NGA AKADEMIK. PROF.DR. ANASTAS ANGJELI
PAK HISTORI…
Gjithmonë e më shumë në shtypin botëror po flitet për organizatën ekonomike ndërkombëtare të quajtur BRICS, ku bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut dhe që nga 1 janari i vitit 2024 futen edhe 6 anëtarë të tjerë, që janë Argjentina, Egjipti, Etiopia, Arabia Saudite, Irani dhe Emiratet Arabe e Bashkuara. Sipas zërave nga anëtarët më të rëndësishëm të kësaj organizate dhe veçanërisht deklaratave të Presidentit të Afrikës së Jugut, edhe disa vende afrikane po mendojnë seriozisht të hyjnë në këtë union ekonomik.
Zgjedhjet e vitit të kaluar në Argjentinë dhe deklaratat në fushatën zgjedhore të presidentit të ri kanë vënë në pikëpyetje qëndrimin në këtë grupim të Argjentinës, duke iu kthyer “dashurisë” dhe lidhjes besnike me botën e zhvilluar perëndimore dhe raportit me FMN. Gjithsesi, BRICS aktualisht prodhon, edhe pa Argjentinën, 1/3 e GDP-së botërore dhe përfaqëson 40% të popullsisë të të gjithë planetit. Ky është një nga faktorët, që ky forum po merr gjithmonë e më shumë interes ndërkombëtar. Jim O’Neill, ekonomist anglez, personazh i rëndësishëm i Goldman Sachs, ndërtoi termin BRIC në vitin 2002 si një koncept që përfaqësonte një bashkim të vendeve në zhvillim, të cilat në një të ardhme jo të largët do të shfaqeshin në treg si një alternativë e botës njëpolare të dominuar nga dollari amerikan.
Ky perceptim i Jim O’Neill-it, që kishte në bazë vetëm një organizatë ekonomike të vendeve në zhvillim, shumë larg organizimit të BE në traktate, legjislacion, mekanizma dhe vendime kolegjiale, filloi të përflitet nga shumë ekonomistë si një bashkim kundër rendit aktual dhe si një përpjekje për të ndryshuar funksionimin e rendit ekonomik botëror, si një “nga forumet që do të vinte në rrezik ekzistencën e demokracive perëndimore”. Sa të pavërteta dhe utopike janë këto ide, do t’i analizojmë me poshtë, por me fare pak fjalë për organizimin e forumit ekonomik BRICS.
BRICS – NJË ENTITET PA UNITET
A është BRISC një organizatë e mirorganizuar, nga pikëpamja e politikave ekonomike e financiare, vendimmarrjet kryesore dhe institucione të konsoliduara të përbashkëta? Duhet pranuar se BRICS-it, ende sot nuk disponon as strukturën institucionale dhe organizative, por as angazhimin dhe vullnetin politik të nevojshëm për të imponuar politikëbërje të përbashkët në sektorë të caktuar apo rregulla të mirëpërcaktuara për të gjithë anëtarët e saj.
Politikat ekonomike, financiare të secilit vendi anëtar janë tërësisht sovranitet i shtetit në fjalë dhe të pakushtëzuara nga pjesëmarrja në këtë organizatë. Ndryshe nga organizata të tjera, mbiqeveritare, siç është Bashkimi Evropian, organizata të cilat i kanë të qarta si kriteret për t’u bërë pjesë e tyre, ashtu edhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi, BRICS është akoma në fillimin e një rrugëtimi. Mund të themi se një hap i konsiderueshëm në këtë rrugëtim ishte pikërisht viti 2014 kur u themelua “New Development BANK” – BRICS si një mekanizëm alternativ i FMN-së dhe Bankës Botërore. N.D.Bank – BRICS ishte një bankë zhvillimi me bazë në Shanghai, me presidente Dilma Rousseff, ish-Presidenten e Brazilit, që do të kreditonte vendet pjesëmarrëse në projektet e tyre të përbashkëta me interes reciprok.
