Kriza e Detin e Kuq mund të na lërë pa naftë në javët e ardhshme, kur importet pritet të bien me dy të tretat, ndërsa në të njëjtën kohë shumë rafineri do të fillojnë mirëmbajtjen sezonale. Mbase nuk do të ketë mungesa reale, por çmimet e naftës së përpunuar me shumicë janë rritur në nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit. Nafta e përpunuar në Bursën e Londrës tregtohet të enjten në rreth 860 dollarë për ton, niveli më i lartë që nga 2 janari i këtij viti.
Ndërsa nafta Brent e Londrës, që është bençmarku global, po tregtohet në rreth 81 dollarë për fuçi, pranë nivelit më të lartë që nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar. Rritja e çmimeve të naftës së përpunuar, që përdoret gjerësisht në transportin e rëndë, në bujqësi dhe në industri, transferohet gjithmonë me shpejtësi në çmimet përfundimtare të mallrave dhe produkteve, sepse përkthehet në një kosto më të lartë.
Porta hyrëse për në Kanalin e Suezit është Gjiri i Adenit dhe më pas vjen Deti i Kuq, ku militantët e Houthi, që mbështeten nga Irani, nga nëntori i vitit të kaluar kanë ndërmarrë sulme me raketa ndaj anijeve të transportit. Situata po ndryshon me shpejtësi. Pas anijeve që transportojnë kontejnerë me mallra, edhe anijet cisternë kanë filluar të shmangin Kanalin e Suezit, me një impakt serioz për naftën që tregtohet në Europë.
Kontinenti i vjetër ka një varësi të madhe ndaj importit të naftës, pasi mbi 40% e merr nga jashtë kufijve dhe pjesa më e madhe vjen përmes Kanalit të Suezit. Kompanitë kryesore që gjurmojnë dërgesat e karburanteve japin një tablo shumë të errët për javët e para të shkurtit, kur shumë anije që shmangën Detin e Kuq nuk do të kenë arritur ende të përfundojnë ininerarin shumë më të gjatë, rreth e rrotull Afrikës. Kjo rrugë shumë e gjatë, përveçse do të ketë kosto shumë më të larta transporti, tashmë kërcënon tregjet europiane me mungesë të naftës dhe benzinës, të paktën për pak kohë.