Automjetet të cilat janë më të vjetra se 15 vjet nuk do të importohen më në Malin e Zi. Gjatë këtij viti Ministria e Transportit dhe Detit të Malit të Zi do të kërkojë ndryshime në rregullore në mënyrë që standardi i ri minimal për importe të jetë “Euro 5”. Gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, Bashkimi Europian prezantoi standardet “Euro”, të cilat paraqesin kufizime ligjore për emetimin e gazrave të dëmshëm nga automjetet
Rregullorja e re ndalon importin e makinave të standardit “Euro 4”. Sipas autoriteteve ky vendim synon rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e mjedisit.
Aktualisht, automjetet e importuara të standardit “Euro 4”, të cilat janë kryesisht mbi 15 vjeç, janë identifikuar si të dëmshme si për sigurinë rrugore ashtu edhe për mjedisin. Sipas rregullores së re, importi i automjeteve më të vjetra se 2009 do të jetë më i godituri. Kjo korrespondon me vitin kur standardi “Euro 5” hyri në fuqi në BE.
Në Mal të Zi, importet e automjeteve të reja duhet të jenë në përputhje me standardin “Euro 6”, ndërsa automjetet e përdorura aktualisht lejohen sipas standardit “Euro 4”.
Ndalimi nuk do të ndikojë në përdorimin e automjeteve “Euro 4” tashmë të importuara, me kusht që ato të plotësojnë kriteret e regjistrimit.
Kalimi në standardin “Euro 5” nënkupton një hap të rëndësishëm mjedisor, duke reduktuar emetimin e lejuar të monoksidit të karbonit nga 1.14 gram në 1 gram për kilometër. Ky ndryshim është në përputhje me përpjekjet e vazhdueshme të Malit të Zi për të frenuar ndotjen e ajrit, duke pasur parasysh se sipas standardit ‘Euro 1’, automjetet mund të lëshojnë deri në 13 gramë monoksid karboni, një ndotës kryesor i ajrit.