Bekim Biçaku sapo ka mbaruar studimet në fushën e teknologjisë, ndërsa ka nxjerrë në treg tashmë disa produkte, lojëra të zhvilluara prej tij. Ato tashmë po tregtohen në tregun ndërkombëtar online, ndërsa ndan me ne në një intervistë edhe planet e tij për të ardhmen.
Tre nga lojërat e tij, Flappy Fish 3D, Geometry Crash dhe Dizzy Car, kanë tejkaluar secila 10,000 shkarkime në Play Store muajin e kaluar.
Ky është një moment historik i rëndësishëm për një zhvillues dhe një motivim i fuqishëm për të vazhduar punën në projekte të reja dhe inovative. Përmes një postimi në LinkedIn ai ka falenderuar të gjithë lojtarët për mbështetjen dhe reagimet e tyre pozitive.
Cilat janë lojërat që keni zhvilluar?
Disa nga lojërat që kam zhvilluar dhe që mund të aksesohen dhe luhen nga të gjithë përfshijnë Geometry War, Flappy Fish 3D, Dizzy Car dhe Geometry Crash. Geometry War është një lojë multiplayer, dinamike me shumë ngjyra, ku lojtari kontrollon një formë gjeometrike që përballet me lojtarë të tjerë në kohë reale, ku ka mundësi të flasë ose të shkruaj me to në një arenë të mbushur me aksion.
Flappy Fish 3D është një lojë sfiduese me një peshk që fluturon përmes pengesave nënujore, duke kërkuar aftësi dhe saktësi për të mbajtur ritmin.
Dizzy Car është një lojë, ku lojtari kontrollon një makinë që rrotullohet në një pistë të lakuar, duke shmangur pengesa dhe duke mbledhur bonuse.
Geometry Crash është një lojë e shpejtë dhe emocionuese match-3, ku lojtari duhet të kombinojë 2 ose më shumë figura të ngjashme për të fituar nivelin.
Prej sa kohësh po merreni me këtë?
Kam më shumë se 3 vite që merrem me zhvillimin e lojërave, duke filluar që nga viti 2021, kur fillova studimet e mia në Shkencat Kompjuterike. Ishte një periudhë kur pandemia COVID-19 ndryshoi jetën e përditshme dhe më dha mundësinë të përqendrohem më shumë në këtë pasion.
Ku dhe nga kush po kërkohen/shkarkohen dhe blihen?
Lojërat e mia janë të disponueshme për shkarkim falas në Google Play Store, ku janë shkarkuar dhe luhen nga një audiencë ndërkombëtare, me fokus kryesor në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
A keni në plan të zhvilloni produkte të tjera, cilat janë ato?
Po, kam disa projekte të tjera në zhvillim, përfshirë një lojë edukative për mësimin e gjuhëve të programimit dhe një lojë 2D argëtuese, pothuajse në përfundim të zhvillimit, me tematikën e një lojtari që bie vazhdimisht poshtë, duke shmangur pengesa. Gjithashtu, kam disa prototipe lojërash, të cilat do të zhvillohen së shpejti.
Cili është formimi juaj? Si nisi krijimi i lojërave?
Jam diplomuar në Shkenca Kompjuterike dhe kam përvojë në zhvillimin e lojërave me Unity dhe C#. Krijimi i lojërave filloi si një pasion personal, i nxitur nga kurioziteti për të mësuar se si janë krijuar lojërat që luaja vazhdimisht dhe më pas u kthye në një karrierë profesionale.
A keni përfshirë persona të tjerë në këto projekte?
Kam punuar kryesisht i vetëm, duke përdorur softuerë të ndryshëm për ndihmë, si YouTube për tutoriale dhe muzikë, Google dhe StackOverflow për ndihmë në kodim, Pinterest dhe Photoshop për imazhe, Blender për modelime dhe Mixamo për animacione, etj.
Cilat janë planet tuaja në të ardhmen?
Në të ardhmen, planifikoj të krijoj projekte të reja inovative dhe të zgjeroj studion time me zhvillues të rinj dhe njerëz të apasionuar pas lojërave. Një nga qëllimet e mia është të bashkohem me një studio të madhe si Unity ose Activision dhe të kontribuoj në projekte të mëdha ndërkombëtare./Business Mag