Nga Aurora Sulce, drejtuese e Fast News Economy
Kryeministri Rama ka nisur turin me diasporën, duke theksuar në dy takimet e para në Greqi dhe Itali rëndësinë që kanë emigrantët për ekonominë shqiptare. Një kontribut i dhënë kryesisht nëpërmjet remitancave apo ato që ndryshe njihen si paratë që emigrantët dërgojnë pranë familjeve në atdhe.
Ky fluks valutor ka ardhur duke u rritur vitet e fundit, si pasojë e riaktivizimit të emigracionit. Të dhënat e Institutit Europian të Statistikave (Eurostat) tregojnë se vlera e remitancave që hynë në Shqipëri në vitin 2023 arriti nivelin më të lartë të dekadës së fundit. Bëhet fjalë për 1.2 miliard euro, me rritje 366 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Vlera e raportuar nga Eurostat u referohet remitancave të matura si dërgesa apo transferta personale dhe të ardhurave të punonjësve nga puna jashtë vendit.
Punësimi jashtë vendit përfshin punësimin sezonal, atë afatshkurtër, si dhe të ardhurat e punonjësve ndërkufitarë apo në distancë. Ndërkohë që sipas Bankës së Shqipërisë, remitancat shënuan në vitin 2023 një vlerë prek 929 milionë euro, me rritje 95 milionë kundrejt vitit 2022, duke qenë njëkohësisht niveli më i lartë i shtatë viteve të fundit.
“Megjithëse Shqipëria ka pasur një rritje të rëndësishme ekonomike në vitet e fundit dhe sidomos turizmi është kthyer në një katalizator për shtetin tonë, remitancat mbeten një burim shumë i rëndësishëm ekonomik për mbi 1/3 e familjeve shqiptare. Në vitin 2022 sipas EUROSTAT, Shqipëria pati mbi 1.2 miliard euro remitanca hyrëse dhe kjo vlerë është në rritje konstante nga viti në vit. Kjo përforcohet më shumë nga rritja e vazhdueshme e emigracionit të popullit shqiptar, të cilët mbështesin familjarët e tyre në atdhe me nivele të larta remitancash”, shprehet Linda Shomo, themeluese dhe CEO e kompanisë Easy Pay për Fast News Economy.
Megjithatë, Shqipëria është poshtë mesatares së rajonit të Ballkanit Perëndimor, për sa i përket peshës që remitancat kanë kundrejt ekonomisë së vendit. Për vitin 2022, mesatarja e vlerës së remitancave kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte pranë nivelit të 10.5% (matur si mesatare e thjeshtë e raportit për 6 vendet e rajonit)
Të dhënat krahasuese të Eurostat tregojnë se vendi me varësinë më të madhe nga remitancat në Rajon ngelet Kosova. Për vitin 2022, remitancat përbënin 17.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Vijon Mali i Zi, me 13.3%, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina, me 10.2%. Shqipëria renditet në vendin e katërt, me një vlerë remitancash sa 9.2% e PBB-së së vendit. Vijon me diferencë të ngushtë Serbia, në masën e 9% të PBB-së, ndërsa mbyll renditjen Maqedonia e Veriut, me 3.4% të PBB-së.
Vala e re e emigrimit e dekadës së fundit i ka dhënë shtysë një cikli të ri të rritjes të remitancave, që ngelen një burim i rëndësishëm për të ardhurat e familjeve shqiptare dhe një zë me peshë të konsiderueshme në bilancin e pagesave të vendit. Po ku përdoren këto para?
Të dhënat zyrtare tregojnë se remitancat janë burim të ardhurash që përdoren kryesisht për konsum për 26% të familjeve shqiptare. Si rrjedhim, ato ndikojnë në rritjen e konsumit, që është një ndër burimet e rritjes së ekonomisë. Një pjesë e këtyre parave investohet në biznese të vogla, që janë burim kryesisht vetëpunësimi, ndërkohë që një pjesë tjetër ruhen si kursime në banka, po jo vetëm.
“Remitancat mbeten një burim të ardhurash për mbi 1/3 e familjeve shqiptare që janë në pjesën e poshtme të nivelit të të ardhurave mujore. Për këtë arsye, remitancat përdoren kryesisht për të mbuluar kostot mujore, si psh. ushqimin dhe veshmbathje, pagesa e faturave mujore, shpenzime shëndetësore, etj. Pra, mund të themi që diaspora ndihmon në mënyrë direkte mbijetesën e familjeve shqiptare, por populli ynë nuk ia ka dalë akoma që t’i përdorë këto remitanca për të prodhuar dicka afatgjatë. Kjo është një sjellje e njëjtë botërore, ku vende si familje nga Meksika ose Filipinet kanë filluar t’i përdorin remitancat për të hapur biznese të vogla dhe të investojnë tek një e ardhme më e qëndrueshme”, deklaron Linda Shomo, drejtuese e Easy Pay.
Ndërsa Elisabeta Katiaj, nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës shpjegon se duhet të ketë një manual të trajtimit të remitancave për evidentimin e saktë të tyre dhe një politikë taksimi favorizuese, për shkak të rëndësisë që ato kanë për ekonominë dhe familjet shqiptare.
