Fatkeqësitë natyrore nuk i trembin shqiptarët, përkundrazi. Të dhënat e fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë për uljen e nivelit të sigurimeve vullnetare, kryesisht ndaj dukurive të tilla, si zjarri dhe forcat e natyrës, sigurimi i përgjegjësisë së përgjithshme etj. Ndërkohë që sigurimi i automjeteve, që është i detyrueshëm me ligj është në rritje dhe kjo ka cuar edhe në një rritje të të ardhurave të përgjithshme të tregut në 4 muajt e parë të këtij viti.
“Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – prill 2024 kapën vlerën 7 miliardë lekë ose 3.96% më shumë se në janar – prill 2023. Gjatë muajit janar – prill 2024, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 424,991 me një rritje prej 10.61% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, theksohet në raportin e AMF-së.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.63% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 9.31% dhe risigurimi me 0.056% .Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 42.60% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 57.40% të totalit të tregut.
Gjatë muajit janar – prill 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve arritën në rreth 2.7 miliardë lekë, ose 32.27% më shumë se në periudhën janar – prill 2023.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar – prill 2024 kapën vlerën 1,975 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 28.78% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar – prill 2024 arritën rreth 4 miliardë lekë ose 11.93% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar – prill 2024, pati një rritje prej 14.36% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 13.86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar – prill 2024 pati një rritje prej 0.12% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 18.92% krahasuar me periudhën janar – prill 2023.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar – prill 2024, pati një rritje 4.52% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar – prill 2023. Edhe numri i kontratave u rrit me 7.28%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar – prill 2024 arritën rreth 3 miliardë lekë, 5.15% më pak se në periudhën janar – prill 2023. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 2.31 % krahasuar me periudhën janar – prill 2023.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë muajit janar – prill 2024, patën një ulje me 9.94% kundrejt muajit janar – prill 2023.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë muajit janar – prill 2024 siguruan mbi 1.2 miliardë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 66.21%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 24.30% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë muajit janar – prill 2024, vihet re një ulje prej 34.55% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.86% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – prill 2023.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë muajit janar – prill 2024, arritën në rreth 509 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 20.54% në krahasim me periudhën janar – prill 2023.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar – prill 2024, arritën rreth 660 milionë lekë ose 16.49% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë muajit janar – prill 2024 u rriten me 32.27 krahasuar me janar – prill 2023. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1.9 miliardë lekë, apo 70.84% të totalit të dëmeve të paguara bruto.