Kjo bankë filloi aktivitetin e saj me një kapital prej 100 miliardë dollarësh (monedha bazë është e të gjitha vendeve të BRICS-it e konvertuar në dollarë për efekte kontabël). Qëllimi për të konkurruar FMN dhe BB që në thelb kanë një kapital prej 77.000 miliardë dollarësh ngjante më shumë me një utopi dhe u braktis shpejt. Bashkimi Europian (duhet pranuar, me një histori institucionale shumë më të gjatë dhe thelbësore se BRICS) ka ndërtuar një politikë të mirëpërcaktuar për të gjitha vendet anëtare, duke mobilizuar fonde të përbashkëta për projekte zhvillimi të çdo vendi mbi bazën e një filozofie të caktuar me një qëllim të qartë. Të gjitha politikat ekonomike të BE kanë objektiva shumë të qarta. Ende tek N.D.Bank – BRICS nuk vihen re elemente të tilla. Pra, ndryshe nga vendet e BE-së që heqin dorë nga pjesë të sovranitetit të tyre duke ia kaluar ato Brukselit, vendet e BRICS-it (të paktën deri tani) veprojnë në mënyrë të pavarur, duke mos u kushtëzuar nga anëtarësimi i tyre.
Për sa i përket dimensionit politik, akoma nuk duket një konvergjencë e thellë politike, e cila të ratifikohet me një dokument të qartë, ku të caktohen në mënyrë thelbësore detyrimet, të drejtat apo angazhimet e secilit vend si dhe angazhimet e organizatës në lidhje me vendet anëtare. Në mungesë të një strategjie të tillë të ratifikuar duket se BRICS është ende në pozitë të dizavantazhuar në qoftë se krahasojmë me aleanca të tjera politiko-ushtarake siç është psh. NATO. Duke qenë se nuk kemi të bëjmë me një aleancë të mirëpërcaktuar, vihen re edhe paradokse siç është psh., fakti që India është njëkohësisht edhe anëtare e BRICS, por edhe e QUAD (Quandilateral Security Dialogue) që është një platformë dialogu strategjik i sigurisë midis Australisë, Indisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Pra, India nga njëra anë është në BRICS dhe nga ana tjetër cenon interesat e Kinës, aleates kryesore në këtë organizëm nëpërmjet pjesëmarrjes në QUAD. Gjithashtu po India është në të njëjtën kohë edhe anëtare e “The Shanghai Cooperation Organisation” (SCO), që në fakt është një kundërpërgjigje e QUAD-it. Të gjithë këto elemente tregojnë se BRICS ka akoma shumë rrugë të vështirë përpara për t’u evidentuar si një organizatë ndërkombëtare me një profil të qartë. Nuk mund të thuhet se është një organizatë politike me një objektiv të caktuar, pavarësisht se pati një heshtje në dënimin e Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Nuk është një organizatë e mirëfilltë ekonomike, sepse nuk ka një statut themelimi dhe rregulla të përbashkëta veprimi ekonomik. Nuk është as një organizate unike ushtarake, sepse nuk ka një traktat si ajo e NATO-s dhe shumica e marrëdhënieve ndërtohen mbi marrëveshje dypalëshe ose disapalëshe me aleanca të brishta. Lind pyetja çfarë është në fakt BRICS dhe cila është e ardhmja e saj? Le të shohim pak nga afër ecurinë e vendeve anëtare të BRICS-it në aspektin ekonomik, ashtu dhe atë politik.
A DO TË KEMI NJË REND TË RI BOTËROR?
Analiza ekonomike e vendeve të BRICS-it duhet ta fillojmë me krizën e vitit 2009. Atëherë, këto vende sa kishin filluar të organizoheshin në këtë forum dhe kjo krizë erdhi për t’i vënë në vështirësi të mëdha ashtu si gjithë vendet e botës. Vendet e BRICS-it mund të ndahen në dy grupe, në ato që mbështeten në burimet e mëdha të lëndëve të para siç është Rusia, Brazili dhe Afrika e Jugut dhe vendet me tendenca industrializimi, siç ishte India dhe Kina. Tri të parat e ndjenë më shumë krizën e vitit 2009, por pasi ulen çmimet e lëndëve të para, që eksportonin në vendet e zhvilluara arritën të përmbajnë rënien në 1% deri në 2% dhe me lëvizje inteligjente të sasisë së hedhur në treg realizuan që kjo krizë të jetë shumë më e shkurtër.
