Nga Aurora Sulce, drejtuese e Fast News Economy
Ditën e enjte, kryeministri dhe ministri i Financave dolën para mediave dhe publikut dhe njoftuan shpërndarjen e paketës së solidaritetit në prag të festave të fundvitit.
20 miliardë lekë do të rishpërndahen. Po ku do të shkojnë paratë, kush janë përfituesit dhe me çfarë vlerash?
Ata që marrin ndihmë ekonomike, do të përfitojnë 5 mijë lekë; personat që marrin mbështetje për aftësi të kufizuara gjithashtu 5 mijë lekë; familjet me shumë fëmijë në skemën e ndihmës ekonomike do të përfitojnë 10 mijë lekë; po kaq do të marrin invalidët e punës dhe përfituesit e pensionit familjar.
Por një mbështetje më të madhe se kjo, do të marrin nga paketa e solidaritetit mbi 1 mijë punonjës të administratës publike, të cilët do të përfitojnë një pagë shtesë; 31 bashki që kanë probleme financiare për shkak të keqmenaxhimit do t’u jepen 2 miliardë lekë për detyrimet e prapambetura, ndërsa punonjësve të Policisë do t’iu bëhet kompensimi ushqimor, me një vlerë totale prej 800 milionë lekë.
Por sa kanë dhënë si ndihmë vendet e tjera në prag të festave të fundvitit? Le të shohim rastin e Kosovës. Qeveria e këtij vendi ka miratuar vetëm pak ditë më parë, një mbështetje financiare prej 100 euro për çdo pensionist dhe 100 euro për çdo fëmijë, të moshës deri në 16 vjec. Dukshëm numri i përfituesve, por edhe shuma në mesatare janë më lart se ndihma e akorduar nga qeveria shqiptare.
Një grup që nuk përfitojnë nga Paketa e Solidaritetit janë pensionistët. Këta të fundit përfituan bonusin 5 mijë lekë në fillim të dhjetorit. Pensionistët janë njëkohësisht edhe grupi më i madh vulnerabël në Shqipëri.
Pensioni mesatar në qytet është mbi 18 mijë lekë; ndërsa ai në fshat mbi 11 mijë lekë. Këto të ardhura janë shumë më pak sesa paga minimale, ndërsa bëhen të pakrahasueshme me pagën mesatare.
Kjo është situata e krahasuar me pagat. Por si paraqitet realiteti sipas kufirit të varfërisë nga Banka Botërore?
Që nga viti 2022, për të reflektuar krizën e çmimeve, Banka Botërore ka përcaktuar kufirin e varfërisë për Shqipërinë në 6.85 dollarë për person në ditë. Kjo shumë konvertohet në 650 lekë në ditë ose 19,500 lekë në muaj për person. Këto shifra tregojnë se pjesa më e madhe e pensionistëve shqiptarë janë të varfër ose shumë të varfër./A2 CNN