Shqipëria do të ketë një Akademi shtetërore Diplomatike. Pas asaj të ngritur në vitin 2001 nga një grup diplomatësh karriere, ekspertë dhe gazetarë, vendi do të ketë brenda vitit edhe strukturën e re që do të ofrojë kurse trajnimi në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ministra për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hedhur për konsultim publik projektligji “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, ku përcaktohet se akademia do të kushtojë 20 milionë lekë apo 200 mijë euro çdo vit.
“Periudha gati dhjetë vjeçare që ka kaluar nga ligji, i cili aktualisht është në fuqi ka bërë të nevojshëm rishikimin edhe të këtij akti me synim për t’ia përshtatur interesave të kohës. Projektligji ndër të tjera, reflekton krijimin e mundësisë për futjen në Shërbimin e Jashtëm të ekspertëve të fushës, por duke u njohur për efekt të llogaritjes së gradës diplomatike personale vitet e punës në Shërbimin e Jashtëm”.
Veç ngritjes së Akademisë Diplomatike, ligji i ri “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë” synon forcimin e kritereve për rekrutimin e diplomatëve të karrierës; përllogaritjen e saktë për efekt të marrjes së gradave apo sigurimin e pastërtisë së figurës së personelit të shërbimit.
“Kreu VII trajton përgjegjësinë disiplinore për diplomati, si dhe çdo nëpunës civil të Shërbimit të Jashtëm për shkeljet e kryera gjatë ushtrimit të funksionit dhe realizimit të detyrave të ngarkuara, në përputhje me rregullat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, si dhe trajton pezullimin për diplomatët e emëruar kur ndaj tyre ka filluar një procedim penal nga shteti pritës”.
Kosto vjetore që lind nga zbatimi i ligjore përllogaritet në 51 milionë lekë apo rreth 510 mijë euro. Pjesa më e madhe e shpenzimeve, 39 milionë lekë planifikohet të shkojnë për Akademinë Diplomatike dhe 7 koordinatorë.