Ndonëse ekonomia shqiptare bazohet në një model që shfrytëzon krahun e lirë të punës, disa biznese novatore po përdorin teknologjinë dhe Inteligjencën Artificiale për të ulur varësinë nga punonjësit. Bujqësia, nga hartat digjitale të tokës, te spërkatja me dron dhe pajisje inteligjente. Si e ndihmon akomodimin programi “e-hotele” dhe si po përmirësohet marketingu dhe menaxhimi në të gjithë sektorët, që nga industria te profesionet e lira me IA. FMN thotë se revolucioni teknologjik është thikë me dy presa, që mund të rrisë përfitimet, por edhe mund të thellojë pabarazinë. Në vendet si Shqipëria, IA mund të zëvendësoje 26-40% të punonjësve.
Aurel Grabocka ka krijuar platformën e parë të bujqësisë inteligjente në Korçë. Në fillim të marsit të këtij viti janë prezantuar hartat digjitale të tokës, bazuar në historikun e prodhimit të 6 viteve të fundit për çdo parcelë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Hartat kombinohen me nivelin e lartësisë mbi nivelin e detit për çdo metër, si dhe me ndriçimin që pasqyrohet nga zonat e ndryshme. Nuk ka rëndësi madhësia e parcelës, pasi ngastrat digjitale ndahen në kuadrate 10 metër katrorë.
Hartat digjitale mund të përdoren me agregate, por edhe në shërbime manuale, duke u drejtuar me GPS nëpërmjet telefonit. Duke përdorur këto harta mund të kryhen plehërime të diferencuara atje ku duhet. Po ashtu mund të prodhohet më shumë atje ku fuqia prodhuese është më e madhe.
Aplikacioni, i cili mund të përdoret nga çdo fermer, mundëson korrigjimin e sasisë e farës që hidhet sipas fuqisë së zonave prodhuese. Këtë sezon, aplikacioni do të eksperimentohet gjithashtu në rrallimin e mollëve, sipas zonave prodhuese.
Atje ku ka fuqi më shumë, të prodhohet më shumë, dhe e kundërta. Ky aplikacion mund të përdoret nga fermerët në të gjithë territorin shqiptar, me një kosto shumë të ulët, por interesi i fermerëve ka qenë i vakët, tha z. Grabocka.
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë në ekonominë shqiptare është në një fazë të hershme, por mungesa e fuqisë punëtore ka gjasë ta shtyjë më shpejt procesin drejt mekanizimit të punëve.
Bizneset e drejtuara nga të rinjtë priren të përdorin Inteligjencën Artificialë dhe teknologjinë për të ulur varësinë nga njerëzit dhe për të rritur produktivitetin e punës.
Në mungesë të fuqisë punëtore në fshat, fermat po rrisin investimet në makina dhe vegla pune, që të mund të ulin varësinë nga punonjësit.
Mikel Plasa, një fermer që kultivon patate në Pojan të Korçës, tha se ka investuar në makineri e pajisje për të lehtësuar proceset e punës, pasi vit pas viti pakësohen punonjësit. Të dhënat zyrtare të doganave treguan se importet e makinerive bujqësore arritën në 6,5 milionë euro në vitin 2023, me rritje 64% në krahasim me vitin 2019.
Zhvillime të ngjashme ka edhe në sektorë të tjerë që nga industria, turizmi dhe shërbimet profesionale dhe sektori i shëndetësisë, që po mundohen të shfrytëzojnë avantazhet e Inteligjencës Artificiale.
(Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave)
Bujqësia, nga hartat dixhitale tek instalimi i çipave te lopët dhe spërkatja me dron
Shpëtim Oseku, ish-ndërtues që e ka zhvendosur aktivitetin në bujqësi, është nga rastet unike në botë që po shndërron një tokë të kripur në pjellore. Pasi ka kultivuar gati 100 hektarë shegë në tokat e kripura të Divjakës, ai po planifikon të mbjellë rreth 400 hektarë me ullinj.
Zoti Oseku tha se çdo proces në kultivimin e ullirit do të udhëhiqet nga mekanika dhe teknologjia. “Ullinjtë do të jenë një lloj kultivari me largësi një metër nga njëri-tjetri, të projektuara për t’u punuar dhe makineri të pavarura ndërmjet tyre.
