Në ditët e sotme, në një klimë ekonomike të paparashikueshme, bizneset përballen me sfida të vazhdueshme për mbijetesën dhe qëndrueshmërinë e tyre. Sipas Zj. Alma Hasanaj, drejtuese e Departamentit të Riskut në iute, të kesh një plan të fortë të vazhdimësisë së biznesit, ndihmon për të trajtuar rreziqet e biznesit dhe për të siguruar që veprimtaritë të funksionojnë pa probleme gjatë ndërprerjeve të papritura.
Në përgjithësi bizneset priren të anashkalojnë rreziqet e “fshehura” që nuk janë menjëherë të dukshme, të dëgjueshme apo të prekshme. Është pikërisht manaxhimi proaktiv i rreziqeve ajo që i dallon bizneset e suksesshme nga të tjerët. Këto biznese nuk presin të reagojnë e të marrin masa vetëm kur rreziqet materializohen. Ato i kanë identifikuar ngjarjet e mundshme që mund të shkaktojnë ndërprerje të biznesit dhe kanë siguruar zgjidhje për vazhdimësinë e veprimtarisë duke kryer një sërë testimesh dhe duke stimuluar ndërprerje të çdo natyre.
Nëse biznesi operon në një fushë ku ofrimi i pandërprerë i shërbimeve dhe ruajtja e besimit të klientit janë vendimtare, atëherë duhet t’i jepet përparësi planit të vazhdimësisë së veprimtarive të biznesit. Për shembull, në iute, ne kemi identifikuar ngjarje të mundshme që mund të shkaktojnë ndërprerje dhe parapërgatitja që kryejmë është çelësi për minimizimin e humbjeve nga këto ngjarje.
Në këtë pikë, ju ftojmë të mendoni se përse sigurimi i vazhdimësisë së veprimtarisë së biznesit është i rëndësishëm në institucionet financiare. Biznesi që synon të jetë largpamës, i kërkon të dyja, të hedhë hapa më të vegjël e të ketë perspektiva afatgjata për të arritur qëllimet. Por, çfarë ndodh me biznesin nëse i është vënë përpara një pengesë e madhe? A hiqet dorë e ndërpritet e gjithë veprimtaria apo fillohet të mendohet për mënyrat se si do të operojë më tej? Biznesi që ka marrë parasysh pengesat e mundshme dhe di t’i shmangë ose ka një plan B për të ecur përpara, do t’i arrijë qëllimet shumë më shpejt.
Plani i vazhdimësisë së veprimtarisë së biznesit është një terminologji që shumë e dinë, por në fakt pak e përdorin në mënyrë efektive si një mjet për menaxhimin e rrezikut. Është thelbësore të dallosh një plan vazhdimësie dhe një plan të rimëkëmbjes. Edhe pse këto janë të lidhura me njëra-tjetrën, në të vërtetë kanë ndryshime midis tyre. Plani i vazhdimësisë së biznesit synon të mbajë produktive proceset dhe operacionet e kompanisë e të funksionojë me ndërprerje minimale, ndërsa plani i rimëkëmbjes fokusohet në rivendosjen e operacioneve pasi ka ndodhur ndërprerja e biznesit. Le t’i bëjmë pyetje vetes: a i kemi testuar proceset e biznesit? A kemi menduar për të gjithë skenarët e mundshëm dhe për planin e masave për secilin skenar? Si mund t’i shmangim këto ndërprerje dhe si do të veprojmë kur të krijohet një situatë sfiduese? Shpesh, zgjidhjet mbështeten në individë kompetentë që manaxhojnë proceset. Por, nëse një person i tillë kyç nuk është i disponueshëm, ndikimi i ndërprerjes mund të jetë i lartë.
