Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Nga 1 janari i këtij viti, në fuqi kanë hyrë ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, që parashikojnë taksimin e profesioneve të lira. Një çështje që është shndërruar në debatin kryesor të ditës mes ekspertëve të ekonomisë dhe profesionistëve të lirë, si avokatët, kontabilistët, agjentët e pasurive të patundshme, dentistët etj.
Qeveria ka vendosur që taksimi i kësaj kategorie do të bëhet me dy fasha: për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit, tatimi do të jetë 15% dhe për ata mbi këtë fashë, 23%.
Me këtë nivel taksimi, Shqipëria bëhet vendi me normën më të lartë tatimore në rajon për profesionet e lira. Sipas të dhënave të qendrës studimore të taksave Altax, pas vendit tonë, me nivelin më të lartë të taksave për profeisonet e lira renditet Serbia, me fashat 10 dhe 20%. Ndërsa në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinën taksimi i kësaj kategorie është 10%. Nivelin më të ulët të normës tatimore e ka Kosova me 9%.
Norma tatimore që iu është ngarkuar profesioneve të lira në Shqipëri me ndryshimet e fundit ligjore i trajton njësoj me të punësuarit. Kjo pavarësisht diferencave të theksuara që ka mes të dyja kategorive përsa i përket punës që bëjnë, mënyrës së gjenerimit të të ardhurave dhe risqeve që kanë.
Sipas të dhënave, një i punësuar sot në vendin tonë, sipas modelit progresiv të taksimit, në bazë të nivelit të pagës, paguan taksë me disa fasha: 0, 8, 13 dhe 23%. Po kaq sa është kufiri maksimal edhe për profesionet e lira.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ne kemi normat më të larta tatimore për të punësuarit, ndërkohë që pas nesh renditen Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina dhe në fund Kosova, që ka edhe nivelin më të ulët të barrës fiskale për të punësuarit. Ajo që vihet re është se edhe në vendet fqinj, sistemi i taksimit është me disa fasha, ndonëse niveli është më i ulët.
Por një model i tillë taksimi duket se nuk ka sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. Edhe pse ne kemi nivel më të lartë të taksave, grumbullojmë shumë më pak të ardhura. Sipas të dhënave nga Altax, në vitin 2023 ne mblodhëm të ardhura sa 25.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke qenë të parafundit në rajon. E fundit është Kosova me 25.7% të PBB-së, ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut barra tatimore është sa 28.5% e PBB-së. Në Bosnjë-Hercegovinë është sa 36.1% e PBB-së, në Malin e Zi sa 36.2% e PBB-së dhe në Serbi është sa 37.1% e PBB-së.
Niveli i lartë i informalitetit dhe përjashtimet fiskale që qeveria ka bërë për të favorizuar grupe të caktuara biznesi kanë kushtëzuar një situatë të tillë, ku qartazi duket se taksat rriten mbi atë katregori, ku administrata dhe qeveria e kanë më të lehtë t’i mbledhin.
Dallimi mes profesionistëve të lirë dhe të punësuarve
Edhe pse qeveria i ka taksuar profesionistët e lirë në të njëjtin nivel me të punësuarin, ekzistojnë disa ndryshimet thelbësore mes të dyja kategorive, lidhur me ushtrimin e punës, risqeve që marrin përsipër dhe të ardhurave që gjenerojnë.
Së pari, profesionistët e lirë janë njerëz të vetëpunësuar që shpesh punojnë në projekte afatshkurtra me klientë të ndryshëm. Ata nuk marrin asnjë përfitim si punonjësit në kompanitë, ku punojnë dhe përfitojnë vetëm të ardhurat nga klientët e tyre dhe me to paguajnë edhe taksat e tyre.
Një tipar përcaktues i profesionistëve të lirë është aftësia e tyre për të vendosur oraret e tyre dhe për të punuar me më shumë se një klient njëkohësisht.
Së dyti, punonjësit punojnë për një punëdhënës të vetëm në mënyrë të përhershme dhe paguhen me pagë fikse dhe shpërblime e përfitime të tjera të paguara nga punëdhënësi. Ata mund të punojnë në zyrë ose të jenë pjesë e një ekipi në distancë të punësuar dhe punësohen për të plotësuar një rol të caktuar në krahasim me punën në një projekt të vetëm.
