Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se tregu i punës në Shqipëri po pëson ndryshime. Pjesëmarrja e grave dhe vajzave po rritet, edhe pse pjesa dërrmuese e fuqisë punëtore në vend mbeten ende burra. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në tremujorin e dytë të këtij viti, pjesëmarrja e grave në tregun e punës ishte 70.2 % nga 66.1% në tremujorin e parë, me rritje 4.1%. Ndërkohë që pjesëmarrja e burra vlerësohet në këtë tremujori me 81.7% nga 79.8% që ishte në tremujorin e kaluar, duke shënuar një rritje me vetëm 1.9%.
Shifrat e mësipërme tregojnë për një intensifikim të ritmeve të përfshirjes së grave dhe vajzave në punësim. Një objektiv i shpallur tashmë nga qeveria, pas sugjerimeve edhe të Bankës Botërore dhe asistencës së vazhdueshme të ofruar nga Un Women, për të evidentuar edhe programet që mundësojnë një akses më të lehtë dhe më të shpejtë të grave në tregun e punës.
Buxheti 2024 me karakter gjinor
Parlamenti miratoi rreth 2 javë më parë buxhetin 2024, draftin më të rëndësishëm të financave publike. Ky dokument ka një karakter të theksuar gjinor, me shtimin e numrit të programeve dhe financimeve për të adresuar çështje të ndjeshme gjinore.
Për këtë objektiv, qeveria ka parashikuar vitin e ardhshëm 67,9 miliardë lekë ose 9.3% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Ndërkohë që në buxhetin 2023, financimet për barazinë gjinore ishin sa 9% e totalit të shpenzimeve buxhetore.
Nga 128 programe buxhetore, 53 janë me fokus gjinor. Në buxhet theksohet se 11 ministri linje dhe 9 institucione qendrore kanë kryer analiza gjinore të politikave dhe buxheteve të tyre, si dhe kanë parashikuar të adresojnë çështje me rëndësi për barazinë gjinore në Shqipëri.
Buxheti 2024 do të financojë programe në disa sektorë, si mbrojtja sociale dhe punësimi; arsimimi; shëndetësia; rendi publik; zhvillimi rural; kultura dhe drejtësia.
Konkretisht, për mbrojtjen sociale dhe punësimin, do t’i kushtohet vëmendje e veçantë financimit të pagesave për gratë nga grupet në nevojë, të të gjitha grupmoshave, duke filluar nga gratë e moshuara, nënat e më shumë se tre fëmijëve, gratë kryefamiljare të vetme etj, me qëllim zbutjen e efekteve ekonomike dhe sociale të rritjes së inflacionit si dhe ndryshimeve në tregun e mallrave. Ri-integrimi i grave dhe burrave në tregun e punës duke përmirësuar dhe shtuar programet e punësimit, arsimin profesional, si dhe nxjerrjen e këtyre individëve nga skema e pagesës së papunësisë.