Banka Botërore ka analizuar ecurinë e ekonomisë shqiptare në raportin e “Pranverës 2024 për Europën dhe Azinë Qendrore”. Në sesionin për vendin tonë theksohet se rritja ekonomike në vitin 2023 vlerësohet të jetë 3.3 për qind, e nxitur kryesisht nga konsumi privat, turizmi dhe ndërtimi. E njëjta normë rirtje pritet edhe gjatë këtij viti, megjithëse risqet mbi ekonominë janë të pranishme, jo vetëm nga zhvillimet ndrëkombëtare, ndaj të cilave jemi shumë të ekspozuar, por edhe faktorëve të brendshëm.
Kushtet dhe sfidat kryesore
Ekonomia shqiptare ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme ndaj goditjeve të njëpasnjëshme gjatë viteve 2019-2022, të cilat përfshinin tërmetin e vitit 2019, pandeminë dhe krizën ekonomike pasuese, si dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Politikat e kujdesshme makroekonomike mbështetën një rimëkëmbje të fortë ekonomike, me një rritje reale të PBB-së mesatarisht me 6.9 për qind në vitet 2021 dhe 2022, dhe PBB-ja e vitit 2022 tejkaloi nivelin e saj para pandemisë.
Një faktor kyç në qëndrushmërinë e Shqipërisë ndaj goditjeve ka qenë afërsia e saj me BE-në, që është një burim i investimeve dhe remitancave, dhe një treg kryesor për eksportet e vendit. Turizmi është shfaqur si një nxitës kryesor i rritjes ekonomike, duke ndihmuar në përmirësimin e disbalancave të jashtme dhe duke kontribuar pjesërisht në një mbiçmim të qëndrueshëm të lekut në vitet e fundit. Prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet, i cili plotëson 85 për qind të kërkesës së brendshme për energji gjatë një viti me reshje mesatare, ka siguruar njëfarë mbrojtje nga kriza energjetike dhe ka kontribuar në frenimin e emetimeve të gazeve serrë të vendit.
Sfidat kryesore të zhvillimit të Shqipërisë janë popullsia në rënie, pjesërisht për shkak të emigracionit; cilësia e dobët e forcës së punës dhe cilësia e ulët e vendeve të punës të krijuara; ritmi i moderuar i reformave strukturore, veçanërisht në fushat e mjedisit dhe qeverisjes së sektorit privat; dhe rritja e presioneve fiskale, për shkak të reagimeve të qeverisë ndaj krizave të shumta, rreziqeve prej ndryshimeve klimatike, detyrimeve kontingjente dhe rifinancimit të borxhit gjatë një periudhe me norma të larta interesi.
Për të trajtuar hendekun në investimet në kapitalin njerëzor dhe nevojës për infrastrukturë të qëndrueshme ndaj klimës, duke ruajtur në të njëjtën kohë mbështetjen për grupet më të cënueshme, Shqipërisë do t’i duhet të zbatojë një Strategji Afatmesme të të Ardhurave për të forcuar të ardhurat nga tatimet e brendshme. Zhbllokimi i rritjes së mëtejshme është i kushtëzuar nga zbatimi i shpejtë i programit të qeverisë, i mbështetur në aspiratën për anëtarësim në BE, dhe i bazuar në reforma që nxisin rritjen e produktivitetit, si edhe përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe zgjerimin e integrimit të Shqipërisë në tregjet e huaja.
Zhvillimet e fundit
Në vitin 2023, PBB-ja vlerësohet të jetë rritur me 3.3 për qind. Bazuar në ecurinë e tre tremujorëve të parë të vitit 2023, kontribuesit kryesorë të rritjes në anën e ofertës ishin tregtia, turizmi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme, të ndjekura nga ndërtimi dhe prodhimi i energjisë. Në anën e kërkesës, komponentët kryesorë që nxitën rritjen ishin kërkesa e brendshme private dhe eksportet neto.
Treguesit kryesorë ekonomikë sugjerojnë se ritmi i rritjes është përshpejtuar gjatë tremujorit të katërt, për shkak të numrit të lartë historik të turistëve dhe përshpejtimit të aktivitetit të ndërtimit. Rritja e të ardhurave nga punësimi, treguesit e ndjesisë ekonomike dhe të ardhurat e larta tatimore sugjerojnë për një rritje të qëndrueshme në tremujorin e katërt.
