Nryshimet klimaterike po i kushtojnë jo pak ekonomisë shqiptare. Guverantori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka apeluar për marrjen e masave, në mënyrë reduktimin e ndikimit tek qytetarët dhe buxheti i shtetit.
“Vlerësimet e FMN-së sugjerojnë se Shqipëria ka mesatarisht një episod fatkeqësie natyrore në vit, e cila shkakton dëme deri në nivelin 1.3% të PBB-së dhe prek të paktën 1 në 200 banorë të vendit. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ndryshimet klimatike do të kenë implikime të gjera për ekonominë, sistemin financiar dhe shoqërinë në përgjithësi. Për këtë arsye, autoritetet publike duhet të angazhohen në plane e strategji konkrete për të minimizuar ndikimin e tyre dhe për të arritur një zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm”, është shprehur Sejko.
Guvernatori i ka bërë këto deklarata gjatë prezantimit të Raportit të Tranzicionit 2023-2024 nga Berzh. Ai ka shtuar se ndonëse bankat qendrore nuk janë aktorët primarë të cilët mund të lehtësojnë përshtatjen e ekonomisë me ndryshimet klimatike, Banka e Shqipërisë ka vendosur që – pa paragjykuar mandatin e saj ligjor të stabilitetit të çmimeve – të japë kontributin e saj në këtë drejtim. “Përpjekjet tona janë përqendruar në tre drejtime kryesore:
- Së pari, në monitorimin e rreziqeve klimatike dhe zgjerimin e kapaciteteve tona analitike në këtë fushë. Për momentin, duhet të pranojmë se ekziston një hendek i madh në të dhënat e lidhura me klimën. Megjithatë, kapërcimi sa më i shpejtë i tij do të krijonte premisa për të përmirësuar më tej modelet tona makroekonomike, analizat e skenarëve dhe vlerësimin e rrezikut. Kjo na ndihmon të llogarisim më mirë rreziqet klimatike dhe implikimet që mund të ketë tranzicioni në një ekonomi neutrale ndaj karbonit. Gjatë viteve të fundit, ne kemi rritur dijet tona mbi pasojat ekonomike dhe financiare të ndryshimeve klimatike, nëpërmjet hulumtimeve dhe kërkimit shkencor.
- Së dyti, në promovimin e financave të gjelbra. Për këtë qëllim, ne kemi miratuar së fundmi “Strategjinë për Menaxhimin e Rreziqeve Financiare të lidhura me Ndryshime Klimatike, 2023-2025”. Kjo strategji synon të ndërgjegjësojë bankat për nevojën e identifikimit, të matjes dhe të monitorimit të rrezikut që vjen nga ndryshimet e klimës, deri në nxjerrjen e udhëzimeve të plota nga Autoriteti Bankar Evropian për përfshirjen e këtij rreziku në proceset mbikëqyrëse. Ndërkohë, për vitin aktual, ne planifikojmë të përgatisim një udhëzues për rrezikun klimatik me qëllim që të inkurajojmë bankat të përfshijnë rreziqet klimatike në kuadrin e tyre të administrimit të rrezikut. Në këtë proces do të konsiderohet edhe harmonizimi me iniciativat e BQE-së, duke marrë parasysh edhe praktikat e vendeve të tjera.
Së treti, në forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendas dhe të huaj. Adresimi i rreziqeve të ndryshimeve klimatike dhe tranzicioni drejt një ekonomie të qëndrueshme janë sfida globale. Rrjedhimisht, shkëmbimi i informacionit, ekspertizës, si dhe njohja e aplikimi i praktikave më të mira në lidhje me trajtimin e ndryshimeve klimatike, janë elemente kritike për adresimin me sukses të kësaj sfide. Ne punojmë me partnerë shqiptarë dhe ndërkombëtarë për të rritur dijen, ndërgjegjësimin dhe transparencën për çështje të lidhura me klimën. Prej vitit 2020, jemi anëtarë të Rjetit për një Sistem Financiar të Gjelbër (NGSF), ndërkohë që bashkëpunojmë prej shumë kohësh me Bankën Botërore (FinSAC), me Sekretariatin Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Qeverisë Zvicerane (SECO), Iniciativën e Vjenës dhe të tjerë. Po ashtu, po punojmë për të reduktuar ndikimin tonë mjedisor duke zbatuar masa për kursimin e energjisë”, ka thënë guvernatori.