Gjithashtu po mendohen format e spërkatjes me dron”, – tha zoti Oseku. Projekti i tij po vëzhgohet nga Bashkimi Europian, si më i rralli në botë, ku toka e kripur po rikthehet në prodhuese, nëpërmjet njohurive dhe teknologjisë.
Zoti Oseku tha se përpjekjet e tij po bëhen në një mjedis të vështirë, ku mungon mbështetja dhe infrastruktura vendase.
Fermerët shqiptarë, edhe në se kanë mundësi të investojnë në mekanikë dhe teknologji, hasin vështirësi, pasi mungon zinxhiri mbështetës si p.sh., nuk ka servis për makineritë bujqësore dhe kostoja për riparimin e tyre është e lartë.
P.sh. nga Divjaka, servisi i traktorëve kryhet në Vorë dhe për një riparim që ka kosto vetëm 70 mijë lekë, shpenzimet e transportit e rrisin me trefish koston.
Ata që kanë parcela të vogla pengohen të investojnë në teknologji, por tashmë edhe fermerët e vegjël po bëjnë disa investime që lehtësojnë punën e krahut. P.sh., për vjeljen e ullinjve po përdoren pajisje për shkundjen, rrjeta dhe të tjera që shkurtojnë nevojën për punonjës.
Inteligjenca Artificiale dhe makinat robotike po i ndihmojnë fermerët në botë për të rritur rendimentin dhe për të zëvendësuar njerëzit që po pakësohen me ritme më të larta në zonat rurale.
Hartat digjitale, me historikun e karakteristikave të tokës, janë një ndihmë shumë e madhe për fermerët se çfarë duhet të mbjellin dhe për të përfituar rendimentin e duhur, tha Aurel Grabocka, i cili drejton Agjencinë e Zhvillimit Rajonal në Korçë,
Por z. Grabocka thotë se interesi i fermerëve ka qenë i vakët në përdorimin e tij për arsye si njohuritë e dobëta në teknologji, mosha e thyer e atyre që jetojnë në fshat. Por nëse përdoret, ndihma e aplikacionit është mjaft e madhe si në uljen e kostove, ashtu edhe në rritjen e prodhimit, pasi karakteristikat e çdo metri katror tokë janë të digjitalizuara.
Ervin Resuli, i cili ka një fermë blegtorale në zonën e Fierit, po përpiqet të instalojë një sistem me çipa te lopët, që matin rendimentin e qumështit, konsumin etj. Kjo siguron kontroll dhe parashikime të sakta mbi prodhimin dhe merr informacion të saktë mbi kostot dhe prodhimin në afat të gjatë.
Disa ferma kanë instaluar sisteme të kontrollit të aktivitetit të kafshëve, të cilët bëjnë kalkulime për gjendjen shëndetësore. Këto sisteme ulin kostot e shërbimeve të veterineri, të cilat zënë një pjesë të rëndësishme të kostos në fermat blegtorale.
Industria, si po përfiton nga IA dhe robotika
Industria është një nga përfitueset e mëdha të teknologjisë, pasi njësitë e prodhimit, të cilat e kanë ndier më së shumti mungesën e fuqisë punëtore, kanë investuar vitet e fundit në teknologji robotike, teksa përdorin edhe Inteligjencën Artificiale për marketing dhe për të rritur produktivitetin.
Drini Zusi, aksioner në kompaninë NCA në Lezhë, që operon në industrinë përpunuese, tha se Inteligjenca Artificiale dhe investimet në mekanikë e teknologji vitet e fundit po ulin varësinë nga rekrutimet e reja të punonjësve.
- Zusi tha se nëpërmjet ChatGPT dhe Midjourney në fushën e marketingut krijohet përmbajtja dhe nuk ka më nevojë për menaxher në këtë fushë. Më parë, kompania paguante një agjenci ose konsulent të jashtëm për konceptin ose përmbajtjen e marketingut, por me versionet premium të ChatGPT këto produkte prodhohen vetë.
