Ekonomia shqiptare do të rritet këtë vit me 3.5% dhe me 3.7% vitin e ardhshëm. Është ky parashikimi që bën Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e fundit.
Në gjysmën e parë të këtij viti, ekonomia e vendit tonë shënoi një rritje me 3.6% si rezultat i të ardhurave të larta nga turizmi dhe shërbimet. Ndërkohë që prodhimi bujqësor dhe ai industrial pësoi rënie. Kjo reflektohet në shpenzimet, ku konsumi privat dhe investimet publike regjistruan rritje të fortë, por eksportet neto u tkurrën si rrjedhojë e rënies me 30% të eksporteve të mallrave, për shkak të mbiçmimit të lekut dhe rënies së kërkesës së jashtme. Si rezultat, llogaria rrjedhëse e deficitit u zgjerua, duke arritur në 7% të PBB-së, pavarësisht rritjes së flukseve hyrëse të remitancave.
BERZH nënvizon se zbatimi i mëtejshëm i reformave strukturore, të mbështetura nga Plani i Rritjes Ekonomike për Ballkanin Perëndimor mund ta nxisin më tepër rritjen ekonomike.
Në Ballkanin Perëndimor, rritja ekonomike u ngjit në 3.7% në gjysmën e parë të këtij viti, nga 2.5% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deri në fund të vitit parashikohet që rritja e ekonomisë të jetë 3.4%, ndërsa vitin e ardhshëm 3.7%.
Sipas BERZH, Kosova pritet të ketë rritjen më të lartë të lartë të ekonomisë në rajon. Konkretisht, ajo parashikohet të arrijë në 4% këtë vit dhe të ruajë këtë bilanc deri në vitin 2025. Konsumi i lartë dhe investimet e huaja direkte kontribuan në këtë rritje, ndërsa situata gjeopolitike mund të ndikojë flukset tregtare dhe disponueshmërinë e fondeve ndërkombëtare në vijim.
Nga ana tjetër, ekonomia e Serbisë dhe Malit të Zi pritet të kenë një rritje prej 3.8%, ndjekur nga Bosnje Herzegovina me 2.8% dhe Maqedonia e Veriut me rritjen më të vogël prej 2.2%. Sipas BERZH-it, investimet e reja, qëndrueshmëria fiskale dhe monetare në Serbi, si dhe rritja e konsumit në Malin e Zi kanë kontribuar në rritjet përkatëse.