Prodhuesit dhe eksportuesit paralajmërojnë protesta në fillim të janarit. Lajmi është bërë i ditur gjatë takimit të organizuar këto ditë mes përfaqësuesve të grupeve eksportuese dhe Përfaqësuesve të Sindikatave – Organizatave dhe Shoqërisë civile, që janë në mbrojtje të të drejtave të punonjësve.
Kompanitë eksportuese dhe prodhuese, sipas treguesve financiarë të tyre po prodhojnë më pak dhe do të ofrojnë po ashtu më pak produkte për shitje, kjo do të thotë gjithashtu që kompanitë kanë nevojë për më pak punonjës dhe shpesh po rezultojnë me pushime nga puna.
Gjithçka që po ndodh në ekonominë e prodhuesve për eksport po ndikon në tregun e punës, theksohet në deklaratën e tyre të përbashkët.
Humbja e konkurrueshmërisë së eksportuesve, rënia e vlerës së shitjeve nga forcimi i shpejtë i lekut dhe rritja e kostove direkte dhe ndikimi i inflacionit në shpenzimet e përditshme po krijojnë me shpejtësi ambientin e pafavorshëm për të vijuar më tej dhe po e detyrojnë pjesën dërrmuese të eksportuesve të mbyllin aktivitetet dhe të aplikojnë për status pasiv.
Kjo masë drastike e detyruar nga akumulimi i humbjeve dhe nga mospasja e një qartësie për tregun në vitin që po hyn do të krijojë një efekt në rritjen e papunësisë me të paktën 6% nga niveli aktual, ku kryesisht papunësia më e madhe do të ndihet te të punësuarat dhe të rinjtë.
Përfaqësuesit e Sindikatave shprehën mbështetje, duke vlerësuar faktin se shoqëritë eksportuese mbajnë ekuilibrat ekonomikë dhe të punësimit. Një shqetësim në rritje është edhe nevoja që për të matur realisht ndikimet dhe efektet e kësaj situate në ekonomi, në jetën sociale dhe në buxhetin e shtetit dhe atë të bizneseve nevojiten statistika zyrtare të sakta, në kohë reale dhe të shërbejnë si baza e përbashkët e dialogut social mes palëve.
Sipas deklaratës së përbashkët, punëtorët dhe bizneset janë lënë të vetëm dhe Qeveria fatkeqësisht këtë problem ekonomik dhe krizën aktuale e sheh vetëm përmes dy qasjeve: atë të lënies në dorë të tregut të adresojë problemet, duke e konsideruar si një dështim të modelit të biznesit, si dhe trajtimin sipas kuadrit ligjor për papunësinë dhe për ofertën për punë në sektorë të tjerë nëse ndodh masivisht mbyllja e aktiviteteve prodhuese dhe eksportuese.
Kriza aktuale ka vënë në pah edhe një dobësi të jashtëzakonshme të përgatitjes së Institucioneve për të përballuar raste të tilla të prag mbylljes së një sektori të tërë, nëpërmjet krijimit të fondeve të posaçme për t’u përdorur për periudha krizash sektori apo kriza të shkaktuara nga moskoordinimi mes institucioneve dhe detyrave të pakryera për një ambient konkurrues dhe me rregulla tregu të një ekonomie të lirë.
Tani ka ardhur momenti, që krizën po e ndjejmë të gjithë. Në këtë situatë ekstreme do të nevojitej një ndërgjegjësim i institucioneve për t’u përgatitur, duke e ndjerë se sa i vështirë është ballafaqimi me momente të tilla. Potencialisht secili prej nesh, kemi shumë nevojë për mbështetje institucionale në rastin e humbjes së biznesit dhe të humbjes rrjedhimisht edhe të vendeve të punës. Prandaj, ballafaqimi dhe shterimi i gjithë argumenteve nëpërmjet tryezave institucionale është domosdoshmëri shoqërore dhe ekonomike për vendin tonë si dhe do të propozohet që diskutimi dhe propozimet për dialog mbi situatën të vendosen në mbledhjen më të parë të Këshillit Kombëtar të Punës.
Si masë e parë dhe urgjente, kërkohet vazhdimi i tavolinave teknike dhe gjetja e zgjidhjeve për kapërcimin e situatës. Ndërkohë, masa të tjera të përshkallëzuara do të vijojnë të diskutohen, ku vendosmëria dhe bashkëpunimi shumëpalësh ka marrë vendimin që të zhvillohet së bashku me Sindikatat dhe me punonjësit e sektorëve eksportues “Protestë përballë Kryeministrisë” në ditët e para të muajit janar.