Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Çfarë parashikon nisma e socialistëve për të rivlerësuar pronat me tatim të ulët, të vendosur tashmë në 5%, sipas asaj që deklaroi kryeministri.
Kujtojmë që propozimi fillestar i bërë nga deputetja socialiste Blerina Gjylamenti në projektigjin e depozituar në kuvend më 15 maj ishte për tatim 3%.
Rivleresimi do të hyjë në fuqi në fund të muajit shtator dhe do të jetë i vlefshëm për një vit, pra deri më 30 shtato5r 2025. Tatimi që do të paguhet, parashikohet në 5% nga 15% që është aktualisht. Mund të rivlerësohen të gjitha pronat, përfshi ato në proces legalizimi dhe ajo që synohet, është formalizimi i tregut të pasurive të patundshme.
Le ta shohim këtë nismë të përkthyer në një rast konkret.
Një apartament i blerë disa vite më parë me çmim 7 milionë lekë, kushton sot me vlerën e tregut 11 milionë lekë. Pra, 4 milionë lekë më shumë. Për ti bërë rivlerëismin, pronari duhet të paguajë sot 15% të kësaj diference, që përllogaritet në 600 mijë lekë.
Me tatimin 5% që propozohet të bëhet rivlerësimi, kosto që ky qytetar do të paguajë është 200 mijë lekë ose 400 mijë lekë më pak.
Rivlerësimi që propozohet është një nismë e ndërmarrë disa herë në të kaluarën.
Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash dhe të gjitha kanë ndodhur përpara zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme parlamentare, me tarifa që kanë variuar nga 1% në vitin 2011 në 3% në rivlerësimin e fundit në vitin 2022. Nisma propozohet sërish përpara zgjedhjeve të përgjithshme, të parashikuara për vitin e ardhshëm, me një tatim 5%.
Por a kanë përfituar qytetarët nga këto rivlerësime? Le të shohim cfarë ka ndodhur me nismën e fundit.
Rivlerësimi u bë nga janari i vitit 2020 deri në gusht të vitit 2022, me tatim 3%. U rivlerësuan mbi 162 mijë prona, teksa qeveria përfitoi 12.7 miliardë lekë të ardhura nga i gjithë procesi.