Qeveria do të ndryshojë ligjin për rezervat e shtetit. Drafti që është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Mbrojtjes parashikohen ndërhyrjet që bëhen në rast të fatkeqësive, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve.
Në projektligj përcaktohet qartë ajo që quhet rezervë materiale ku bëjnë pjesë katër ndarje.
“Rezervat materiale të shtetit përbëhen nga:
- a) mallrat rezervë, që financohen nga buxheti i shtetit; b) mallrat, që vijnë si ndihmë humanitare; c) mallrat, që kalojnë në pronësi të shtetit nga kundërvajtjet administrative dhe kryerja e veprave penale që kanë vlerë përdorimi për rezervën materiale të shtetit;
ç) asetet, që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit” thuhet në draft.
Planifikimi i tyre bëhet në bazë të programit vjetor por edhe atij strategjik afatmesëm ku përcaktohen synimet dhe që rishikohet çdo tre vjet.
Neni 7 i draftit përcakton kur përdoren rezervat materiale të shtetit duke parashikuar katër raste të tilla si rastet e gjendjes së luftës dhe akteve terroriste, të gjendjes së jashtëzakonshme, të fatkeqësive natyrore, fatkeqësive të tjera, emergjencave civile si pasojë e këtyre të dyjave si dhe të çrregullimit të tregut apo të dhënies së ndihmave humanitare shteteve tjera të dëmtuara sipas normave të së drejtës ndërkombëtare ose akteve të tjera nënligjore.
Financimi i tyre bëhet përmes buxheti i shtetit, donacione të ndryshme, burime të tjera që i lejon ligji.
Sakaq blerja e rezervave materiale të shtetit, sipas planifikimeve buxhetore të bëra në Programin Vjetor, siguron plotësimin e nevojave të rezervës materiale të shtetit për:
- a) infrastrukturën magazinuese dhe sigurisë;
- b) mjetet logjistike dhe karburantet;
- c) mallrat ushqimore rezervë shteti;
ç) mallrat industriale rezervë shteti.