“Remitancat në hyrje patjetër që vijojnë të jenë një kontribut mëse i rëndësishëm për Shqipërinë. Sot për sot akoma nuk ka një manual të trajtimit të remitancave në hyrje dhe në dalje, për të bërë një vlerësim sa më të matshëm kundrejt kontributit të tyre në drejtimin e perdorur. Në vende të ndryshme remitancat i nënshtrohen një liste dokumentacioni dhe një sërë politikash avantazhuese, kur pesha e tyre është e konsiderueshme. Në vendin tonë, pavarësisht marrëveshjeve bilaterale që ekzistojnë midis shteteve dhe ku taksimi ynë është më i ulët, vërtet mund të mos diskutohej për taksim të tyre, por patjetër që krijimi i guidave të dedikuara do të parandalonte risqet. Ka ardhur koha që remitancat kërkojnë të legjitimizohen deri te individi, së pari. Më tej, për t’u studiuar sipas gjurmueshmërisë impakti i dhënë dhe më tej, mund të përcaktohet orientimi. Cdo politikë e marrë në kushtet aktuale për trajtimin e tyre, do të mbetet thjesht në kuadër të tentativave që shumë vende sot kanë aplikuar dhe kanë dështuar. Se flasim për remitanca, por dimë vetëm vende e volume, pasi matet nga flukset me jashtë, por jo e dokumentuar në lidhje me arsyen dhe destinacionin”, shprehet Katiaj për Fast News Economy.
Sipas saj, “të ardhurat nga puna sezonale janë ne rritje, sidomos me Italinë dhe me Gjermaninë. Këto flukse valutore përdoren kryesisht për jetesë dhe për imobiliare. Por ka një interes të shtuar për bujqësinë dhe projektet e agroturizmit”.
Ndërsa drejtuesja e Easy Pay, Linda Shomo shpjegon se remitancat që po futen në Shqipëri këto vitet e fundit ndryshojnë nga ato të valëve të mëparshme të emigracionit, përsa i përket vendit prej nga vijnë dhe shumave që dërgohen.
“Karakteristika kryesore është që vendet dërguese kanë filluar të ndryshojnë ndjeshëm. Deri para 10 vitesh, Greqia dhe Italia përbënin shumicën drastike dhe vende si Gjermania, Anglia ose USA kishin një pjesë goxha më të vogël të tregut. Në vitin 2022 po sipas EUROSTAT, Italia mbetet vendi i parë në dërgesa me rreth 277 milion euro, por përbën vetëm 23% të tregut, ndërkohë që në vendin e dytë e mban Gjermania me 201 milion euro dhe Anglia me 183 milion euro. Greqia ka humbur rëndësinë e saj në tregun e remitancave, duke zbritur në vendin e katërt me vetëm 12% të tregut.
Duke u bazuar në të dhënat e tregut nga kompania Easypay – Ria Money Transfer, kjo dallohet dhe në shumat mesatare që dërgohen nga shtetet respektive. Italia megjithëse mban vendin e parë në sasi totale remitancash, ka një dërgesë mesatare rreth 300-350 euro, gjë që tregon nivelin më të ulët ekonomik të diasporës tonë në Itali në krahasim me vendet e tjera. Nga krahu tjetër, Gjermania dhe Anglia kanë një nivel të dërgesave mesatare ndjeshëm më të lartë, që arrin në vlerat 600 dhe 700 euro respektivisht”, deklaron Shomo.
Ekspertët shpjegojnë se nevojitet një orientim i këtyre flukseve valutore drejt bizneseve, me qëllim që të zhvillohet ekonomia dhe jo të përdoren vetëm për konsum apo si depozita në banka. “Këto flukse të ardhurash duhet të orientohen në krijimin e sipërmarrjeve të reja në mënyrë që vendi ynë të hyjë në një cikël të ri rritjeje ekonomike. Duke përfituar nga vala e re e turizmit, që do të zgjasë me siguri disa vite me rradhë, individët me të ardhura nga remitancat mund të hapin një biznes të vogël dhe krijojnë të ardhurat e tyre në mënyrë të qëndrueshme. Gjithashtu, me zhvillimin e teknologjisë, cdokush mund të krijojë një dyqan online dhe të shesë produktet e veta, jo vetëm brenda Shqipërisë, por në gjithë botën më pak investime.
Këto janë disa nga vendet, ku do të ishte mirë të investoheshin të ardhurat nga remitancat, pasi kështu përfitojnë, jo vetëm familjet me nivel të ulët të të ardhurave, por gjithë vendi ynë në tërësi”, deklaron Shomo.
E kjo politikë orientuese bëhet e domosdoshme, duke pasur parasysh se emigrimi i shqiptarëve vazhdon, cka është garanci për rritje të vazhdueshme të remitancave në vitet e ardhshme, një burim valute që nëse shfrytëzohet sic duhet, mund të përkthehet në oksigjen për biznesin dhe rritje të të ardhurave të disponueshme të qytetarëve.