Numri i transaksioneve të kryera përmes home banking ka pësuar rritje në muajin maj. Referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në maj të këtij viti janë realizuar përafërsisht 797 mijë transaksione, rreth 37 mijë transaksione më shumë se në muajin paraardhës.
Nëse bëjmë një krahasim të numrit të transaksioneve që janë kryer prej fillimit të këtij viti përmes home banking, vërehet se shifrat kanë qenë gjithnjë në rritje. Gjithsej, në pesë muajt e parë të vitit 2024 janë realizuar 3.5 milionë transaksione nëpërmjet home banking.
Megjithatë, pavarësisht se numri i transaksioneve ka ardhur në rritje nga muaji në muaj, vlera e shërbimeve të kryera është shoqëruar me luhatje. Që prej fillimit të vitit, muaji prill ka regjistruar vlerën më të ulët të transaksioneve, konkretisht 181 milionë lekë. Ndërsa për muajin maj, vlera e pagesave të kryera me home banking arriti në 209 milionë lekë, gati 28 milionë më tepër se muaji pararendës. Në pesëmujorin e parë të 2024-ës, vlera e veprimeve bankare të kryera përmes aplikacioneve bankare kap shifrën 918 milionë lekë.
Home banking i referohet përdorimit të aplikacioneve të bankave për kryerjen e pagesave dhe veprimeve të tjera bankare përmes internetit, pa qenë e nevojshme paraqitja në një nga degët e bankave. Nga krahasimi në bazë vjetore, konstatohet një rritje e konsiderueshme e përdorimit të home banking nga qytetarët dhe bizneset, si për sa i takon numrit të transaksioneve, ashtu dhe për sa i takon vlerës së tyre. Në vitin 2023 numëroheshin rreth 439,828 transaksione të kryera më shumë se në vitin 2022.
Ndërkohë që edhe vlera e transaksioneve në vitin 2023 ishte mbi 2 miliardë lekë, nga 1.5 miliardë që u shënua në vitin 2022./Tv Scan