Ndërprerjet e biznesit mund të shkaktohen nga çështje të thjeshta (për shembull, mungesa e energjisë elektrike) deri te çështjet më të ndërlikuara sikurse janë sulmet kibernetike. Në ditët e sotme tendenca e sulmeve kibernetike është në rritje. Qëllimi i tyre është të ndikojnë negativisht në funksionimin e operacioneve dhe proceseve ose të marrin peng bizneset me të dhënat e tyre dhe të kërkojnë shpërblime. Përgjatë një ndërprerjeje të procesve të biznesit, sa më e gjatë të jetë koha joproduktive, aq më i madh është dëmi (financiar & reputacional) për të gjitha palët e interesuara.
Kompanitë e suksesshme duhet të kenë plane të qëndrueshme të vazhdimësisë së biznesit për të gjitha proceset dhe funksionet e rëndësishme – i gjithë zinxhiri i aktiviteteve duhet të mbrohet me plane që minimizojnë ndikimin e pengesave dhe ndërprerjeve. Këto plane duhet të jenë praktike, të zhvilluara me konsulentë të jashtëm nëse është e nevojshme, por të zhvilluara edhe nga njohuritë e personelit të brendshëm për faktorët e mundshëm negativë dhe për masat parandaluese.
E vërteta është se edhe në kushtet e një planifikimi të plotë, do të ndodhin ndërprerje. Megjithatë, impakti i tyre është më i vogël kur ka zgjidhje të mirëmenduara dhe të testuara, të gatshme për të përmirësuar shpejt situatën. Vazhdimësia e biznesit dhe planet e rimëkëmbjes nuk duhet të mbledhin pluhur në një raft; këto duhet të testohen dhe përditësohen rregullisht për t’u siguruar që janë efektive në skenarë realë. Për shembull, nëse një ndërprerje godet të gjithë konkurrentët në të njëjtën kohë, nëse aktiviteti i biznesit ndërpritet në të njëjtën kohë me të njëjtët konkurrentë, kush do ta fitojë situatën? Sigurisht që do të fitojë ai që kishte plane të hartuara paraprakisht për riaktivizimin e shpejtë të operacioneve të biznesit. Në këtë situatë emergjente, bizneset që nuk kanë menduar për këto situata, nuk do të arrijnë dot që të minimizojne ndërprerjen e operacioneve.
Përfitimet e një plani të duhur të vazhdimësisë së veprimtarisë së biznesit mund t’i përmbledhim si më poshtë:
- Mban produktive operacionet e biznesit edhe pas një nderprerje
- Rikuperon shpejtë operacionet pas ndërprerjeve të ndryshme (sisteme, procese, etj)
- Zvogëlon kostot dhe kohëzgjatjen e ndërprerjeve të sistemit bazë
- Zbut materializimin e rreziqeve dhe ekspozimin financiar
- Ndërton besimin në klientë, partnerë, investitorë dhe rregullatorë
- Ruan reputacionin e kompanisë
Si përfundim, është veprimi i duhur që kompanitë të investojnë burime në operacionet e një kompanie, në mënyrë që të jenë të përgatitura për t’u përballur me situata të papritura, qoftë duke vepruar në fushën e fintech si iute apo duke vepruar në fusha dhe industri të tjera. Gjithashtu, duhet synuar që planet e përgatitura të vazhdimësisë së veprimtarisë së biznesit të mos jenë thjesht të shkruara në letër, këto plane duhet të funksionojnë realisht duke vlerësuar funksionimin e tyre përmes kontrolleve dhe testimeve periodike.
iute është një degë e Iute Group, një kompani fintech e themeluar në vitin 2008 në Estoni. Grupi është i specializuar në kreditë konsumatore, shërbimet e pagesave, veprimtaritë bankare dhe në produktet e sigurimit. Ai u shërben klientëve në Shqipëri, Bullgari, Moldavi dhe Maqedoninë e Veriut. Iute Group financon aktivitetin e kredidhënies me kapital, me depozita dhe me obligacione të siguruara në Tregun e Rregulluar të Bursës së Frankfurtit dhe te Bursës Nasdaq të vendeve balltike.