Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Tashmë prej disa javësh, euro ka zbritur nën kuotën e 100 lekëve, e konsideruar si vija e kuqë. Monedha e përbashkët europiane vijon të zhvlerësohet pavarësisht përfundimisht të sezonit veror, që shoqërohej edhe me prurjet e mëdha valutore nga turistët. Një situatë që ngre natyrshëm pyetjen? Çfarë po ndodh me euron dhe me kursin e këmbimit në Shqipëri?
Monedha europiane ka pësuar një rënie të vazhdueshme, por që është përshpejtuar veçanërisht në dy vitet e fundit. Euro ka zbritur nga niveli 127.5 në vitin 2018 në 108.7 lekë vitin e kaluar dhe për të shënuar minimumin historik këtë vit. Ditën e sotme, euro është shkëmbyer me 99.3 lekë.
Rënia kaq e fortë është pasojë e shtimit të sasisë së euros në qarkullim, nga burimet formale si prurjet e turistëve, investimet e huaja dhe remitancat, por edhe nga kanalet informale. E një situatë e tillë ndikon jo pak aktivitetin ekonomik të vendit dhe financat e një pjese të mirë të qytetarëve.
Kjo pasi sot, gjysma e ekonomisë sonë është e eurozizuar. Thënë ndryshe, 50% përdorin euron si monedhë në pagesa, pavarësisht se monedha zyrtare është leku.
Por cilët janë sektorët ku euro përdoret masivisht?
Sektori financiar kryeson, ku rreth 60% e depozitave janë në monedhën europiane dhe thuajse 40% e kredive merren po në euro. Gjithashtu, edhe një pjesë e konsiderueshme e borxhit publik të vendit është në këtë valutë. Tregu i pasurive të patundshme zhvillohet i tëri në euro, si në rastin e shitjes së pronave, ashtu edhe të dhënies me qira. Turizmi gjithashtu, pjesën dërrmuese të pagesave i kryen në euro, ndërsa vitet e fundit, edhe sektori i shërbimeve po përdore euron si monedhë. Ne blejmë në dyqane në euro, e përdorim në ristorante, madje edhe në pikat e karburanteve.
Përballë një situatë të tillë dhe përdorimit masivisht të euros në ekonominë shqiptare, cilat janë risqet?
Rreziku kryesor është ekspozimi ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, ku më të goditurit kanë qenë eksportuesit dhe të gjithë ata që kanë të ardhura në euro, si familjet që marrin remitanca. Risku I dytë është mungesa e transferimit të efekteve të politikës monetare, si në rastin e krizës së inflacionit, që sapo kaluam. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë ndikojnë vetëm gjysmën e ekonomisë që operon me lekun, duke lënë jashtë çdo impakti pjesën tjetër që përdor euron.