Intervistë me Michal Rutkowski, Drejtor Rajonal për Zhvillimin Njerëzor në Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore
Shqipëria ka shënuar vitet e fundit rritje ekonomike pozitive, e cila është gjeneruar nga turizmi, ndërtimi dhe pasuritë e patundshme. Sektorë që nuk sigurojnë një rritje të qëndrueshme në afatgjatë. Për një qëllim të tillë, Banka Botërore rekomandon investimin tek kapitali njerëzor. Michal Rutkowski, Drejtor Rajonal për Zhvillimin Njerëzor në Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore shpjegon në intervistën e mëposhtme se në cfarë faze ndodhet Shqipëria në drejtim të zhvillimit të kapitalit njerëzor, si paraqitemi krahasuar me rajonin dhe cfarë masash duhen marrë.
Rutkowski, qëllimi i vizitës suaj në Shqipëri është zhvillimi i kapitalit njerëzor. Për ta kuptuar më thjeshtë edhe qytetarët, çfarë është kapitali njerëzor?
Kjo është një pyetje shumë e mirë, pasi kapitali njerëzor ka kuptim të ndryshëm për njerëz të ndryshëm në rrethana të ndryshme. Ca vite më parë, ne në Bankën Botërore vendosëm të sjellim pak qartësi lidhur me këtë temë, duke krijuar atë që quhet koncepti i kapitalit njerëzor që përmes një indeksi mat potencialin e njerëzve, më saktë të moshës 18 vjeçare.
Nëse ata, nisur nga niveli i tyre i arsimit dhe i shëndetit, mund të kontribuojnë me potencial të plotë apo jo në shoqëri. Me potencial të plotë ne nënkuptojmë faktin nëse, pas gjithë atyre viteve arsimimi që kanë pasur individët, ata përfitojnë plotësisht, dhe nëse kujdesi shëndetësor i ofruar i bën sa më të shëndetshëm për të kontribuar në zhvillim.
Në këtë indeks vendet kryesuese në botë janë në nivelet e shifrave prej 0,88 (ku 1 është maksimumi). Shqipëria është në nivelin 0,62. Pra ka një indeks relativisht të ulët të kapitalit njerëzor, që vjen si pasojë e disa faktorëve. Por faktori kryesor është se, pavarësisht se për sa kohë fëmijët frekuentojnë shkollën, kryesisht 12 vjet, kjo përkthehet vetë në 9 vite arsimimi. Këtu sigurisht ndikon edhe cilësia e mësimdhënies, curricula, etj. Në vlerësim ndikojnë edhe rezultatet në teste ndërkombëtare. Testi më i përhapur ai i Pizës dhe në rezultatet e fundit të Pizës tregojnë një keqësim të rezultateve të Pizës. Këto rezultate maten tek studentët e moshës rreth 15-vjeçare.
Në të vërtetë, ka qenë keqësimi më i madh ndër gjithë vendet e Ballkanit. Por kapitali njerëzor është shumë më shumë se sa kaq, pasi këtu hyn edhe si merr pjesë ky kapital njerëzor në punësim. Që të rikuperosh investimin e bërë mbi këtë kapital njerëzor duhet të ketë punë të mira. Kur ofron punë cilësore jo vetëm të rikthehet investimi, por fiton edhe më shumë kapital njerëzor.
çështja është se një pjesë e popullsisë nuk janë të përfshirë as në arsimim të plotë, as në punësim, apo në ndonjë lloj trajnimi, pra flas për moshën 18 – 24 vjeç, që do të thotë që këta persona të kësaj grup-moshe nuk përfitojnë një rikthim investimit të tyre në kapitalin e tyre njerëzor, qoftë ky i lartë apo i ulët.
Tjetër element i kapitalit njerëzor është shëndeti. Pra përmirësohen rrethanat, sepse ku je i varfër nuk ke as shëndet të mirë. E rëndësishme është që vendi ta ruajë kapitalin njerëzor dhe një aspekt janë pagesat që bëhen nga xhepi i qytetarëve. Sistemi shëndetësor në Shqipëri ende le vend që qytetarët të paguajnë nga xhepi i tyre pasi sigurimi i tyre shëndetësor nuk i mbulon nevojat. Por unë jam optimist dhe ne në Bankën Botërore besojmë se mund të bëhet shumë për përmirësimin e kapitalit njerëzor në Shqipëri, dhe besojmë se do t’i shërbejë edhe rritjes ekonomike në të ardhmen në Shqipëri.
Në rast se do bënit një krahasim me vendet e tjera të rajonit, si paraqitet Shqipëria për sa i përket kapitalit njerëzor?