“Kemi blerë një modul për ‘data analysis’, vizualizim raportesh, që lejon modele parashikimi bazë. Një lloj Biznes inteligjence, siç janë Microsoft Power BI apo Tableau. Ky modul ka dhe IA dhe jemi në hapat e parë të eksplorimit, kryesisht në ndërtimin e raporteve që nuk i kemi përdorur ndonjëherë dhe as e kemi ditur që mund të përdoren”, tha z. Zusi.
Për këtë, ai shpjegoi një shembull praktik. “Unë shkruaj në ChatGPT ‘cilat janë kompanitë prodhuese që kanë drejtimin më efikas?’. Nga përgjigjet zgjedh një prej tyre, që mund t’i përshtatet më shumë industrisë.
E pyes prapë ChatGPT: ‘Më trego me detaje çfarë lloj raportesh përdorin për menaxhimin?’.
Raportin e përshtat dhe e bëj input me të dhënat e kompanisë në Shqipëri dhe na ndihmon shumë” – tha z. Zusi. Kjo ka ndikim në produktivitet.
Në rastin e parë në marketing, ndikon te fakti që duke qenë se ia beson një njeriu të gjitha, pra jo dikush për menaxhim të mediave sociale, një tjetër për përmbajtën, pra role të ndara, por tani është Inteligjenca Artificiale i bën të gjitha.
Eliminon kohën e pritjes. Raporte që duheshin tre ditë për t’i nxjerrë, tani i bën për tre orë. Z. Zusi tha se, analizat e reja që mundësohen, krijojnë perspektiva të reja që më pas e bëjnë stafin të fokusohet realisht aty ku është e nevojshme.
Industria, sidomos ajo e përpunimit, ishte e para që në vitin 2017 ndjeu krizën e forcës së punës. Teksa porositë po shtoheshin, nuk kishte më punonjës të rinj që ofroheshin për punë, sidomos në industrinë tekstile dhe këpucëve, për shkak të punës së vështirë dhe pagave të ulëta.
Për të rritur prodhimin, pa rritur punonjësit, njësitë e përpunimit rritën importin e makinave robotike që punonin në mënyrë të pavarur nga njeriu.
Fabrikat e mëdha i bëjnë me robotë me lazer proceset prerjes së veshjeve dhe këpucëve teksa teknologjia u përfshi në të gjithë proceset e punës, nga inventarët në magazina deri te menaxhimi i burimeve njerëzore.
“Po shikojmë si fillim të përdorim më shumë makina automatike, por përqindja është e ulët”, – tha znj. Eva Laro, e cila zotëron fabrikën e prodhimit të këpucës “ProDyn”, një nga më të mëdhatë në treg.
Deri në fillim të vitit 2023, para krizës, fabrikat shqiptare nisën të blejnë teknologjinë e fundit të makinerive të prodhimit. Njësitë e tekstilit investuan në prestaritë automatike me laser.
Një makineri e tillë kushton nga 150 deri në 500 mijë euro, por përfitimet që rrjedhin nga përdorimi i saj janë të mëdha. Një makinë e tillë zëvendëson së paku katër punonjës, pohuan prodhuesit. Prestaritë, përveçse ulën nevojën për punonjës, ulën nivelin e humbjeve, rritën produktivitetin dhe shmangën gabimet njerëzore.
Hovi i investimeve të industrisë së përpunimit në mekanikë u ndërpre vitin e fundit nga rënia e eksporteve, si pasojë e zhvlerësimit të euros dhe rënies së kërkesës nga jashtë.
Euro u këmbye mesatarisht me 108.7 lekë në 2023, duke zbritur në verë afër 100 lekëve, nga 118 lekë që ishte mesatarja e vitit 2022. Të gjitha grupet, me përjashtim të “ushqimeve, pije e duhan” shënuan tkurrje të eksporteve në 2023.
Industria e tekstileve dhe këpucëve shënoi rënie me 6.6%, makineri e pajisje me 1.6%. Rënia ka vijuar edhe më 2023 dhe tani i gjithë sektori i industrisë për eksport, jo vetëm që nuk po investon në teknologji, por po shkurton edhe punonjësit aktualë.
