Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar në 3% normën bazë të interesit për lekun. Pasi ka analizuar ecurinë e ekonomisë, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë shënuar rritje, inflacioni mbetet në nivele të ulëta dhe nën kontroll, bilancet financiare të sektorit privat dhe të sektorit bankar janë të shëndetshme, tregjet financiare janë përgjithësisht të qeta dhe kushtet financiare mbeten akomoduese.
“Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë horizontit afatmesëm, ndërsa inflacioni do të kthehet pranë objektivit tonë gjatë vitit të ardhshëm. Në gjykimin e Këshillit, këto projeksione janë konsistente me kushtet aktuale monetare në ekonomi. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm”, deklaroi guvernatori Gent Sejko.
Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri pasqyrohet në nivelet e larta të shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve, si dhe në mungesat e vëna re në tregun e punës.
Rritja e kërkesës për mallra e shërbime ka sjellë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme të punësimit e të pagave në ekonominë shqiptare. Ndonëse informacioni statistikor për punësimin në tremujorin e dytë nuk është ende i disponueshëm, të dhënat administrative sugjerojnë se punësimi në sektorin privat jo-bujqësor u rrit me 1.9% në tremujorin e dytë, duke qëndruar në nivele të ngjashme me ritmet e shënuara në tremujorin e parë. Paralelisht me të, paga mesatare në sektorin privat u rrit me 6.9% në tremujorin e dytë, duke vijuar të ushtrojë presion për rritjen e kostove të prodhimit dhe të çmimeve finale të konsumit.
Nga këndvështrimi makroekonomik, zgjerimi i aktivitetit është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i konsumatorit dhe biznesit për të ardhmen, ambienti stimulues financiar, si dhe vijimi i trendit rritës të të ardhurave nga turizmi.
Në këtë kontekst, politika e kujdesshme monetare e ndjekur gjatë dy viteve të shkuara, ka rezultuar e suksesshme. Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka krijuar premisa për një balancë më të mirë të kërkesës dhe ofertës në ekonomi, si dhe ka ndihmuar në kontrollin e pritjeve për inflacionin. Gjithashtu, kujdesi që kemi treguar në reagimin e politikës monetare, ka ruajtur një ambient akomodues financiar.
Tregjet financiare vijojnë të shfaqen relativisht të qeta. Normat e interesit të depozitave, të kredive dhe të letrave me vlerë, kanë ardhur në rënie gjatë tremujorit të tretë, duke pasqyruar si reduktimin e normës bazë të interesit në muajin korrik, ashtu edhe primet e ulëta të rrezikut në tregjet tona financiare. Po ashtu, kushtet e kreditimit vijojnë të mbeten stimuluese, si në dimensionin e kostove ashtu edhe në atë të kushtëzimeve të tjera, duke ilustruar një përqasje pozitive të sektorit bankar ndaj plotësimit të nevojave për fonde të ekonomisë. Së fundi, edhe përkundrejt një rritjeje të ndjeshme të ofertës sezonale të valutës si pasojë e pikut të sezonit turistik, kursi i këmbimit ka qenë relativisht i qëndrueshëm gjatë tremujorit të tretë, duke pasqyruar – ndër të tjera – edhe një nivel më të lartë blerjesh valute nga Banka e Shqipërisë.
Kredia për sektorin privat shënoi një përshpejtim të mëtejshëm gjatë muajve korrik – gusht. Ritmi i rritjes kulmoi në nivelin 16.8% në muajin gusht, duke qëndruar në nivelet më të larta të më shumë se një dekade. Kjo kredi ka vijuar të mbulojë nevojat e biznesit dhe të familjeve shqiptare për zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të tyre, duke dhënë një kontribut në rritje në zgjerimin e aktivitetit ekonomik. Zgjerimi i kredisë vijon të mbështetet – në masën më të madhe – nga zgjerimi i portofolit të kredisë në lekë. Megjithatë, gjatë muajve të fundit është vënë re dhe një riaktivizim i kreditimit në valutë.
Parashikimet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës së brendshme dhe të huaj. Në aspektin makroekonomik, ky parashikim faktorizon ecurinë pozitive të besimit në ekonomi, bilancet e përmirësuara financiare të bizneseve dhe familjeve, si dhe kushtet stimuluese financiare në ekonomi. Zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës për mallra e shërbime pritet të shoqërohet me një rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave. Nga ana tjetër, inflacioni pritet të luhatet në kahun e poshtëm të objektivit tonë gjatë pjesës së mbetur të vitit dhe të kthehet gradualisht në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.
“Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, ne vlerësojmë se balanca e rreziqeve ndaj këtyre projeksioneve është përgjithësisht neutrale”, ka përfunduar Sejko.