Kur bëhet fjalë për indeksin e kapitalit njerëzor, Shqipëria vjen prapa Serbisë, por është në një nivel të ngjashëm me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kur bëhet fjalë për indeksin e kapitalit njerëzor në rajon, Shqipëria vjen prapa Serbisë, por është në një nivel pak a shumë të ngjashëm me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Por ndryshim bëjnë rezultatet e Pizës.
Prandaj është e rëndësishme që programet qeveritare të fokusohen sa më shumë në këtë drejtim. Për shembull, Shqipëria shpenzon për arsimimin në masë më të vogël sesa mesatarja evropiane dhe ju doni që të arrini nivelet e Bashkimit Evropian. Kjo kërkon një rritje të shpenzimeve të buxhetit për arsimin, si edhe të efikasitetit të këtyre shpenzimeve.
Cilat janë mundësitë dhe sfidat me të cilat duhet të përballet Shqipëria përsa i përket kapitalit njerëzor, për të ndikuar rritjen ekonomike?
Të dyja, si sfidat ashtu edhe mundësitë lidhen me mega-trendet, meqenëse ekonomia e Shqipërisë gjithnjë e më shumë po integrohet me ekonominë evropiane dhe atë botërore. Nga ky këndvështrim, duhet filluar me progresin e teknologjisë dhe digjitalizimin: kjo është e ardhmja, e ardhmja edhe e Shqipërisë. Dhe pa dyshim që janë bërë përpjekje në këtë fushë. Por këtu sërish kthehemi te kapitali njerëzor. Kthehemi te rëndësia e arsimimit.
Kohët e fundit sapo përfunduam një studim mbi të ardhmen e punëve në Evropë, dhe gjetja më e madhe e këtij studimi është se mund të përfitosh nga digjitalizimi, progresi teknologjik vetëm nëse ke aftësi të forta bazë. Sa më solide të jenë këto aftësi bazë që përfitohen nga shkolla aq më shumë mund të përfitojnë shqiptarët nga megatrendi i digjitalizimit dhe progresit teknologjik. Unë mendoj se një tjetër megatrend që përbën mundësi për Shqipërinë është edhe integrimi ekonomik dhe globalizimi. Në rastin e Shqipërisë mund të flitet për përfitime që vijnë nga tregtia.
Një sfidë tjetër mbetet emigrimi. Shumë të rinj migrojnë jashtë Shqipërisë, dhe nuk ka mjaftueshëm kthime në vend. Edhe dërgesat e parave mund të përdoren më mirë. Pastaj, së fundi, është sfida e ndryshimit të natyrës së punëve dhe nevojës për të ri-trajnuar njerëzit për lloje të reja punësimesh të së ardhmes, duke përfshirë punësimet në investime të gjelbra. Këto janë tre fushat me rëndësi më të madhe.
Çfarë mund të bëjë Banka Botërore për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e zhvillimit të kapitalit njerëzor?
Oh, shpresoj që po bëjmë shumë në këtë drejtim dhe vizita ime këto ditë fokusohet mbi çfarë mund të bëjmë më shumë. Do t’ju jap disa shembuj: ne kemi bërë një punë shumë të mirë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit mbi arsimin e lartë. Po diskutojmë se si të çojmë më tej këtë dialog për ta bërë arsimin e lartë të Shqipërisë një sistem modern, sepse një aspekt i veçantë është niveli i lartë i papunësisë te grup-mosha e të sapodiplomuarve.
Pra, lind nevoja për më shumë përmirësime. Po ashtu po diskutojmë si të zgjerohet arsimin parauniversitar dhe aftësitë bazë. Gjithashtu pjesë e bashkëpunimit tonë është transferimi i njohurive. Pra, kur vjen fjala te ndihma ekonomike, duhet parë edhe si të bëhet riaktivizimi i njerëzve që të marrin pjesë në tregun e punës. Kemi pasur gjithashtu bashkëpunim dhe diskutime të mira me Ministrinë e Shëndetësisë.
Besoj se mund të ndihmojmë në dy mënyra:
- Në mënyrën se si të transferohen njohuritë
- Dhe e dyta përmes projekteve tona të financuara nga ne. Shumë njohuri dhe eksperienca të Bankës Botërore vijnë të ndërthurura në projektet që mbështesim.
Pata diskutime shumë të mira për këto çështje në Ministrinë e Financave, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Mbeta shumë i kënaqur kur dëgjova gjatë takimit me Ministrin e Financave që ai mbështet rëndësinë që ka kapitali njerëzor për rritjen e ardhme të Shqipërisë. Kjo më dha siguri në bashkëpunimin e mëtejshëm në këtë drejtim pasi jo çdo ministër finance në botë thotë një gjë të tillë. Dhe unë këtë e vlerësova shumë.
Ju falënderoj për këtë intervistë.
Kënaqësia ishte e imja. Ju faleminderit shumë./A2 CNN