“Do i qëndroj të drejtës për të vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe integrimit të Shqipërisë për në BE. Unë do të mbroj të drejtat e pakicës kombëtare greke. Dhe nëse nuk respektohen, Shqipëria të harrojë integrimin europian”. Ky ishte paralajmërimi i Kyriakos Mitsotakis, pak para zgjedhjeve të parlamentit evropian, njeriut që ka veshur sot “kostumin” e kryeministrit të ri të Greqisë fqinje.
Fitorja e tij nuk mund të lërë indiferent opinionin publik shqiptar, jo vetëm për shkak të emigrantëve të shumtë që jetojnë e punojnë në Greqi, por edhe për shkak të retorikës shpesh herë të ashpër që vetë Mitsotakis, partia e tij apo dhe familja e tij ndër vite kanë ndjekur ndaj Tiranës zyrtare. Së bashku me përgjegjësinë e udhëheqjes së vendit të tij, Mitsotakis do të ketë tanimë në dorë edhe të ardhmen e marrëdhënive Athinë-Tiranë, krijimin e një atmosfere më të mirë për emigrantët shqiptarë atje edhe zgjidhjen e çështjeve të papërfunduara mes dy vendeve.
Gjatë kohës që ishte në opozitë, ai ka dalë kundër marrëveshjes së detit të hartuar nga ish-ministrat Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, edhe pse një dokument i tillë nuk është bërë kurrë publik, por edhe ka paralajmëruar për bllokim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, pa u respektuar te drejtat e minoritetit grek dhe të pronave të tyre.
Pasi thirri në Athinë përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri, Mitsotakis përdori një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë shqiptare, duke thënë se Tirana zyrtare duhet të respektojë të drejtat e tyre nëse dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Greqinë dhe nëse dëshiron të bëjë përparime në hapjen e bisedimeve të pranimit me BE. Sigurisht, në kohën që ai ishte lider i opozitës, këto deklarata nuk kishin shumë peshë në skenën politike shqiptare, por tani që ka veshur “kostumin e pushtetit”, Mitsotakis ka të ngjarë të shndërrohet në një faktor të fuqishëm politik për rajonin.
Në deklaratat e publike, Mitsotakis ka folur me tone të ashpra ndaj shqiptarëve, duke u shprehur mjaft skeptik edhe për çeljen e negociatave me vendin tonë, por edhe për bashkëpunimin me qeverinë aktuale. Duke komentuar vrasjen e Konstantinos Kacifas më 28 tetor, Mitsotakis tha se udhëheqja politike shqiptare u përpoq të shfrytëzonte incidentin tragjik për të përforcuar imazhin e saj në frontin politik të vendit. Në një intervistë me një televizion serb, Mitsotakis deklaroi se nëse vinte në pushtet, do të punonte për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mbetura mes Greqisë dhe Shqipërisë në frymën e vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit, por deklaroi se retorika e zjarrtë drejtuar publikut të brendshëm nga lidershipi politik i Shqipërisë nuk ishte konstruktiv.
Megjithatë, duke parë retorikën e tij para dhe gjatë fushatës, duket tejet e vështirë që Mitsotakis të firmosë një marrëveshje të negociuar nga kabineti Tsipras dhe sidomos nga Nikos Kotzias, njëri prej ish-ministrave më të sulmuar prej Demokracisë së Re.
Për “dinastinë politike”, Mitsotakis, marrëveshja detit, e nënshkruar në 2009, mes Dora Bakojanisit (motra e tij) dhe Lulzim Bashës, si ministra të Jashtëm dhe Sali Berishës e Kostas Karamanlis si Kryeministra, një marrëveshje e ngjashme është e duhura. Vetë Bakojanis e ka cilësuar pak muaj më parë atë pakt të arritur si një “vepër arti” në karrierën e saj si kryediplomate e Greqisë dhe hamendësonte se rrëzimi i marrëveshjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri ishte bërë me ndërhyrjen e Presidentit turk, Recep Taip Erdogan.
“Vrasja politike” e marrëveshjes të arritur mes Kotzias dhe Bushatit duket tanimë si skenari më i mundshëm, duke patur parasysh se Mitsotakis ka dalë disa herë kundër marrëveshjes së detit me Shqipërinë, duke akuzuar Aleksis Tsipras për diplomaci të fshehtë në dëm të interesave të Greqisë.
“Diplomacia sekrete e Tsipras dhe Kotzias ka rezultuar në dëm kombëtar me marrëveshjen e Shkupit. Tani, njerëzit mësojnë të habitur për një marrëveshje të ngjashme që po diskutohet me Shqipërinë. Ne i kërkojmë Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të informojnë menjëherë Parlamentin për çfarë negociojnë në fshehtësi me Tiranën”, thuhej në deklaratë.
Kryeministri i ri ka qenë po ashtu edhe tejet i ashpër me emigrantët duke shprehur rezerva për qëndrimin e tyre në Greqi, ndryshe nga Cipras i cili legalizoi shumë emigrantë nga Shqipëria, duke dhënë edhe fonde dhe duke krijuar lehtësira për ta.
Pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në fund të majit, Mitsotakis tha nëse zgjidhet kryeministër, ai do të sigurojë kufijtë e Greqisë, duke deklaruar se qeveria e kryeministrit Aleksis Tsipras mund të bënte dallime midis refugjatëve që ikin nga zona lufte dhe emigrantëve që kërkojnë punë dhe një jetë më të mirë.
I konsideruar gjerësisht si një figurë anti- emigracionit, gjatë fushatës zgjedhore, Mitsotakis vizitoi kampet e refugjatëve duke kritikuar qeverinë për moskthimit të emigrantëve të parregullt në vendin e tyre të origjinës.
“Në fillim Greqia ishte një derë, por njerëzit janë mbërthyer këtu. Njerëzit kanë nevojë për punë dhe strehim, por grekët nuk kanë as punë, as para. Si do t’ia bëjmë? “, deklaroi ai.
Retorika e Mitsotakis nuk është një surprizë për shumë ekspertë, duke marrë parasysh se gjatë kohës që ishte kryeministër babai i tij organizoi në vitet ’90, operacionin famëkeq “Fshesa” posaçërisht kundër shqiptarëve. Gjithçka nisi nga vendimi i Shqipërisë për të dëbuar një prift grek me akuzën e përhapjes së propagandës antishqiptare në zonën e Gjirokastrës.
Vendimi pasoi ashpërsimin e gjuhës dhe deri tek nisja e operacionit të ashtuquajtur “Fshesa”, ku qindra-mijëra shqiptarë që kishin emigruar në Greqi u riatdhesuan me dhunë. Po në këtë vit, Mitsotaqis paraqiti një plan me gjashtë pika për çështjen e minoritetit grek. Plani ishte hartuar nga këshilltari i tij, Nikolas Geixh, i njohur në qarqet ekstremiste greke dhe antishqiptar i hershëm.
Në dokument kërkohej që Shqipëria të përmbushte të drejtat e grekëve etnikë me banim në Shqipëri, të pranonte rikthimin pa kushte të priftit të dëbuar, të hapte shkolla greke në të gjithë Shqipërinë e jugut dhe edhe jo vetëm në zonën minoritare, të regjistronte popullsinë si “epirotë” dhe jo “shqiptarë”, si dhe zonat e minoritetit të merrnin të njëjtin status që do të merrte Kosova.
Mitsotaqis u largua pak muaj, por tensionet mes dy vendeve jo. Më vonë do të pasonte sulmi terrorist ndaj repartit ushtarak shqiptar në fshatin Peshkëpi të Gjirokastrës dhe u deshën disa muaj kohë që mes dy vendeve të normalizoheshin marrëdhëniet.
Kjo është trashëgimia që Konstantinos Mitsotakis i ka lënë të birit. Ky i fundit ka shprehur pakënaqësinë mbi marrëveshjen e Prespës për çështjen e emrit me Maqedoninë, por gjithsesi ka deklaruar se do ta njohë atë. Me Shqipërinë një marrëveshje në letër nuk ka, por tani që ka ardhur në pushtet, Mitsotakis vështirë se do të devijojë shumë nga linja e ashpër që ndoqi babai i tij në politikën e jashtme karshi Shqipërisë.
Megjithatë, për analistin Ben Andoni, fitorja e Kyriakos Mitsotakis do të ketë edhe një ndikim të vogël tek shqiptarët që jetojnë atje, pasi sipas tij, kryeministri i ri nuk ka të ngjarë të cënojë politikat e integrimit të shqiptarëve në Greqi.
“Nuk do ndryshojë ndonjë gjë e madhe, por nuk do jetë kaq miqësore në pjesën shqiptare. Vetëm se komunitetit shqiptar është integruar më mirë më se gjithë komunitetet e tjera, jo thjesht të fqinjësisë, por edhe elementë të tjera që na bëjnë më të afërt. Ndaj politika e Mitsotakis, do jetë pak politikë indiferente ndaj shqiptarëve, por nuk mund ti cënojë politikat e integrimit të shqiptarëve në Greqi. Vende si Greqia me diplomaci shumë institucionale dhe vonesat në dukje, ato që ne i kujtojmë që flenë, ato kanë një qëllim të caktuar dhe qëllimi është që në zhvillimet që janë më konforte për ta të dalin interesat e tyre. Shqipërisë do ti duhet një sforcim i jashtëzakonshëm diplomatik për tu kthyer në termat që i interesojnë”, thotë Andoni.
Mitsotakis ka një shumicë të pastër në parlamentin e ri të Greqisë. Tashmë me interes pritet se kush do të jetë edhe ministri i jashtëm në kabinetin e tij, si edhe nëse Athina do të jetë kokëçarja e re e Shqipërisë në tetor, kur pritet që të ketë një vendim të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut dhe kur Mitsotakis do të ulet në samitin e liderëve për herë të parë. A do të jetë edhe Greqia skeptikja e re pas Francës, Holandës dhe Danimarkës dhe a do të vendosë ajo kushte për dy fqinjët? Kjo do të qartësohet sapo të krijohet kabineti i ri Mitsotakis në Athinë dhe kur do të shpaloset programi i qeverisë për politikën e jashtme dhe veçanërisht dy fqinjët, Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut./Gazeta SI