Nga Aurora Sulçe, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Qeveria ka miratuar rritjen e pagave që hyn në fuqi nga 1 korriku. Një lajm padyshim i mirë për 135 mijë punonjësit e administratës shtetërore që do të përfitojnë. Por çfarë fshihet pas kësaj rritje dhe kush është përfituesi i vërtetë? Le të shohim shifrat.
Të dhënat tregojnë se paga mesatare ka arritur aktualisht në rreth 84 mijë lekë. Në dy vitet e fundit paga është rritur në total me 21.1% ose me 10.5% në vit.
Por sa ka mbetur nga kjo rritje në xhepat e punonjësve të shtetit?
Inflacioni, treguesi që dëshmon për rritjen e çmimeve ka pasur një rritje në dy vitet e fundit me 11.5% në total ose me 5.7% në vit. Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e rritjes së pagës në shtet ka shkuar për amortizimin e çmimeve dhe rritja reale është vetëm 4.8%.
Qeveria premton se me këtë rritje paga mesatare në shtet i kapërcen 900 euro. Por sa i kushton buxhetit të shtetit, ky premtim që ndodh gati një vit përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare? Sipas Ministrisë së Financave, nga 1 korriku kur rritja e pagave hyn në fuqi e deri në fund të vitit, efekti në buxhet është 11 miliardë lekë, ndërsa kostoja totale arrin në 40 miliardë lekë.
Para të cilat qeveria i ka, duke pasur parasysh rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit këtë vit, e cila ende nuk është rishpërndarë tek qytetarët. Në 5 muajt e parë të këtij viti, në arkën e shtetit rezulton një suficit në të ardhura prej 29 miliardë lekësh. Para që janë më shumë se dyfishi i asaj që duhet për rritjen e pagave deri në fund të vitit.
Por nga janë gjeneruar këto të ardhura shtesë? Tre zërat kryesorë që kanë siguruar edhe pjesën më të madhe të shtesës së të ardhurave në buxhet janë nga TVSH-ja ose taksa e konsumit; të ardhurat personale ose thënë ndryshe tatimi i pagës dhe nga kontributet. Taksa që paguhen direkt nga qytetarët dhe rëndojnë xhepat e tyre. Në total, nga të treja janë gjeneruar 16.9 miliardë lekë më shumë, e mjaftueshme për të përballuar të gjithë faturën e rritjes së pagave për këtë vit.
Por cili është përfituesi më i madh i rritjes së pagave në sektorin publik? Në pamje të parë duken punonjësit e administratës, kur në fakt është qeveria. Kjo pasi do të mbledh më shumë të ardhura nga tatimi i pagës.
Shqipëria ka normat më të larta tatimore për punonjësit në rajon, me disa fasha: 0, 8, 13 dhe 25%. Ndërkohë që të gjitha vendet e tjera janë poshtë nesh. Kjo do të thotë se ne i taksojmë punonjësit apo punën më shumë se gjithë të tjerët. Rrjedhimisht, nga rritja e pagave, qeveria do të mbledhë më shumë të ardhura.
Por ky nuk është përfitimi i vetëm i kësaj lëvizje të socialistëve.
Rritja e pagave, që rrit edhe të ardhurat e disponueshme të të punësuarve në shtet, pavarësisht shumë apo pak, ndodh përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, pra efekti elektoral është i pashmangshëm. Nga ana tjetër, qeveria siguron më shumë të ardhura nga tatimi i pagës dhe jo vetëm.
Më shumë të ardhura do të mblidhen edhe nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe kjo do të financojë deficitin e skemës së pensioneve. Para që qeveria do të ishte e detyruar ti jepte. Por në vend që t’i jepte direkt për skemën e pensioneve, i jep indirekt nëpërmjet rritjes së pagave.
Një tjetër përfitim është edhe tërheqja e rritjes së pagave në privat, pasi shteti bëhet konkurrues me biznesin, në kushtet kur vijon edhe rritja e numrit të të punësuarve në administratë.