India dhe Kina që mbështeteshin në eksportet e produkteve të lira dhe shërbimeve të lira pothuajse nuk e ndjenë krizën, sepse në momente krize të gjithë blejnë gjërat e lira dhe që të dyja vendet arritën t’i risin eksportet dhe nga viti 2009 deri në vitin 2011 realizuar një rritjeje të GDP-së jo më të vogël se 4%. (pati vite dhe me 8% dhe 9%). Sigurisht të mësuar me ritme dyshifrore, rënia relative këtu ishte e dukshme, por ato arritën t’ia dalin pa recesion në periudhën 2008-2012. Nga ana tjetër, kjo krizë solli një ristrukturim të këtyre ekonomive, sepse shumë shoqëri të vendeve të G7 panë me interes të investonin kapitalet e tyre në Kinë dhe Indi dhe të rrisnin bazën prodhuese të këtyre vendeve. Kjo gjë nuk ndodhi në tri vendet e tjera të BRICSit sepse aty kriza ishte më e ndjeshme, pushteti politik më i korruptuar dhe përgatitja teknologjike më e prapambetur. Këtu ndodhi procesi i kundërt që oligarkët rusë filluan të investonin në Perëndim, ndërsa ata brazilianë në vendet e tjera të Amerikës Jugore.
Të gjitha këto ndryshime ekonomike filluan të pasqyrohen edhe në ndryshimet sociale. Kështu, shtresa e mesme në Indi para krizës së 2008-ës ishte rreth 1%, ndërsa në Kinë 3%, pra në shifra shumë të ulëta. Pas vitit 2015, kur kriza pothuajse kishte mbaruar në të dyja vendet, kjo shtresë arriti në Indi dhe në Kinë në 15%. Kjo, sepse edhe India, edhe Kina i dhanë më shumë rëndësi inovacionit dhe teknologjisë, duke krijuar poste pune të mirëpaguara gjithnjë e më shumë. Pas vitit 2015, shfaqet përsëri kriza e lëndëve të para dhe përsëri Rusia dhe Brazili hynë në krizë, ndërsa Afrika e Jugut mundohet të ruajë ritmin pozitiv të zhvillimit.
Ata që nuk e ndjejnë krizën janë India dhe Kina. Kjo e fundit me gjithë luftën tregtare të SHBA-ve arrin të ruajë ritme të larta zhvillimi, falë eksporteve dhe zhvillimit teknologjik. Kështu që në fund të vitit 2019, Kina dhe India prodhojnë 81,1% të GDP-së së vendeve të BRICS-it. Përcaktohen kështu fuqitë bazë ekonomike të këtij Unioni. Më 2010 Kina kalon përsa i përket nivelit të GDP-së, edhe Japoninë dhe bëhet kështu vendi i dytë pas USA. Roli i saj ekonomik në arenën ndërkombëtare rritet ndjeshëm dhe bashke me të, edhe ndikimi i saj në BRICS-it. Sot në grupimin ekonomik të vendeve kryesore perëndimore të kryesuara nga SHBA iu përgjigjet bashkimi i vendeve të BRICS-it, ku Kina është lider i padiskutueshëm.
Duke analizuar dallimet dhe perspektivat e këtyre dy grupeve, le të shohim më nga afër ndikimin që lufta RusiUkraine po luan në zhvillimet brenda BRICS-it. Nëse shohim deklaratat zyrtare të krerëve të Kinës, Indisë dhe vendeve të tjera të këtij forumi, vëmë re se ato flasin me tone të ulëta për “operacionin special rus” dhe mundohen të luajnë rolin e ndërmjetësit me SHBA dhe Europën. Deklaratat dhe vendimet kontradiktore evidentohen edhe në votimet e OKB-së, por ky qëndrim ka një kosto të ndjeshme për Rusinë, që lëndët e para që eksporton në këto vende mendohet të kenë “skonto shumë të mëdha”.
Vërtet embargoja europiane ndaj Rusisë nuk dha ende efekte të menjëhershme, por shumë pak specialistë mendojnë se afatgjatë, kjo nuk do të këtë pasoja shumë negative për ekonominë ruse. Vërtet shumë vende kandidate për anëtarësim në BRICS po marrin çmime preferenciale nga lëndët e para të Rusisë, por pesha politike e tyre në arenën ndërkombëtare është e papërfillshme. Kjo mund të thuhet për Iranin dhe disa vende të tjera Afrikane. Në këtë aspekt brenda vendeve të BRICS-it po kristalizohen dy grupet e vendeve me dy shpejtësi zhvillimi. Grupi i parë, i udhëhequr nga India dhe Kina, që karakterizohet nga ritme zhvillimi mbi 4% dhe, grupi i dyte, vende në kriza zhvillimi afatshkurtër dhe afatgjatë. Teoria e “dy shpejtësive e përhapur në BE” në fakt, po ndodh me më shpejtësi në BRICS.
