Deficiti i thellë në skemën e pensioneve dhe financimi që qeveria është e detyruar të bëjë cdo vit e ka detyruar të rishikojë sërish këtë skemë. Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Financave, Ervin Mete gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2024 në komisionin parlamentar të Ekonomisë. Sipas tij, qeveria po përgatitet për të reformuar sërish skemën e pensioneve me qëllim rritjen e mbështetjes financiare për pensionistët dhe për të amortizuar diferencën e madhe që ekziston midis pensioneve të lidhura para vitit 2015 kur u ndërmor reforma e parë, dhe atyre e lidhura pas saj, të cilat janë më të larta.
“Për pensionet, ka ardhur momenti për një ndërhyrje të dytë reformuese pas ndërhyrjes që u bë në vitin 2014-2015, për të cilën kemi nisur diskutimin me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, që po bëjnë analiza paraprake. Është një çështje e mprehtë dhe do dojë një qasje e cila amortizon theksimin e diferencave. Një nga diskutimet është alokimi i indeksimit, pasi aktualisht indeksojmë totalin që marrin pensionistet dhe formati i indeksimit të çdo elementi të pensionit do dojë një rishikim. Për vitin 2024 janë alokuar 4 miliardë lekë projektuar për indeksimin dhe 3.6 miliardë lekë për bonusin e fundvitit i cili do jepet dhe këtë vit”, deklaroi ministri.
Ai u ndal edhe tek reforma e rritjes së pagave, që sipas tij përfundon në vitin 2024, pasi arrihet qëllimi që paga mesatare në administratën publike të shkojë në nivelin 900 euro. Ministri iu përgjigj shqetësimit të deputetëve lidhur me uljen e buxhetit për bujqësinë, ku thekoi se do duhet të rishikohet skema e mbështetjes për fermerët.
“Tek bujqësia do të ketë nevojë për një analizë të formave dhe efektivitetit të mbështetjes që ne japim. Në aktin normativ dhamë një mbështetje shtesë prej 1.8 mld lekë, vijojnë këto skema dhe për vitin tjetër, por unë mendoj që forma e mbështetjes do duhet rishikuar në raport edhe me produktet, dhe cilësinë e produkteve, në raport me nxitjen e ekonomisë së shkallës, që ky sektor të marrë mbështetjen e nevojshme. Do bëjmë një ndërhyrje rishikuese të buxhetit në Qershor të vitit të ardhshëm dhe bujqësia do të jetë në vëmendje të rishikimit”, u shpreh Mete.
Sipas deputetëve, buxheti i akorduar për bujqësinë nuk do të mundësojë që ky sektor të kontribuuojë me rritje në nivelin 2.4 për qind të PBB sikurse është planifikuar, duke qenë se është edhe një sektor i cili është i ndjeshëm nga inflacioni dhe trazirat e jashtme.