Nga Jonida Këllezi, Drejtore Marketingu në EasyPay
Historikisht, Ballkani ka qenë një pikëbashkim i tregtisë / biznesit dhe kulturës. Megjithatë, sistemet e fragmentuara të pagesave dhe barrierat e monedhës shpesh kanë frenuar ose vështirësuar transaksionet brenda rajonit, si edhe me pjesën tjetër të Evropës. Ministri i Financave, Z. Ervin Mete, gjatë fjalës së mbajtur në Ministerialin e zhvilluar në Tiranë më 28 shkurt 2024 në Tiranë, në pararendje të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, u shpreh se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA do të sillte përfitime të konsiderueshme ekonomike për rajonin. Konkretisht ai tha se mbi 70 për qind e eksporteve nga Ballkani Perëndimor shkon në vendet anëtare të BE-së. BE-ja është gjithashtu burimi më i madh i investimeve të huaja direkte në rajon. Ajo përbën rreth 70% të totalit të IHD-ve në Ballkanin Perëndimor. Pikërisht këtu, dhe në këtë moment që flasim, hyn SEPA (Single European Payment Area), e krijuar nga Bashkimi Evropian (BE), si një mekanizëm thelbësor për të ndryshuar këtë situatë.
Ajo c’ka SEPA synon të krijojë është një treg i unifikuar për pagesat në euro, duke lejuar transaksione të lehta ndërkufitare midis vendeve pjesëmarrëse. Kjo do të thotë që bizneset dhe individët mund të dërgojnë dhe marrin pagesa brenda zonës SEPA aq lehtë sikur të ishin transaksione të brendshme dhe pa asnjë kosto shtesë. Për vendet e Ballkanit që prej vitesh synojnë anëtarësimin në BE, integrimi në SEPA nuk është thjesht një lehtësi, por një hap vendimtar drejt përafrimit me standardet ekonomike evropiane!
Integrimi në SEPA është mjaft I rëndësishëm për disa aktorë, ndër të cilët mund të vecojmë:
Bizneset në rajonin tonë do të jenë të parët që do të përfitojnë nga ky integrim, fillimisht nga eliminimi i tarifave të transaksioneve ndërkombëtare dhe ulja e nevojës të konvertimeve të monedhës. Ky reduktim i kostove do të cojë natyrshëm në përmirësimin e marzheve të fitimit, duke i bërë bizneset eksportuese të Ballkanit më konkurruese në tregjet europiane.
Integrimi i SEPA-s sjell përfitime të drejtpërdrejta edhe për konsumatorët final. Pavarësisht nëse janë individë që kryejnë blerje, dërgojnë para te familjarë ose të afërm në vendet fqinje apo janë vizitorë, SEPA thjeshton transaksionet e tyre dhe u siguron çmime më transparente për ta. Duhet të theksojmë se dërgesat e parave ose sic njihen ndryshe, remitancat apo edhe blerjet online kanë një ndikim thelbësor në ekonominë, shoqërinë, dhe stabilitetin socio-ekonomik të Shqipërisë dhe rajonit ballkanik.
A. Remitancat, ndihmojnë në rritjen ekonomike, mbështetjen e familjeve dhe individëve, zhvillimin e infrastrukturës, dhe stabilitetin e përgjithshëm të vendit. Remitancat për Shqipërinë kanë qenë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për shumë familje shqiptare. Në vitin 2021, me efektet e pandemisë dhe situatën ekonomike në vendet ku jetojnë shqiptarët emigrantë, këto dërgesa janë vlerësuar të rëndësishme për mbështetjen e ekonomisë së vendit. Në vitin 2021, edhe pse pati një periudhë fillimisht me ndikime nga pandemia, dërgesat e parave gradualisht u rritën për disa prej këtyre vendeve. Më konkretisht, sipas BSH, remitancat patën një rritje prej 13% në 2021 dhe 9% në 2022.
B. Prej disa vitesh tashmë shqiptarët po mësohen të kenë në të përditshmen e tyre veprimet digjitale bankare (tashmë rritur me 22% në vitin 2023) dhe integrimi në SEPA shkon në këtë drejtim.
C. Për më tepër, integrimi në SEPA i hap dyert edhe turizmit në Shqipëri. Kujtojmë se numri i turistëve të huaj në Shqipëri përgjatë dy viteve të fundit është rritur ndjeshëm dhe një prej sektorëve që ka lulëzuar më së shumti ka qenë hoteleria dhe sektori i dhënies së apartamenteve me qera. Në këtë moment, integrimi në SEPA i hap dyert dhe turizmit, për kryerjen e transfertave të turisteve në këto kanale (duke ulur kostot e tyre)
Dhe patjetër, që një tjetër aktor që përfiton nga integrimi në SEPA janë institucionet financiare FINTECH. Nga tregjet e zgjeruara dhe kostot e reduktuara te shërbimet e përmirësuara dhe mundësitë e inovacionit, kompanitë Fintech sic është EasyPay në Shqipëri, mund të lulëzojnë në ekosistemin e integruar SEPA, duke nxitur rritjen dhe konkurrencën në sektorin e teknologjisë financiare të rajonit.
Prej 13 vitesh EasyPay ka përditësuar platformën e saj të shërbimeve të pagesave dhe transfertave, duke u shtrirë kështu në të gjithë territorin vendas. Gjithashtu, ata janë partneri kryesor i kompanisë globale Ria Money Transfer ne Shqipëri, dhe kanë mbështetur tregun shqiptar me transferta të shpejta e të lira prej vitesh tashmë. Mirëpo, një integrim në SEPA do ti jepte EasyPay-t edhe shume kompanive të tjera fintech në Shqipëri, më shumë mundësi, ndër të cilat vecojmë:
- Ofrimi I shërbimeve të platformave të tyre jo vetëm për klientët lokalë, por për të gjithë zonën SEPA.
- Kryerja e transaksioneve të pandërprera ndërkufitare, brenda zonës SEPA.
- Eliminimi tarifave të transaksioneve ndërkombëtare në kosto thuajse zero, duke i dhënë mundësinë kompanive Fintech që t’ua kalojnë këto kursime klientëve të tyre, duke i bërë shërbimet e tyre më tërheqëse.
- Procese të standartizuara dhe më efektive pagesash, duke i dhënë mundësinë firmave Fintech që të fokusohen më shumë në zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve novatore në vend që të merren me kompleksitetin e sistemeve të shumta të pagesave.
Në përmbledhje, SEPA është thelbësore për fintech-et e Ballkanit, sepse lehtëson pagesat ndërkufitare, standardizon proceset, zvogëlon kostot, siguron një avantazh konkurrues, përputhet me rregulloret e BE-së dhe krijon mundësi për zgjerim tregu. Sëbashku me implementimin e rregullores së bankingut të hapur në gjysmën e dytë të vitit 2024, këto rregullore të reja do ta ndryshojnë rrënjësisht tregun financiar shqiptar.
Jo vetëm në të mirën e kompanive fintech, por edhe në nivel makroekonomik, integrimi i SEPA-s mund të jetë një katalizator për rritjen e përgjithshme ekonomike të vendeve në Ballkan. Duke u përafruar me standardet e pagesave të BE-së, këto vende bëhen më tërheqëse për investitorët e huaj që vlerësojnë stabilitetin dhe efikasitetin, dhe njëkohësisht për konsumatorin global të ditëve të sotme.