Punëdhënësi ofron përfitime (të tilla si koha e pushimeve, kujdesi shëndetësor dhe planet pensionale) dhe është gjithashtu përgjegjës për taksat dhe kontributet e tyre.
Punonjësit zakonisht kanë një rregullore fikse, që përcakton orarin e tyre të punës, rolin dhe kushtet e punësimit të tyre. Meqenëse ata janë pjesë e përhershme e kompanisë, punonjësve zakonisht u kërkohet të shërbejnë dhe të jenë në zbatim të legjislacionit mbi punën. Gjithashtu gëzojnë më shumë siguri në punë sesa profesionistët e lirë.
Skema e taksimit të profesioneve të lira në Shqipëri
Me zbatimin e “Ligjit për tatimin mbi të ardhurat” duke nisur nga 1 janari 2024, fitimet e bizneseve të profesioneve të lira do të tatohen me norma që variojnë nga 15% deri në 23% pas zbritjes së shpenzimeve nga të ardhurat vjetore.
Për profesionet e lira të përcaktuara sipas vendimit “Për dispozitat në zbatim të ligjit nr.29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, shpenzimet e zbritshme fikse dhe të padeklaruara në kontabilitet njihen në masën prej 30%. Kategoria tjetër e bizneseve me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë është e detyruar të deklarojë shpenzimet vjetore në administratën tatimore, ndryshe nga kategoria e parë ku shpenzimet fikse ose të padeklaruara njihen në kontabilitet në masën 30%.
Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara pranë administratës tatimore, fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me shkallën tatimore 23%. Sipërmarrësit ose individët e vetëpunësuar me xhiro vjetore të biznesit deri në 10 milionë lekë mund të zgjedhin të zbresin shpenzimet e biznesit, duke përdorur tarifa fikse në varësi të llojit të aktivitetit të kryer pa qenë e nevojshme të verifikohen nga një kontroll tatimor për të dhënat e tyre kontabël. Përndryshe, ata mund të zgjedhin të llogarisin të ardhurat e tatueshme, duke zbritur kostot aktuale të biznesit të mbështetura me dokumentacionin përkatës tatimor për çdo shpenzim të kryer.
Tatimpaguesit që zgjedhin njërën ose tjetrën metodë janë të detyruar të njoftojnë organet tatimore opsionin e zgjedhur dhe atyre u lejohet ta ndryshojnë këtë metodë vetëm një herë në një periudhë trevjeçare.
Normat fikse të shpenzimeve të supozuara të zbritshme ndryshojnë si më poshtë:
60% e të ardhurave për aktivitetet prodhuese;
90% e të ardhurave për aktivitetet e tregtimit me shumicë;
70% e të ardhurave për aktivitetet e transportit me pakicë dhe individuale;
60% e të ardhurave për aktivitetet e kafesë, restoranteve, diskotekave etj;
50% e të ardhurave për shërbime, veprimtari artizanale dhe zejtare;
30% e të ardhurave për individët e vetëpunësuar.
Gjykata Kushtetuese, fjala e fundit per taksimin e profesioneve të lira
Profesionistët e lirë dhe opozita kanë dorëzuar ankimim në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat. Ata kundërshtojnë mënyrën sesi po bëhet taksimi i profesioneve të lira dhe nivelet e taksimit.
Katër janë pretendimet e grupeve të interesit në lidhje me shkeljet kushtetuese nga ana e qeverisë: cënimi i parimit të barazisë para ligjit; shkelja e së drejtës themelore të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe të profesionit; cënimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike dhe cënimi i parimit të rezervës ligjore në fushën tatimore dhe hierarkisë së normave.
Më datë 18 qershor, është vendosur afati se kur Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim këtë çështje. Profesionistët e lirë, të cilëve iu kanë ardhur tashmë urdhër pagesat nga administrata tatimore për tatimin mbi fitimin, janë duke pritur këtë vendim, përpara se të nisin likuidimin e kësteve, afati i fundit për të cilin është fundi i qershorit.