Kryesisht rroba, enë kuzhine dhe produkte kozmetike, bashkë me letra apo dokumente… shqiptarët dërguan e morën 23 milionë pako me anë të postave vitin e shkuar. Numri i dërgesave, pjesa më e madhe blerje “online” rezulton të jetë pakësuar me 15 për qind në krahasim me vitin 2022. Po pse ndali hovi i tregtisë “online” që u gjallërua si kurrë më parë parë gjatë pandemisë?
“Rritja e tregut gjatë dhe pas periudhës së pandemisë ndodhi kryesisht si pasojë e shtimit të faqeve të shitjeve online, por në rrjetet sociale. Rrjedhimisht u rrit informaliteti dhe subjektet e formalizuara u demoralizuan dhe kjo e dëmtoi procesin e rritjes së e-commerce”, tregon Rezart Lahi, sipërmarrës, ekspert i tregut të shitjeve “online”.
Bashkë me rënin e numrit të pakove postare të dorëzuara, vitin e shkuar rezulton të jenë rrudhur edhe të ardhurat nga shitblerjet “online”. Nga 2.6 miliardë lekë në 2022-shin, vitin e shkuar, postat në vend gjeneruan 2.3 miliardë lekë… 300 milionë lekë më pak.
“Aktualisht, mendohet se ka 20-25 mijë pako çdo ditë me të ardhura 300-350 milionë euro në vit. Për fatin e keq ky treg nuk po rritet për shkak të gangrenizimit nga informaliteti”, shton Lahi.
Kryesisht si pasojë e informalitetit dhe rrjedhimisht konkurrencës së pandershme, vitin e shkuar numri i postave aktive në vend ra në 24 nga 36 në 2022-shin. Aktorë nga ky treg kanë një propozim se si mund të parandalohet rrudhja më tej e tregtisë online.
“Duhet ndaluar “cash on delivery”. Pra çdo blerje online duhet bërë në faqet Web dhe jo në rrjetet sociale. Gjithashtu, pagesa duhet bërë me anë të kartave bankare, me qëllim që të ketë një lloj gjurmimi”, deklaroi sipërmarrësi.
Rezultatet e një ankete të zhvilluar nga Shoqata Shqiptare e Tregtisë online tregojnë se pjesa më e madhe e shitjeve vitin e shkuar u kryen në platformat e rrjeteve sociale si Instagram, ndjekur nga Facebook, e Tik-Tok.