Women on Boards Albania (WOB AL) mblodhi mbi 100 gra sipërmarrëse dhe drejtuese të institucioneve të rëndësishme në konferencën e parë të saj, zhvilluar në Hotel Plazza, në Tiranë.
Women On Boards, drejtuar nga ekspertja ndërkombëtare Albana Vrioni, synon të fuqizojë gruan, përmes zhvillimit të saj ekonomik dhe njëkohësisht, krijimit të mjedisit favoruzues. Sot kuotat e përcaktuara janë plotësuar në disa institucione private apo publike, por si është panorama përtej kuotave? A po shfrytëzohet potenciali i gruas për të përmirësuar ekonominë dhe kushtet sociale të vendit? Çfarë duhet bërë në këtë drejtim?!
Të gjitha këto u diskutuan në konferencën e prezantimit zyrtar të Women on Boards Albania, pjesë e rrjetit Women on Board Europe.
Sipas znj. Vrioni, “Eventi ishte më shumë se një takim; ishte një testament i fuqisë së mprehtësisë, frymëzimit dhe fuqizimit. Ne shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për të gjithë ata që na nderuan me praninë e tyre, duke ofruar diskutime të gjalla, pyetje hetuese dhe rekomandime të paçmueshme”.
Në panelin e diskutimit ndanë përvojat dhe këndvështrimet e tyre: themeluesja e WOB AL Albana Vrioni, Ministrja e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, Delina Ibrahimaj, CEO e WOB Europe, Kristen Anderson, CEO e BKT Pay, Bilgen Alden, Drejtorja e Politikave Publike, Ligjore dhe Punëve të Jashtme në Vodafone, Jonida Lakuriqi dhe Drejtorja Menaxheriale e Lufthansa Industry Solutions, Albana Shkurta.
Nisur nga temat e diskutuara dhe njohuritë e ndara gjatë konferencës mesazhet kyçe ishin:
- Diversiteti i kapërcen kuotat: Ka të bëjë me nxitjen e mendësive gjithëpërfshirëse dhe përparimin e qëllimshëm për të pasur më shumë gra në pozicione me ndikim.
- Diversiteti gjinor kërkon që gratë të avokojnë për njëra-tjetrën dhe të ndërtojnë një sistem rrjeti strategjik
- Zhvillimi i qëndrueshëm i kompetencave të drejtimit arrihet më së miri kur është pjesë e strategjive të rritjes.
- Balancimi i rritjes profesionale dhe përmbushjes personale kërkon të jesh lider i vetes
- Strategjitë dixhitale do të përdoren për të kthyer modelet përjashtuese të vërejtura në vendimmarrjen strategjike.
- Fuqizimi i grave për të ndikuar në strategjinë e produktit dhe tregut, nëpërmjet platformave dixhitale mund të përdoret për të sfiduar stereotipet, por edhe për t’i pozicionuar gratë si prirje me ndikim në korporatë.
- Dixhitalizimi ofron mundësi të paprecedentë për të përforcuar iniciativat arsimore, duke lidhur gratë aspirante me burime, programe mentorimi dhe një rrjet global.
Albana Vrioni thekson se, “në Women on Boards Albania, ne mbrojmë një qasje holistike për avancimin e diversitetit gjinor në drejtimin e korporatës. Nëpërmjet edukimit, lidhjes dhe implikimit, ne ushqejmë mendësitë e nevojshme për përparim. Gjatë pesë viteve të ardhshme, angazhimi ynë është të ndihmojmë në përgatitjen e 100 grave të nivelit drejtues dhe ekosistemet e tyre për sukses në rolet drejtuese dhe ekzekutive, përmes programeve të zhvillimit, mentorimit, rrjetëzimit dhe mundësive për të udhëhequr projekte transformuese”.
Gjatë eventit u theksua se, krahasuar me potencialin, ka një prani dhe kontribut të pamjaftueshëm ndikues të gruas shqiptare në nivelet më të larta të vendimmarrjes në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Këto sfida lidhen me kufizimet që ka sjellë ekonomia e varfër, e mbyllur dhe lokale, si dhe mendësia e mungesës.
Ndaj, Women on Bords Albania sheh me rëndësi rolin e saj në këtë kohë, pikërisht kur Shqipëria është e angazhuar të integrohet në Evropë. Kjo do të kërkojë që bizneset shqiptare të rriten suksesshëm jashtë Shqipërisë dhe bizneset e huaja të tërhiqen dhe të rriten suksesshëm brenda Shqipërisë. Modeli aktual i qeverisjes së biznesit shqiptar nuk i përgjigjet këtyre kërkesave.