Punësimi u rrit me 1.2 për qind në terma vjetorë në tremujorin e tretë të vitit 2023, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, ndërsa pësoi rënie në sektorët e bujqësisë dhe industrisë përpunuese. Rritja e pagave dhe punësimit nxitën pjesëmarrjen në forcën e punës (mosha 15+), e cila arriti në nivelin më të lartë prej 76.1 për qind.
Pagat mesatare të sektorit privat u rritën me 14.5 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2023. Papunësia ra në nivelin 10.5 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2023, duke shënuar një rënie të mëtejshme në terma vjetorë. Duke marrë në konsideratë rritjen e fortë të PBB-së për frymë në vitin 2023, shkalla e varfërisë vlerësohet të jetë ulur me 1.8 pikë përqindjeje duke arritur në 21.7 për qind.
Inflacioni vjetor ra në 3.9 për qind në dhjetor 2023 nga niveli i lartë rekord prej 8.3 për qind në tetor 2022, si rezultat i presioneve rënëse nga çmimet më të ulëta të importeve të ushqimeve dhe energjisë, mbiçmimit të monedhës vendase dhe normalizimit të politikës monetare. Sistemi bankar vijon të jetë i qëndrueshëm, pavarësisht rritjes së normave të interesit.
Qeveria shënoi një pozicion të përmirësuar fiskal në vitin 2023, si rezultat i rritjes së fortë të të ardhurave si dhe shpenzimeve më të ulëta. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore u rritën, duke reflektuar rritjen e pagës minimale së detyrueshme dhe rritjen e pagave në sektorin privat. Qeveria emetoi një Eurobond pesë-vjeçar me vlerë 600 milionë euro dhe me një kupon prej 5.9 për qind, që është më i lartë se kuponi prej 3.5 për qind në vitin 2021, për të siguruar në avancë financim për shpenzimet në vitin 2024 dhe për të blerë një eurobond ekzistues që maturohet në vitin 2025.
Perspektiva
Në vitin 2024, rritja ekonomike pritet të mbetet e fortë në 3.3 për qind, në kontekstin e kushteve të shtrënguara financiare në tregjet ndërkombëtare dhe rritjes së kufizuar ekonomike në Evropë. Megjithatë, zgjerimi i aktiviteteve të turizmit dhe ndërtimit pritet të nxisin rritjen e eksporteve, konsumit dhe investimeve me ritme të ngjashme me nivelet para pandemisë. Norma e inflacionit parashikohet të fillojë të kthehet në objektivin prej 3 për qind në fillim të vitit 2025. Megjithëse po tregon shenja moderimi, treguesi i ndjesisë ekonomike mbetet pozitiv.
Bilanci primar i Shqipërisë parashikohet të arrijë në 0.2 për qind të PBB-së në vitin 2024 dhe të qëndrojë në nivele të ngjashme pozitive në përputhshmëri me rregullin fiskal. Konsolidimi fiskal pritet të arrihet si nga ana e të ardhurave ashtu edhe nga ana e shpenzimeve. Për sa i përket të ardhurave, qeveria planifikon të vazhdojë përmirësimin e administrimit tatimor, të parashikuar në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave.
Borxhi publik pritet të bjerë më tej në 58.2 për qind të PBB-së në vitin 2024, dhe të vijojë rënien edhe në periudhë afatmesme, si rezultat i rritjes më të lartë në terma nominalë dhe arritjes së një bilanci primar pozitiv. Duke pasur parasysh varësinë në rritje të Shqipërisë nga financimi i jashtëm, rreziqet që lidhen me kursin e këmbimit, normën e interesit dhe rifinancimin mbeten të larta.
Rritjet e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë përbëjnë një rrezik të rëndësishëm për rritjen ekonomike, pasi ato mund të ndikojnë negativisht në të ardhurat reale të disponueshme, të ngadalësojnë uljen e varfërisë dhe potencialisht të kufizojnë hapësirën fiskale. Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, si recesioni në BE ose shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit në vitet në vijim.
Rreziqet për rritjen ekonomike burojnë nga fatkeqësitë natyrore dhe kushtet e pafavorshme globale. Rreziqet fiskale burojnë nga partneritetet publike-private dhe NSH-të, si edhe nga sektori i energjisë elektrike i bazuar në prodhim nga burime hidrike, kryesisht për shkak të ndryshimeve në kushtet hidrologjike.