Një total prej 134 vendesh që përfaqësojnë 98% të ekonomisë globale po eksplorojnë tani versionet digjitale të monedhave të tyre, me mbi gjysmën e vendeve në faza të avancuara të zhvillimit, pilotimit ose nisjes, tregoi një studim.
Hulumtimi i grupit të ekspertëve të Këshillit Atlantik me bazë në SHBA, theksoi se të gjitha vendet e G20-ës me përjashtim të Argjentinës janë tani në faza të largëta, megjithëse, veçanërisht, Shtetet e Bashkuara po mbeten gjithnjë e më prapa.
Ndërkohë, që ende po ecën përpara për një dollar digjital, SHBA tani duket se ka mbetur në vend, thuhet në raport, me shefin e Rezervës Federale, Jerome Poëell, që tha këtë muaj se, “kjo nuk parashikohet të ndodhë së afërmi”.
Mbështetësit thonë se monedhat digjitale do të lejojnë funksionalitet të ri dhe do të ofrojnë një alternativë ndaj parave fizike, përdorimi i së cilës po njeh rënie.
Sipas analistëve, në këto momente Uashingtoni mund të humbasë një pjesë të ndikimit të tij financiar global, nëse vendet e tjera vijojnë të ecin përpara dhe vendosin standardet e reja rreth monedhave digjitale.
Rreth 36 projekte pilot janë duke u zhvilluar, duke përfshirë e-juan të Kinës, i cili po testohet me 260 milionë njerëz në 25 qytete dhe në Evropë ku Banka Qendrore Evropiane prej gjashtë muajsh ka nisur punën e përgatitjes së euros digjitale.
Bahamas, Xhamajka dhe Nigeria tashmë kanë nisur funksionimin e plotë të monedhave digjitale, megjithëse Unioni i Monedhave të Karaibeve Lindore i përbërë nga 8 vende, së fundmi e pezulloi për shkak të problemeve me përdoruesit.
Trembëdhjetë projekte ndërkufitare janë duke u zhvilluar, duke përfshirë një të quajtur “mBridge” që lidh Kinën, Tajlandën, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Hong Kongun, dhe do të zgjerohet në 11 vende të tjera të pazbuluara aktualisht këtë vit.
Të gjitha vendet anëtare të BRICS, Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, janë në faza të avancuara dhe pritet të ketë nje shpejtim të mëtejshëm këtë vit në një samit në Rusi për sistemet alternative të pagesave ndaj dollarit.
Juani digjital i Kinës është ende në fazë pilotimit më të avancuar, megjithëse është testuar në skenarë të ndryshëm, nga biletat e transportit publik dhe kontrollet e COVID-19 deri te blerja e naftës dhe metaleve të çmuara. Ndërkohë, analistët e kanë të vështirë të parashikojnë se kur do të hyjë në funksion të plotë.