Qendra Kallz, inkubator i certifikuar nga ministria e Sipërmarrjes, ka hapur thirrjen për programin e trajnimit dhe mentorimit për 50 startupe që drejtohen nga gra dhe vajza.
Programi synon të fuqizojë startupet, duke punuar me themeluesit për të konsoliduar idenë e biznesit. Përmes një programi trajnimi dhe mentorimi 1 mujor, startupet do të mund të përgatiten për të konkuruar në Women Startup Competition Albania, që do të zhvillohet në muajin Qershor në Tiranë.
Për të dytin vit radhazi, Women Startup Competition në Tiranë ka si mbështetës kryesor BERZH Këshilla për Bizneset e Vogla, financuar nga EU – Western Balkans Enterprise Development & Innovation Facility (EDIF).
Nismat në sipërmarrje tregojnë një interes dhe potencial të shtuar të grave në biznes. Por, fuqizimi i tyre kërkon programe të dedikuara për të rritur mundësitë e tyre për financim. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nëpërmjet Këshilla për Bizneset e Vogla zbaton programe të dedikuara mbështetëse ndaj këtyre bizneseve, me qëllim rritjen e konkurueshmërisë së tyre.
Ardiola Hristiç, menaxhere e “Këshilla për Bizneset e Vogla”, BERZH, thotë se, “fokusi i aktiviteteve të Këshilla për Bizneset e Vogla të BERZH është mbështetja e bizneseve me projekte të dedikuara konsulence, të cilat dizenjohen sipas nevojave specifike të tyre.
Prioritet kanë të gjitha kompanitë, të cilat operojnë në sektorë strategjikë të ekonomisë si agrobiznesi dhe turizmi si dhe bizneset, të cilat janë të drejtuara nga gratë dhe të rinjtë. Inovacioni, dixhitalizimi dhe idetë e reja si dhe transformimi në biznese të gjelbërta janë komponentë të cilat kanë fokusin kryesor në çdo projekt që ne mbështesim”.
Gratë drejtojnë rreth një të tretën e kompanive të mbështetura nga BERZH Këshilla për Bizneset e Vogla. Vëmendje e veçantë i është kushtuar trajnimit dhe rritjes së kapaciteteve të bizneseve, të drejtuara nga gratë dhe të rinjtë. Programet e trajnimeve të realizuara deri më sot kanë synuar përmirësimin e aftësive menaxheriale dhe rritjen e njohurive në drejtime si menaxhimi financiar, transformimi dixhital i kompanive, programe mentorshipi dhe coaching, etj. Këto programe për mbështetjen e grave dhe të rinjve, synojnë, jo vetëm rritjen e pavarësisë financiare të tyre, por edhe rritjen e impaktit social që këto biznese kanë në ekonomitë lokale të vendit.
Gjatë këtyre viteve, BERZH Këshilla për Bizneset e Vogla me financim të donatorëve të ndryshëm, ka dhënë një mbështetje të konsiderueshme për SME-të në sektorë prioritarë të ekonomisë, siç janë agrobiznesi, turizmi, prodhuesit, eksportuesit, etj. duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e fuqizimin e bizneseve të vogla dhe të mesme në vendin tonë.
Ky është viti i tretë që Qendra Kallz përgatit startupet për Konkursin e Women Startup Competition, duke përfshirë në trajnime 110 biznese të reja, drejtuar nga gra dhe vajza. Konkursi për Shqipërinë këtë vit zhvillohet me 21 Qershor në Tiranë dhe startupi fitues do të marrë pjesë në konkursin final të Women Startup Competition Europë./Business Mag