Prej më shumë se dy dekadash, Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta (vendet me të ardhura për frymë ndërmjet 4,466 dollarë dhe 13,845 dollarë, klasifikimi i BB), por që të dalë nga ky prag duhet të rrisë investimet në arsim dhe në teknologji sugjeron Banka Botërore në Raportin e fundit të Zhvillimit Botëror për vitin 2024, i cili u fokusua në kurthin e të ardhurave te mesme.
Vendet me të ardhura të mesme janë në një garë me kohën. Që nga vitet 1990, shumica e vendeve në botë përfshi edhe Shqipërinë kanë bërë mjaftueshëm për t’u shpëtuar niveleve me të ardhura të ulëta dhe çrrënjosjen e varfërisë ekstreme.
Por tani, ambiciet duhet të rriten për të arritur statusin me të ardhura të larta brenda dy ose tre dekadave të ardhshme.
Sipas Bankës Botërore, pikat kyçe ku realizohet kjo arritje është një ekonomi e bazuar në inovacion dhe investimet në kapitalin njerëzor. Shembull i mirë në botë është Koreja e Veriut, ndërsa në Europë, Polonia, Estonia etj.
Me një popullsi në plakje dhe me borxhe të larta publike, ekonomitë me të ardhura të mesme të larta, ku bën pjesë edhe Shqipëria, janë duke u rritur në hapësira të ngushta.
Tani njerëzit në vendet me të ardhura të mesme janë të frikësuar dhe mosbesues se në dy dekadat e ardhshme të rriten në statusin me të ardhura të larta.
Rruga e vetme për të siguruar prosperitet është qasja e ekonomisë në zhvillimin teknologjik dhe nxitja e talenteve. Banka sugjeron se qeveritë në vendet më të ardhura te mesme të larta, ku bën pjesë edhe Shqipëria, duhet të huazojë teknologji dhe ide për zhvillimin e saj nga jashtë.
Ky proces kërkon ristrukturim të ndërmarrjeve, një liri më të madhe në ekonomi, lëvizshmëri sociale. Po sipas BB ky proces varet nga shumë se sa e disiplinuar është qeveria në politikat e saj, nivelet ekzekutive në korporata dhe sa krijuese mund të tregohen ato.
Përveç teknologjisë vendet si Shqipëria duhet të investojnë në burimet njerëzore dhe te talentet, të cilët çojnë para forcën krijuese. Në përgjithësi, në vende si Shqipëria ka një hendek talentesh në krahasim me vendet e zhvilluara, ndaj investimet në arsim konsiderohen si mjeti kryesor për të shënuar progres.
Drejtuesit e talentuar dhe të zgjedhur në bazë të meritave janë shumë të nevojshëm për të çuar reformat para drejt prosperitetit, përfundon raporti i BB-së.
Por apo shkon Shqipëria në këtë drejtim?! Arsimi prej gati një dekade është nuk është prioritet i qeverisjes. Investimet e ulëta, lëvizjet demografike dhe cilësia e mësuesve kanë bënë që Shqipëria të shënojë rënien më të fortë në rang global të arritjeve mësimore ndërmjet 2018-2022 ne testin ndërkombëtar PISA.
Shqipëria vijon të përjetojë nivele të larta të emigrimit te të rinjve. Të dhënat zyrtare të INSTAT treguan se vitin e kaluar 24.6% e të rinjve nga 15-29 vjeç po shpenzonin kohën kot pasi as nuk po punonin dhe as nuk po shkolloheshin, apo po ndiqnin ndonjë trajnim.
Shqipëria vijon të investojë në arsim rreth 3% të PBB-së saj, një nga nivelet e fundit europiane.
Në anën tjetër, ekonomia e vendit nuk është e orientuar në teknologji dhe kërkimi shkencor në universitet nuk ekziston.
Bujqësia dhe shërbimet dominojnë strukturën e ekonomisë, por më së shumti bazohen në krahun e lirë të punës dhe jo në teknologji.
Investimet publike në Shqipëri nuk janë të orientuara nga teknologjia dhe nga ana tjetër, bizneset private operojnë në sektorë me vlerë të ulët të punës./Monitor