Një në dy vende të lira pune sot është në sektorin e turizmit. Në prag të kulmit të sezonit turistik veror, baret, restorantet apo hotelet në vend po vuajnë sa për kamerier, banakier, kuzhinier, sanitare, aq edhe për shoferë, guida, ciceronë e menaxherë. Janë rreth 2 mijë vende të lira në prag të sezonit masiv veror.
“Bëhet fjalë për stafin e kuzhinës kryesisht. I gjithë jugu është në kërkim. Paguhen me paga marramendëse”, tha kryetar i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave, Kujtim Dervishi.
Sfida më e madhe e këtij sezoni për operatorët turistikë është ofrimi i një shërbimi cilësor, i cili është nën presionin e mungesës së punonjësve. Dhje kjo mungesë, veçanërisht e burimeve njerëzore të kualifikuar po kthehet në kosto të drejtpërdrejtë për të gjithë në përgjithësi dhe turizmin në veçanti.
“Ne i kemi bërë thirrje edhe qeverisë në takimet që kemi pasur se çfarë mund t’iu ofrojmë ne emigrantëve që ata të kthehen e të punojnë në Shqipëri”, u shpreh Dervishi.
Pas gati një 5-vjeçari “eksperiencë pa fryte” me eksperimentin për të sjelle fuqi punëtore nga jashtë, tashmë sytë e të gjithëve janë hedhur te shkollat profesionale në vend.
“Po t’i vësh re edhe shteti e ka kthyer vëmendjen te shkollat profesionale. Ato duhet të jenë burimi për fuqinë punëtore që ne kërkojmë”, theksoi Dervishi.
Të dhënat nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit tregojnë se ndonëse me luhatje ndër vite, sektori i turizmit punëson direkt dhe indirekt mbi 200 mijë vetë çdo vit. Kjo shifër arriti në mbi 260 mijë vitin e shkuar, ndërsa parashikimet janë që brenda këtij viti shifra të shkojë në mbi 300 mijë.
Në një kohë që turizmi po njeh vetëm rritje, ajo që mund të thuhet me siguri është se përherë edhe më shumë po bëhet e vështirë se kush do t’i presë ata./A2 CNN