Kriza e luftës në Gaza dhe politika izraelite për “sundimin e Palestinës” duket se po forcon disi politikisht BRICS-in në aspektin e këmbimeve ushtarake dhe informacioneve politike. Megjithatë, të gjithë specialistët mendojnë se uniteti ushtarak i BRICS-it është shumë larg strukturës së NATOS dhe se këtu flitet më shumë për mbështetjet politike se sa ushtarake dhe ekonomike. Si përfundim, të gjithë specialistët gjykojnë se është shumë shpejt të mendohet se BRICS-i mund të ndryshojë rendin botëror, pavarësisht se Kina në vitin 2050 parashikohet të jetë prodhuesi kryesor i GDP-së botërore.
A MUNDET BRICS-I TË NDRYSHOJË RENDIN E RI BOTËROR?
Për të vlerësuar nëse vendet e BRICS-it mund të kushtëzojnë një sistem ekzistues botëror, nuk duhet të mbështetemi në numra dhe elementë të përgjithshëm ekonomikë (GDP), ritmet e rritjes apo popullsia etj., por duhen konsideruat edhe elementë të tjerë, nder me kryesoret janë:
1-Organizimi shtetëror dhe ekonomik. Të gjitha vendet e BRICS janë vende autokratike. Të gjithë e dimë se autokracia në kushte të caktuara shoqërore e kombinuar me ekonominë e tregut jep rezultate interesante ekonomike, por gjithmonë këto rezultate janë të përkohshme. Në shume vende diktatoriale eutopiane (Spanjë, Portugali, Greqi etj.) fazat fillestare të sundimit autokratik garantuan një zhvillim ekonomik, por më vonë sistemi u gërrye nga korrupsioni dhe paaftësia për të prodhuar me efektivitet në kushtet e konkurrencës së lirë. Të gjitha këto sisteme ranë më parë nga pasojat ekonomike dhe pastaj nga ato politike, që vetë tregu politik ofroi.
2-Vërtetë në aspektin e GDP-së vendet e BRICS-it japin 1/3 e prodhimit botëror, por të mos harrojmë se të ardhurat për fryme të këtyre vendeve janë shumë herë më të vogla se ato të vendeve perëndimore. Kështu, të ardhurat për fryme në USA janë 10 herë më të larta se ato të Kinës dhe se vendet e tjera të BRICS-it (ku të ardhurat për frymë lënë për të dëshiruar). Kjo do të thotë që sundimi ekonomik nuk është vetëm pozicionim i një vendi në prodhimin global, por edhe mirëqenia e popullsisë së tij.
3-Vetë vendet e BRICS-it nuk kanë një unitet politik doktrinor midis tyre dhe në shumë raste kanë kontradikta jo vetëm kulturore, por edhe territoriale. Kështu, Kina dhe India kanë rivendikime territoriale dhe shpeshherë raportet e tyre kushtëzohen nga lëvizje të fshehta në zonat e ndryshe gjeografike të zonave kufitare.
4-Kina prej vitesh ka një plakje të popullsisë dhe kostoja e këtij fenomeni shumë shpejt do të jetë pengesë për zhvillim, ndërsa India në të kundërt ka një rritje të popullsisë së re që është gjithmonë më afër teknologjive të reja dhe inovacionit. Kjo bën që ritmet e rritjes së Indisë parashikohen më të shpejta se ato të Kinës, fakt ky që mund të rrisë konkurrencën midis tyre dhe të hapë një garë të re në luftën ekonomike.
Pavarësisht të gjithë faktorëve që analizuam më lart, mund të themi që fenomeni i BRICS-it mbetet një ngjarje për t’u analizuar në vazhdimësi dhe më analitikisht, sepse kjo mund të sjellë forca të reja ekonomike dhe ushtarake në skenën botërore. Ndërkohë të gjithë janë të mendimit, që roli i dollarit amerikan dhe për shumë e shumë vite do të jetë monedhë qendrore.