(Burimi: INSTAT)
Teknologjia ndihmon edhe “real estate” dhe turizmin
Brendi Hoti është një ri i kthyer nga jashtë dhe ka krijuar një sipërmarrje të vogël në aktivitetin e “real estate”. Zoti Hoti menaxhon prona në qytetet kryesore të vendit me qira ditore në platformat “Booking” dhe “Airbnb”.
Për shkak se ai është një përdorues i mirë i teknologjisë, arrin të sigurojë të ardhura gati 30% më të larta se pronarët e shtëpive jo profesionistë. Ai është përdorues i madh i Inteligjencës Artificiale.
“Ne na ka ndihmuar shumë Inteligjenca Artificiale. Kryesisht për automatizimin e punës dhe për data/info ku bazohemi për shumë vendime strategjike. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale na ka ndihmuar që të mos punësojmë njerëz për detyra që kryhen nga automatizimi.
Në anën tjetër, duke pasur informacion të detajuar mbi tregun, kemi mundësi të maksimizojmë çmimet e qirave ditore për pronat që shiten online”, – tha zoti Hoti. I ndihmuar nga programe të avancuara të Inteligjencës Artificiale, ai ka ndërtuar databaza për çmimet në qytete, deri në nivel lagjeje dhe rruge.
Të dhëna të detajuara për çmimet dhe kërkesën e ndihmojnë z. Hoti të ketë sukses më shumë se rivalët.
Hotelet, baret dhe restorantet janë përdorues të mëdhenj të teknologjisë. Që nga barkodet për çmimet në tavolina, çelësat automatikë etj. P.sh. në tregun tonë, zhvilluesit e teknologjisë ofrojnë një produkt “e-hotel” për 30 euro në muaj. Ky program lehtëson procesin e rezervimit të dhomave nga klientët.
Kontrollon dhomat e lira dhe të zëna ose të rezervuara, regjistron rezervimet dhe praninë e klientëve në hotel. Programi krijon faturën për klientin automatikisht, duke përfshirë shërbimet që ka përfituar klienti.
Fiskalizon faturat. Mundëson balancën e klientit dhe bën parapagesa dhe pagesa me Lek apo valutë, bankë apo para në dorë, dhe mbyll balancën.
Programi klasifikon dhomat sipas llojeve dhe çmimeve të tyre. Specifikon katet, sallat, restorantin, barin, parkimin, etj. Klasifikon shërbimet si pastrimi, restoranti, minibari, parkimi, lavanderia, apo çfarëdo shërbimi tjetër, duke shkurtuar ndjeshëm nevojën për menaxherë dhe punonjës profesionistë.
Profesionistët, përfituesit më të mëdhenj të Inteligjencës Artificiale
C., me profesion mjek, është abonuar në shërbimin premium të ChatGTP dhe e përdor atë për të krahasuar mjekimin e një diagnoze për praktikat dhe protokollet e tjera në botë. “P.sh. janë disa sëmundje të rralla që në vendin tonë nuk janë të përhapura, pasi jemi një popullsi e vogël.
Me ndihmën e Inteligjencës Artificialë, merret shumë informacion për trajtimin e sëmundjeve të rralla dhe është një ndihmë e madhe në procesin e mjekimit”, tha ai. Edhe për diagnozat të sëmundjeve kronike, Inteligjenca Artificiale mund të ofrojë informacione të vlefshme dhe shumë të shpejta që ndihmojnë në kurimin e pacientit.
“Mjekësia është një shkencë dinamike që avancon si në diagnoza, terapi dhe pajisje, ndaj Inteligjenca Artificiale është shndërruar në një asistent shumë të vlefshëm”, – tha mjeku.
Nina Balaj, e cila drejton një kompani që ofron shërbime profesionale për klientë jashtë vendit, tha se Inteligjenca Artificiale e ndihmon shumë në pjesën e marketingut dhe te burimet njerëzore. Në këto dy fusha ka shkurtuar kohë dhe produktet që merren janë cilësore.
IA gjithashtu po i ndihmon punonjësit kur janë të pasigurt për një veprim dhe tani për shumë punonjës të rinj, IA është bërë një bashkëpunëtor i domosdoshëm, tha ajo./Monitor