Shqipëria realizoi me vendet e rajonit, Serbinë, Kosovën, e Maqedoninë e Veriut rreth 8% të volumit tregtar në 3 muajt e parë të vitit. Performancën e dobët në tregtinë e jashtme me shkaktar kryesor zhvlerësimin e euros, vendi ynë e reflektoi edhe me fqinjët, si në eksporte ashtu dhe në importe.
Nga janari në mars arritëm të shesim vetëm 14,86 miliardë lekë produkte shqiptare nga rreth 20 miliardë lekë në fillimvitin 2023. Ku rënie regjistruam me të gjitha shtetet.
“Kemi një rënie të eksporteve dhe importeve, kjo është për të gjithë jo vetëm për rajonin, por dhe Itali. Bujqësia tek ne nuk është kompetitive, pasi subvencionimi është shumë i dobët. Janë 31 milionë euro për gjithë vitin, ndërkohë që ke Maqedoninë e Veriut me 100 milionë euro, një vend më i vogël se ne”, shprehet për A2 CNN Theodhor Kristuli, nga Unioni Tregtar Agroushqimor.
Edhe tek importet ky tregues ka shënuar rënie. Më shumë importuam nga Serbi, me 4,9 miliardë lekë mallra, Maqedoni e Veriut (2,75 miliardë lekë) dhe më pak në Kosovë (2,66 miliardë lekë).
“Na lidhet shumë me Serbinë te bujqësia e blegtoria se ata sjellin shumë tek ne. Kjo është si rezultat i subvencioneve të mëdha që kanë ata si rezultat i prodhimeve bujqësore blegtorale. Ndërkohë, subvencionimi te prodhimi ynë është i vakët. Një lopë te ne subvencionohet vetëm 10 mijë lekë të vjetra në vit, ndërsa është 400 euro në Kosovë dhe Maqedoni”, tregon Kristuli.
Panorama me këto shtete është e ndryshme, teksa Kosova është partneri kryesor i eksporteve dhe shteti ku kemi bilancin më të madh pozitiv (+6,74 miliardë lekë), ndërsa e kundërta, nga Serbia marrim më shumë importe dhe kemi deficitin më të madh tregtar (-2,44 miliardë lekë). Me Maqedoninë e Veriut, Shqipëria ka një deficit të lehtë (-0,9 miliardë lekë).
“Mos të habitemi ndonjë ditë kur marketet tona të jenë me produkte në gjuhë të huaj”, shprehet Kristuli.
Kryesisht me rajonin, vendi ynë blen qepën e pataten, ndërsa shesim domaten e shalqinin.