Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni është nën kontroll dhe rënia e çmimeve do të vijojë edhe vitin e ardhshëm. Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit. Guvernatori Gent Sejko ka dhënë disa detaje mbi ecurinë e ekonomisë nën optikën e Bankës Qendrore në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës.
“Aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të rritet në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa inflacioni erdhi në rënie në tremujorin e katërt. Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka ndihmuar në zbutjen e presioneve të brendshme inflacioniste dhe në funksionimin normal të tregjeve të parasë. Projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive: vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet gradualisht në objektiv gjatë vitit të ardhshëm.
Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se trajektorja e kushteve monetare mbetet në linjë me kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor prej disa tremujorësh. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare”, ”, deklaroi Sejko.
Inflacioni i çmimeve të konsumit zbriti rreth nivelit 3.9% gjatë dy muajve të parë të tremujorit të katërt.
Rënia e inflacionit u diktua nga inflacioni më i ulët i artikujve ushqimorë, i shërbimeve dhe i mallrave të konsumit afatgjatë. Nga ana tjetër, shërbimet e strehimit dhe mallrat e konsumit joushqimor, e në veçanti të karburantit, shënuan norma më të larta inflacioni.
Në kontekstin makroekonomik, rënia e inflacionit pasqyroi reduktimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Megjithatë sipas Guvernatorit, këto presione mbeten relativisht të larta dhe – ndonëse në ngadalësim – nuk janë ende në linjë me objektivin tonë të inflacionit. Ato diktohen nga kërkesa e lartë dhe e qëndrueshme për mallra e shërbime, e cila ka sjellë një rritje të shpejtë të pagave e të kostove të prodhimit dhe mban të larta marzhet e fitimit.
Nga ana tjetër, inflacioni i importuar ka qenë relativisht i ulët dhe i qëndrueshëm. Reduktimi i shpejtë i këtyre presioneve gjatë vitit 2023 ka pasqyruar si ecurinë e çmimeve në tregjet botërore, ashtu edhe forcimin e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros.
Ndonëse jo i plotë, BSH gjykon se informacioni i disponuar sugjeron një ecuri të mirë të aktivitetit ekonomik në gjysmën e dytë të vitit. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, duke pasqyruar më së shumti trendin pozitiv të sektorit të shërbimeve, të udhëhequr nga turizmi.
Ky sektor shënoi të ardhura prej 3.2 miliardë eurosh gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, në rritje me 47% nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Për herë të parë në historinë tonë si ekonomi e bazuar në parimet e tregut të lirë, Shqipëria regjistroi një bilanc pozitiv të llogarisë tregtare dhe të llogarisë korrente, të vlerësuar rreth nivelit 6.4% të PBB-së në tremujorin e tretë.
Nga këndvështrimi i kërkesës, zgjerimi i aktivitetit ekonomik është diktuar më së shumti nga rritja e konsumit familjar, e investimeve private dhe rritja e eksportit të shërbimeve, ndërkohë që politika fiskale ka vijuar të ketë një kah konsolidues.
Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime e ka shtyrë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri pasqyrohet në vijimin e trendit rritës të punësimit e të pagave dhe në rënien e mëtejshme të normës së papunësisë. Më konkretisht, në tremujorin e tretë, punësimi shënoi një rritje vjetore prej 1.2%, pagat në sektorin privat u rritën me 14.5%, ndërsa norma e papunësisë ra në minimumin historik prej 10.5%.
Zgjerimi i punësimit dhe pagave ka vijuar të ushqejë rritjen e konsumit në ekonomi, por mungesat e pranishme në tregun e punës dhe zgjerimi i shpejtë i pagave mban ende të larta presionet e brendshme inflacioniste, referoi për publikun Banka e Shqipërisë.
Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare është transmetuar në tregjet financiare, duke sjellë një rritje të përgjithshme të normave të interesit të depozitave, të kredive dhe të letrave me vlerë të qeverisë. Megjithatë, edhe pse në rritje, kushtet e përgjithshme monetare e financiare mbeten ende stimuluese për rritjen ekonomike.
Në përgjigje të tyre, kredia për sektorin privat ka përshpejtuar ritmin e rritjes në tremujorin e katërt, duke shënuar vlerën 8% në muajin nëntor. Rritja e kredisë është mbështetur nga zgjerimi i shpejtë i kredisë në lekë, kredi e cila ka financuar zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private.
Paralelisht me të, treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit të sektorit bankar paraqiten në gjendje të mirë, cilësia e portofolit të kredive mbetet e shëndetshme, ndërsa sektori bankar vijon të ketë një qasje pozitive ndaj kreditimit.
Sipas Guvernaotit, Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka pasur një trend të qartë forcues gjatë vitit 2023. Kjo ecuri ka pasqyruar përmirësimin e dukshëm të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, çka ka gjeneruar një tepricë valute në tregun e brendshëm.
Ky përmirësim rezultoi edhe më i shpejtë në tremujorin e tretë, si pasojë e rritjes me 34% të eksporteve totale, e rritjes me 14% të remitancave dhe e rritjes me 10% të investimeve të huaja direkte, duke rezultuar në një tepricë të ndjeshme pozitive të bilancit korrent dhe të bilancit të përgjithshëm të pagesave.
Banka e Shqipërisë gjykon se, forcimi i kursit të këmbimit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste gjatë vitit 2022 dhe në trendin rënës të këtij treguesi gjatë vitit 2023.
Përditësimi i parashikimeve rikonfirmon pritjet tona të mëparshme. Sipas BSH-së Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet, e nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të shërbimeve. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë në vitin 2024 dhe t’i rikthehet potencialit të saj në vitet në vijim.
Nga ana tjetër, inflacioni parashikohet të vijojë të reduktohet gjatë vitit të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të tij. Ky reduktim do të pasqyrojë si një ekuilibër më të mirë të kërkesës dhe të ofertës në ekonominë vendase, ashtu edhe reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në partnerët tanë tregtarë.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.25%.
Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend.
Në këtë kontest, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për kontrollin dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve. Në çdo rast, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri, si dhe do të jenë konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.