Opinion nga Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Institutit të Bashkive
Plazhet një burim i përbashkët dhe i aksesueshëm për të gjithë.
Kryeministri deklaroi se do të rishikojë rregulloren që përcakton kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacioneve të plazhit në të gjitha zonat bregdetare.
Kryeministri u shpreh për të mos lejuar plazhe private, ashtu siç ka ndodhur deri sot, për të cilën ka pasur kritika dhe kemi bërë kritika që kur qeveria e mbrojti modelin e plazhit privat dhe mbulimin me çadra e shazllonge private çdo metër sipërfaqe ranore.
Ndarja e sipërfaqes se plazhit të lejuar në raportin 70% privat dhe 30% publik, që nuk mbeti i tillë në shumë raste, do të ndryshojë krejtësisht dhe kjo ndërhyrje është e mirëpritur.
Kjo ndarje, jo vetëm prishi shumë balancat sociale, por dhe nuk është se prodhoi ndonjë standard përsa i përket cilësisë, përveç fotografive me ngjyra nga dronët, që shumë herë dukeshin dhe të frikshme.
Aq sa kuptojmë deri tani (duhet të presim finalizimin e aktit) raporti do të shkojë në favor të publikut.
Pra, pritet që hapësirat ranore në vijën bregdetare, sezonin e ardhshëm të kenë fituar lirinë mbi përdoruesin dhe shfrytëzuesin privat të ligjshëm dhe pa ligjshëm.
Fakti që vetëm hotelet do të mbajnë sërishtë hapësira private ranore, sipas kritereve dhe në raport me numrin e dhomave është pozitiv.
Po kështu edhe fakti i thënë se bashkitë do të kenë pushtet për të menaxhuar hapësira plazhi publik për interesa publike dhe jo për qëllime biznesi është qasje e mirë.
Rikthimi i plazheve të “rilindur” në identitetin natyral dhe social ka shumë avantazhe që po i përmbledh si më poshtë.
-Përmirësohet qasja publike. Ky ndryshim siguron që plazhet mbeten të hapura për të gjithë qytetarët dhe vizitorët, pushuesit duke eliminuar kufizimet që vendosen nga plazhet private. Kjo mund të rrisë aksesin për ata që nuk mund të përballojnë çmimet e plazheve private.
-Mbrojtja e mjedisit. Ndërhyrjet e përdoruesve/pronarëve privatë në plazhe shpesh kanë qenë shkatërruese për ekosistemet natyrore pasi etja tyre për fitim të shpejtë dhe investim të vogël prevalo mbi interesin për mjedisin në afatmesem dhe afatgjtë.
-Rritja e drejtësisë sociale. Plazhet publike promovojnë një ndarje më të drejtë të resurseve natyrore, duke siguruar që këto zona nuk monopolizohen nga bizneset private që përfitojnë në kurriz të shumicës. Cilitdo duhet t’ju krijohet mundësia për të shijuar detin, rërën dhe çdo burim natyrorë.
-Aspekti ekonomik i turizmit gjithëpërfshirës.
Hapja e plazheve për të gjithë pushuesit dhe vizitorët do ta nxisë turizmin, duke tërhequr më shumë pushues, vizitorë e turistë, që kërkojnë të shijojnë bukuritë natyrore pa kosto të larta.
Kështu, mund të kemi një model më të qëndrueshëm ekonomik në të gjithë vijen bregdetare që është nën juridiksionin e 11 bashkive, të cilat duhet të përgatiten dhe konsultohen mirë mbi modelim e ri.
Rikthimi i plazheve publike do të balancojë nevojat ekonomike, sociale dhe mjedisore nga njëra anë dhe nga ana tjetër, plazhet do të jenë një burim përbashkët dhe i aksesueshëm për të gjithë.