfundimin e detyrës sesa një student që fliste për detajet e detyrës që kishte kryer. Kur kjo dallim u shpjegohej subjekteve eksperimentale, ata mësonin shpejt ta njohin këtë ndryshim, duke iu dhënë atyre një shans më të mirë për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra.
Herën tjetër kur do të pyesni veten nëse dikush po thotë të vërtetën, kushtojini vëmendje të veçantë informacionit specifik që ata ndajnë. Mos supozoni se, vetëm sepse dikush jep shumë detaje, ai patjetër po thotë të vërtetën. Konsideroni nëse ajo që po ju thonë është në të vërtetë informacion i rëndësishëm. Nëse po mbushin bisedën me gjëra që nuk kanë lidhje, mund të dëshironi të kontrolloni përsëri ato që thonë./inc