Shtohen rastet e padeklaruara të parave në kufi. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka publikuar librin jeshil, në të cilin theksohet se gjatë vitit 2023, rastet e tilla u rritën me 66% në raport me vitin paraardhës. Konkretisht sipas Doganave, vitin e kaluar, janë detektuar 73 raste të mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi (44 raste në hyrje dhe 29 raste në dalje) duke pasur rritje të kapjeve krahasuar me 37 raste të vitit 2022 (28 raste në hyrje dhe 9 raste në dalje).
Degët doganore ku janë evidentuar rastet më të shpeshta janë Rinasi, Durrësi, Kakavija, Morina.
Përpos numrit të rasteve ka një rritje edhe të shumës totale që është tentuar të kalohet pa deklaruar, ku në euro sipas të dhënave ishin mbi 2 milionë euro në vitin 2023 apo 36% më shumë sesa viti 2022. Në paund është kapur një shumë prej 452 mijë apo 63% më e lartë sesa në vitin paraardhës.
Ndërkohë Doganat deklarojnë edhe për shuma të kapura në dollarë perkatësisht rreth 166 mijë dhe në franga zvicerane mbi 47 mijë. Në vitin 2022, për këto monedha nuk kishte raste të tentativave për kalim që janë kapur në pikat kufitare doganore.
“Në kuadër të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në sistemin doganor, bazuar në treguesit e aktivitetit të dyshimtë, gjatë vitit 2023 janë dërguar 19 RAD pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare për hetim të mëtejshëm” thuhet në publikim.
Doganat nënvizojnë gjithashtu se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë janë zhvilluar 8 operacione në degët doganore kufitare, nga të cilat 6 operacione organizuar nga EU4FOCAL “Action Days, në bashkëpunim me Guardia di Finanza dhe Departamentin e Policisë kufitare; 1 operacion rajonal “CLAUDIUS II” organizuar nga HMRC në bashkëpunim me administratat doganore rajonale; 1 operacion “DEMETER IX” organizuar nga WCO-OBD.
Ndërkohë grupet Operative Antitrafik gjatë 2023 kanë kryer në total 1840 kontrolle në degë të ndryshme doganore kufitare të cilat kanë rezultuar me kapje të parasë “cash” të padeklaruar. Në rastet kur janë evidentuar mallra me natyrë tregtare, ato i janë referuar degëve doganore për ndjekjen e procedurave.
“Njësia e Informacionit të Pasagjerit ALPIU, nëpërmjet sistemit ATSG ka shënjestruar 794 shtetas me qëllim kontrollin dhe parandalimin e veprimtarive së paligjshme të cilat mund të zhvillohen nëpërmjet kalimit të kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë” thuhet në këtë dokument.