Në botën e sotme të mediave sociale, ku influencimi duket të jetë një garë për ndjekës dhe përfitime financiare, Said Dulevic na tregon një rrugëtim ndryshe, plot sfida, por edhe arritje domethënëse.
I njohur për përmbajtjen e tij edukative dhe motivuese, ai tashmë ka kapur shifrën e mahnitshme prej 100 mijë ndjekësish në Instagram, por ky sukses nuk erdhi pa përkushtim dhe vendosmëri. Frymëzimi dhe fillimet në TikTok Saidi nisi rrugën e tij të parë në YouTube, por përkundër përpjekjeve të mëdha, nuk arriti të fitonte vëmendjen e dëshiruar. Megjithatë, në gusht të vitit 2021, një student i sugjeroi që të provonte TikTok-un, dhe pikërisht aty filloi një periudhë e re suksesi për të. Duke qenë një ndër të parët që ofronte këshilla në këtë rrjet social, ai arriti të ndërtojë një audiencë të gjerë brenda një kohe shumë të shkurtër, duke fituar mbi 100 mijë ndjekës brenda vitit të parë – të gjitha në mënyrë organike.
Rritja e shpejtë dhe organike i tregoi Saidit se ai kishte gjetur atë që audienca shqiptare kërkonte: këshilla praktike, këshilla dhe mundësi falas. Ai zbuloi një boshllëk në përmbajtje dhe e mbushi atë duke krijuar materiale që njerëzit i prisnin me entuziazëm. Megjithëse shumë mendojnë se krijimi i përmbajtjes në mediat sociale është i lehtë, Said na tregon një realitet krejt tjetër. “Eshtë e lehtë të kesh nje ide dhe ta kthesh në video, por kjo duhet bërë çdo ditë. S’ka pushime, s’ka qetësi.” Ai thekson gjithashtu se përveç prodhimit të përmbajtjes, është edhe komunikimi me ndjekësit që kërkon kohë dhe përkushtim, pasi mesazhet dhe komentet kërkojnë përgjigje, dhe nuk mund të injorohen.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i udhëtimit të Saidit është marrëdhënia e tij e veçantë me ndjekësit. Ai e konsideron përmbajtjen e tij si një mënyrë për të ndihmuar njerëzit të përmirësojnë aftësitë e tyre teknologjike, duke ofruar programe, tools dhe këshilla që mund të jenë fitimprurëse për ata që duan të zhvillohen. Për të, puna që bën është pjesë e një misioni më të madh dhe jo thjesht një formë reklamimi apo përfitimi personal.
Një nga vendimet më të guximshme që Said mori në kulmin e famës së tij ishte mbyllja e llogarisë së TikTok-ut. Ky veprim ishte i motivuar nga dëshira e tij për të qëndruar larg një platforme ku urrejtja dhe bullizmi ishin të pranishme pa filtra. Megjithatë, pas kërkesave të shumta nga ndjekësit e tij besnikë, ai vendosi të vazhdojë, duke besuar se “e keqja nuk luftohet duke hequr dorë, por me të mirë.” Ky transformim nga një influencer në një impacter është pjesë e asaj që e bën Saidin kaq të veçantë. Në vend që të fokusohet në promovimin e produkteve dhe përfitimeve financiare, ai zgjedh të ndikojë pozitivisht në shoqëri. “Një influencer reklamon produktet e bizneseve, por një impacter ndikon për mirë në shoqëri,” thotë ai.
Me këtë qasje, ai është i përkushtuar të vazhdojë rrugëtimin e tij, duke sjellë vlerë për ndjekësit dhe duke mos u ndikuar nga presionet komerciale. Ndërkohë që e ardhmja është gjithmonë e pasigurt, Said mbetet mirënjohës për atë që ka arritur deri më tani dhe është i përkushtuar të vazhdojë me të njëjtin pasion dhe përkushtim në vitet që vijnë. Mesazhi i tij për të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin hapat e tij është i qartë: “Gjeni diçka që e bëni mirë, mos kopjoni, mos xhelozoni, por punoni çdo ditë pa ndalim dhe jepni më shumë sesa merrni.”/ Business Mag