Shqipëria nënshkroi në fillim të këtij muaji marrëveshjen për njohjen e pensioneve me Italinë, pas 15 vitesh negociata. Marrëveshje të tilla vendi ynë ka edhe me 17 vende te tjera, të finalizuara apo në proces finalizimi. Por njohja e ndërsjelltë e pensioneve nuk është bërë ende me Greqinë, shtetin ku ndodhet edhe komuniteti më i madh i emigrantëve shqiptarë.
Drejtori I Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado zbardh në emisionin A2 Business të gazetares Aurora Sulce arsyet pse grekët refuzojnë një marrëveshje të tillë.
“Nënshkrimi i shumë marrëveshjeve të tilla me vende të Bashkimit Europian ushtron një lloj presioni pozitiv ndaj Greqisë. Gjëja e dytë positive është se grekët kanë filluar të lëvizin. Ne kemi bërë dy takime në nivel teknik, nuk ka qenë nivel politik. Takime në nivele institucionale për të parë mundësitë për të koordinuar skemat dhe legjislacionin. Kemi arritur në përfundimin që ne skemat e pensioneve i kemi të koordinueshme. Nuk kemi pengesa teknike. Cështja është që duhet të merret një vendim politik nga ana e palës greke për të filluar marrëveshjen”, deklaron Hado.