Të gjitha qeveritë e kanë konsideruar bujqësinë një sektor prioritar. Por prioriteti në ekonomi duket nga fondet që jepen. A është prioritet bujqësia? Producentja Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN, Aurora Sulce analizoi në emisionin e saj A2 Business gjendjen e këtij sektori dhe qasjen reale të qeverisë përtej deklaratave dhe propagandës.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, ky sektor jep si kontribut 19% të Pordhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa merr si fonde buxhetore vetëm 2% të PBB. Të punësuar në bujqësi rezultojnë 540 mijë vetë ose sa 44% e totalit të të punësuarve në vend.
Por sa para janë dhënë për bujqësinë në buxhetin 2024, të miratuar vetëm pak ditë më parë nga parlamenti? Financimet paraqiten në rënie. Vitin e kaluar do të akordohen 14.1 miliardë lekë ose 1.45 miliardë lekë më pak se në buxhetin 2023, ekuivalente kjo me një rënie prej 9.3%.
Por sa para jep Shqipëria për bujqësinë kundrejt vendeve të tjera të rajonit dhe Bashkimit Europian?
Sipas një krahasimi të bërë nga Banka Botërore, vendi ynë financoi mesatarisht më 0.19% të PBB sektorin bujqësor gjatë viteve 2020-2021. Ky është niveli më i ulët në Rajon dhe në BE.Në të njëjtën periudhë, vendet e BE-së financuan bujqësinë me 0.35% të PBB-së, ndërsa tre vende të Rajonit, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kishin norma më të larta financimi në raport të PBB-në të bujqësisë së BE.
E ky pakësim fondesh ndodh në një kohë kur Bashkimi Europian ka pezulluar fondet e programit IPARD.
Ky program ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha venddet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante. Përmes programit IPARD II, i cili u zbatua gjatë viteve 2014 dhe 2020, Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro fonde. Dhe teksa vendi priste të niste mbështetjen në bujqësi përmes IPARD III me 146 milionë euro grante, Komisioni Evropian vendosi pezullimin e tyre të përkohshëm, bazuar në dyshimet për korrupsion.
Kjo është gjendja e bujqësisë sot, që reflektohet më pas tek konsumatorët. Kjo është arsyeja pse ekonomia jonë për cdo produkt ushqimor që eksporton, importohen tre të tjerë dhe shqiptarëtë janë të detyruar të ushqehen me produkte të huaja.